Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përdorimi i gazit, marrin fund problemet me energjinë

Përdorimi i gazit në Shqipëri, në ndryshim nga vendet e Europës, do të jetë kryesisht në fillim për çështjen e gjenerimit të energjisë elektrike, për të krijuar balancën e nevojshme ndërmjet hidros, që është e kushtëzuar nga moti dhe burimeve të sigurta të gjenerimit të energjisë, sikurse është aktualisht në fazë teknike i përfunduar TEC-i i Vlorës ose rehabilitimi i TEC-it të Fierit që së bashku mund të arrijnë kapacitete të konsiderueshme. 
Faza e dytë është menduar të jetë përdorimi i gazit në industrinë e madhe, siç është ajo e çelikut, e çimentos, e materialeve të ndërtimit, ndërsa si fazë e tretë, në ndryshim nga Europa Veriore dhe Qendrore, por në ngjashmëri më të madhe me Europën Jugore, siç është Greqia etj., do të kalojë për përdorimin familjar që do të jetë një fazë e mëtejshme, pasi aktualisht në qoftë se në Europën e Veriut kur thua “dimër” nënkupton gaz, domethënë është jetesë dhe mbijetesë, në Shqipëri çështjet e ngrohjes janë pak më ndryshe.
Nga llogaritë që janë bërë në fazën e parë kemi vlerësuar një konsum nga 0,4 deri në 0,6 bcm ose 400 milionë deri në 600 milionë, sepse mendohet, për shembull, që vetëm TEC-i i Vlorës në gjendjen siç është tashmë me rreth 100 megavat kapacitet, mund të kërkojë deri në 140 milionë metra kub në vit, gjithnjë në qoftë se ai do të punojë në kuptimin normal teknologjik gjatë vitit dhe po kështu në qoftë se do të vihet në punë, flasim gjithmonë, për me gaz që në TEC-in e Vlorës do të ketë edhe dy blloqe të tjera me nga 100 megavat, duke shkuar në 300 megavat. Kështu mund të jetë edhe TEC-i i Fierit, që mund të jetë nga 150 deri në 200 megavat. Pra, kjo sasi e madhe do të jetë në fillim me këto. Po kështu është llogaritur industria e çelikut, “KURUM”-i kërkon një sasi të caktuar.
Kjo marrëveshje tripalëshe në kuptimin institucional është paraprirë nga nënshkrimi i një memorandumi trepalësh ndërmjet ministrave të Jashtëm të tri vendeve, Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, në fund të muajit shtator të vitit të kaluar në Nju Jork. Gjatë kësaj faze janë zhvilluar jo thjesht diskutime, por edhe shumë procese të karakterit institucional dhe juridik ndërmjet kompanisë “TAP AG”, që do të ndërtojë projektin dhe vendeve pjesëmarrëse në këtë projekt.
Krahas kësaj marrëveshjeje trepalëshe, është miratimi nga entet rregullatore të tri vendeve i kërkesës së kompanisë “TAP AG” për përjashtimin nga aksesi i palës së tretë të këtij projekti, për sa i përket çështjes së operimit të transportimit të gazit, njëkohësisht edhe i disa kërkesave të tjera që ka paraqitur kompania, gjë e cila është bërë në konsultim jo vetëm me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, ku Shqipëria është vend anëtar, ose palë kontraktuese, por edhe me Komisionin Europian. Ky dokument i nënshkruar nga tre entet rregullatore dhe kompania TAP është depozituar pranë Komisionit Europian.

Zbatimi i projektit të TAP-it

Zbatimi i projektit të TAP-it i ofron Shqipërisë mundësi furnizimi me gaz të lirë. Investimi që do të kryhet në Shqipëri përmes zbatimit të këtij projekti llogaritet mbi 2 miliardë dollarë dhe gjatë ndërtimit dhe funksionimit të tij do të punësohen mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë. Ndërtimi i gazsjellësit do të zgjasë katër vjet dhe pas përfundimit do të transportojë 10 milionë metër kub gaz. Projekti është parashikuar që të transportojë dyfishin e kësaj sasie. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, drejtori i Përgjithshëm, Kjetil Tungland, falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen teksa shtoi se projekti TAP do të hapë vende të reja pune.
Gazsjellësi TAP është një projekt me rëndësi strategjike për kontributin ekonomik e zhvillimor për vendin tonë, por edhe për gjithë rajonin. Ky projekt, veçanërisht për Shqipërinë, paraqet mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë, përmes gazifikimit të vendit. Shteti shqiptar, i përfshirë në negociata intensive me konsorciumin TAP, është angazhuar për të krijuar lehtësi në zbatimin e projektit, duke krijuar lehtësitë ligjore dhe infrastrukturore për projektin. Gazsjellësi Trans Adriatik do të sjellë gazin natyror nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, në Europën Perëndimore.

Furnizim me gaz për tregjet europiane

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt gazsjellësi për gazin natyror. Gazsjellësi do të transportojë gazin nga fusha e Shah Deniz-it në Azerbajxhan nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes detit Adriatik në Italinë Jugore dhe më tej në Europën Perëndimore. Projekti ka si qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit dhe larmishmërinë e furnizimit me gaz për tregjet europiane. TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridorin Jugor të Gazit për në Europë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga deti Kaspik. Projekti është hartuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 miliardë metër kub normal në vit.
TAP parashikon edhe një rrjedhje fizike të kundërt deri në 80 për qind, si dhe mundësinë e zhvillimit të depozitave të gazit natyror në Shqipëri, për të përforcuar më tej sigurinë e furnizimit gjatë ndonjë ndërprerjeje operative të shpërndarjeve të gazit. TAP-i po pret që të përzgjidhet si zgjidhja e preferuar e transportit të gazit nga konsorciumi i Shah Deniz në Azerbajxhan në vitin 2013. Pas marrjes së vendimit përfundimtar të investimit për gazsjellësin dhe të gjitha miratimet e nevojshme, TAP-i do të fillojë ndërtimin e gazsjellësit (parashikohet në 2015), e kalimit të tij në Shqipëri, u identifikua gjatë studimeve të gjera të përcaktimit të rrugës së kalimit të gazsjellësit në vitet 2009-2012. Në veçanti, vëmendje e veçantë iu kushtua shmangies së mjediseve natyrore të ndjeshme.

Aksionerët e kompanisë TAP AG

Dy nga aksionerët kryesorë të kompanisë “TAP AG” janë kompania norvegjeze “Statoil” dhe kompania gjermane “Eon Rurgaz”. Kompania norvegjeze ka disa dhjetëra mijëra kilometra tubacione të ndërtuara nëndetare, pasi ajo është pronare, në njëfarë mënyre e burimeve të gazit në Detin e Veriut, të cilat lidhin vendburimet me konsumatorët deri në shpërndarje.
Në një ndarje pune brenda konsorciumit mendohet, që pjesa detare të ndërtohet nga kompania “7 Oil”, ndërkohë që pjesa tokësore i është lënë kompanisë “Jon Rurgaz”. Si pjesë e këtij projekti afër bregdetit në zonën e Fierit, në Komunën e Topojës është menduar ndërtimi i një stacioni kompresorësh, siç është dhe një stacion tjetër kompresorësh i planifikuar në zonën e Bilishtit, të cilat janë pjesë të nevojshme teknologjike për të realizuar këtë.

Lidhur me pyetjen për një strategji të re të energjisë për futjen e gazit, praktikisht në marrëdhëniet që ka ndërtuar shteti shqiptar dhe qeveria shqiptare me kompaninë realizuese TAP është parashikuar, që kjo kompani do t’i asistojë institucionet e qeverisë shqiptare, konkretisht Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për përgatitjen e masterplanit të gazifikimit të Shqipërisë.

Gazeta Rilindja Demokratike, 26.06.2013