Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KE paralajmëron ashpërsim masash ndaj ndotjes

Komisioni Europian (KE) njoftoi se do të marrë masa më të rrepta ndaj cilësisë së ajrit dhe do të penalizojë vendet anëtare që shkelin rregullat e BE-së për ndotësit siç janë oksidi i azotit etj.

Komisioneri i BE-së për Mjedisin Karmenu Vella tha se shtetet anëtare duhet të jenë të vetëdijshme për përgjegjësitë e tyre.

“Vendet anëtare kanë përgjegjësi, përgjegjësi për të vepruar. Një veprim ka gjithashtu pasoja ligjore për shtetet anëtare në fjalë. Ministrat janë njohur si me përgjegjësitë ashtu edhe me pasojat ligjore.”

Zyrtari i tha këto pas një takimi me ministrat e mjedisit të nëntë vendeve që përballen me veprime ligjore për shkak të problemeve të cilësisë së ajrit, duke përfshirë ekonomitë më të mëdha të bllokut Gjermaninë dhe Francën.

Ai shtoi se ndërkohë që vendet dhanë disa sugjerime gjatë takimit, standardet e cilësisë së ajrit do të shkeleshin edhe pas 2020-s, nëse nuk do të ndërmerreshin masat e reja.

Vella nënvizoi se vendet anëtare kanë kohë deri javën e ardhshme për të përmirësuar propozimet e tyre.

KE-ja mund t’i çojë vendet në gjykatën më të lartë të Europës nëse shkelin ligjin e BE-së.

Komisioni vlerësoi se 400 mijë njerëz vdesin çdo vit si rezultat i ndotjes së ajrit dhe objektivat e paraqitura për vitin 2005 dhe 2010 janë ende duke u tejkaluar në 23 nga 28 vendet e BE-së.

Agjenisa e lajmeve ekonomia,  31.01.2018