Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albchrome drejt rritjes se prodhimit dhe eksportit te kromit

Eksportet e prodhimeve shqiptare kanë vijuar performancën e tyre pozitive nga fillimi i vitit, duke u rritur me 17.2% me bazë vjetore për periudhën janar-mars dhe në vlerën 53.2 miliardë lekë. Ndikim mjaft pozitiv jep eksporti i mineraleve, mes të cilave, kromi. Eksportet e mineraleve dhe lëndëve djegëse u rritën në këtë periudhë në 47% ose në 23.4 miliardë lekë.
Eksportet e kromit pritet të vijojnë rritje dinamike në muajt në vazhdim, pasi kompania “AlbChrome”, që ka në koncesion minierën e prodhimit të kromit, ka vënë në punë furrën e dytë elektrike në Uzinën e Ferro-Kromit në Elbasan. Me vënien në punë të furrës “AlbChrome” dyfishon prodhimin e ferro-kromit në vend, rrjedhimisht dhe eksportin, pasi uzina po dyfishon prodhimin e ferro-kromit deri 3000 ton/ muaj.
Investimet në këtë industri, si pjesë e planeve të grupit “Balfin” për zhvillimin e “AlbChrome” dhe rritjen e prodhimit të ferro-kromit, jo vetëm që rritën mundësinë për përpunimin e mineralit nga minierat e kromit për “AlbChrome”, por edhe nga minierat e tjera.
Burime zyrtare nga “AlbChrome” thonë se në planet e investimit të Uzinës së Ferro-Kromit në Elbasan është hapja e furrës së tretë, që përveçse do të rrisë kapacitetin prodhues, do të mundësojë diversifikimin e produktit, sikurse edhe prodhimin e ferro-kromit me karbon të ulët. “Në këtë mënyrë, rritet konkurrueshmëria e kompanisë me produktet që ofron në tregun ndërkombëtar”, thanë burimet.
Prodhimi pritet të shtohet më tej, pasi “AlbChrome” ka nisur punën për të hapur travenbankun e Klosit, të thellojë dhe zgjerojë minierën në Bulqizë, me ndikim direkt në rritjen e prodhimit të mineralit të kromit. Vetëm nga hapja e sektorit të Qafë Buallit pritet të rritet me 30.000 tonë/vit prodhimi i kromit.
Strategjia e kompanisë synon hapjen e minierës në thellësi, një investim prioritar, që pritet t’i shtojë jetëgjatësinë minierës për të paktën 20 vite të tjera si dhe për të arritur një prodhim vjetor deri 80.000 tonë .
Ky investim sjell jo vetëm eficencë në koston operative për heqjen e ujërave, transportin e mineralit, por përmirëson sigurinë në punë, pasi ul rrezikun e përmbytjes së minierës nga ujërat. “AlbChrome” synon të vërë në punë edhe Impiantin e seleksionimit në Klos, që do të pasurojë mineralet e varfra, për të cilat ka treg shumë të ulët në eksport.

www.index.al, 14.06.2013