Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritja ekonomise kineze kushtezohet nga piku i qymyrit

Richard Heinberg, shkëputur nga libri “The end of growth”. 
Oreksi i Kinës për burime dhe lëndë të para po rrit çmimet botërore të një game të gjerë artikujsh, përfshirë të naftës, bakrit, pambukut, çimentos dhe sojës. Por për ekonominë kineze ndoshta burimi më i rëndësishëm është qymyri. Në fakt, nuk e teprojmë nëse themi se fati i ekonomisë kineze varet nga aftësia e saj për të ruajtur furnizimin në rritje të qymyrit.

Kina prodhon 80% të elektricitetit dhe 70% të energjisë së saj nga qymyri; qymyri mbështet industrinë e çelikut në Kinë, e cila është më e madhja në botë. Kina është një nga vendet më të varura nga qymyri në botë. Që të bëhet ekonomia e dytë më e madhe në botë i është dashur të më shumë se dyfishojë konsumin e qymyrit në dekadën e kaluar, kështu tani po konsumon pothuaj gjysmën e qymyrit të përdorur globalisht, dhe pothuaj trefishin e qymyrit të konsumuar në vendin e dytë konsumator, SHBA (e cila mburret se është “Arabia Saudite e qymyrit”).

Eksperti i energjisë në Kinë David Fridley dhe unë kemi argumentuar në një editorial të fundit në revistën Natyra, se ndërkohë që Kina pretendon të ketë mjaftueshëm qymyr për të vazhduar rritjen ekonomike, ky pretendim është i dyshimtë.

Kina ka azhornuar së fundmi të dhënat e rezervave të provuara të qymyrit në 187 miliard tonë kub, duke e vendosur të dytën pas SHBA-së si prodhuese. Kjo është ekuivalente me 62 vjet konsum qymyri me ritmet e konsumit të vitit 2009 (mbi 3 miliard tonë në vit). Por kjo llogaritje e thjeshtë e jetëgjatësisë është çorientuese.

Të dhënat e jetëgjatësisë së rezervave llogariten duke marrë parasysh kërkesë të pandryshuar dhe humbasin kuptimin nëse kërkesa rritet me kalimin e kohës. Konsumi i qymyrit në Kinë po përshpejtohet shumë, kështuqë 62 vjetët duhet të korrigjohen për poshtë. Parashikimet e kërkesës nga Instituti i Kërkimeve Energjitike në Kinë ulin jetëgjatësinë e rezervave në 33 vjet; por nëse kërkesa për qymyrin do të rritej me të njëjtat hapa si rritja e ekonomisë kineze, jetëgjatësia e rezervave do të ulej në vetëm 19 vjet. .

Megjithatë kjo prapë nuk jep gjithë kuadrin. Prodhimi do të arrijë pikun dhe do të pakësohet shumë kohë përpara se qymyri i Kinës të shterojë përfundimisht. Më tej, njësoj si me prodhimin e naftës, nxjerrja e qymyrit ndjek parimin “më i miri nxirret i pari” apo parimin e “frutave të ulëta”, pra prezumojmë se Kina po nxjerr qymyrin e saj më të mirë, që aksesohet më lehtë sot, dhe po lë qymyrin me cilësi më të ulët dhe që nxirret më shtrenjt për më vonë. Ndryshe nga SHBA, Kina nuk ka depozita të mëdha sipërfaqësore të qymyrit; mbi 90% e qymyrit të Kinës vjen nga miniera nëntokësore me thellësi deri në 1000 metra, dhe këto minera përballen me sfida inxhinjerike në rritje.

Analiza hubertiane, e cila është përdorur për të parashikuar piqet e prodhimit të naftës mund të përdoret dhe për të parashikuar prodhimin e ardhshëm të qymyrit. Në vitin 2007, akademikët kinezë Tao dhe Li parashikuan se prodhimi kinez i qymyrit do të arrinte pikun dhe pastaj do të pakësohej ndoshta duke filluar që nga 2025. Parashikime të tjera janë më pesimiste. Një analizë e vitit 2007 nga Grupi Vëzhgues i Energjisë (Energy Watch Group) në Gjermani parashikon një pik prodhimi në vitin 2015 me një pakësim të shpejtë të prodhimit duke filluar nga 2020.

Kurse një studim i vitit 2010 nga Patzek dhe Croft parashikon pikun e prodhimit botëror të qymyrit këtë vit (2011); ata gjithashtu mendojnë se qymyri i Kinës arrin pikun tani.

Kina ka pak alternativa për pakësimin e vartësisë së saj nga qymyri, sepse ky ka shumë përdorime. Përveç përdorimit për elektricitet dhe në industrinë e çelikut, qymyri siguron nxehtësi në dimër për qindra miliona persona në Kinën veriore; qymyri gjithashtu përdoret në industrinë e çimentos, të metaleve joferrorë dhe në industritë kimike. Ndërkohë që Kina po zgjeron me shpejtësi prodhimin e saj të gazit natyror, që të zëvendësohet vetëm qymyri për ngrohje do të nevojitet dyfishimi i konsumit të gazit.

Kina po zhvillon me shpejtësi burime alternative të energjisë. Por a mund të zhvillohen këto me shpejtësi të mjaftueshme që të sjellin ndryshim të ndjeshëm? Le të bëjmë llogaritë. Kina kërkon të ketë 100 gigavat (GW) kapacitet energji ere deri në vitin 2020, dhe udhëheqësit e vendit planifikojnë të zgjerojnë kapacitetin e instaluar të energjisë diellore në 20 GW brënda të njëjtës periudhë. Këto janë objektiva mahnitëse dhe nëse Kina do të arrijë sikur vetëm tu afrohet atëhere ajo do të bëhet udhëheqësi botëror i energjisë së rinovueshme. Por ka një problem. Kapaciteti total i Kinës për prodhimin e energjisë elektrike aktualisht është 900 GW; me rritje prej 7 % kjo do të thotë se kërkesa e vendit për energji elektrike në vitin 2020 do të jetë rreth 1800 GW. Energjia e erës dhe e diellit së bashku do të furnizonin vetëm 7% të nevojave. E vetmja gjë që mund të rritë përqindjen konsiderueshëm është një pakësim dramatik në rritjen e kërkesës për energji në të themi 2% në vit.

Situata me energjinë bërthamore është e ngjashme: Kina tani ka 11 centrale bërthamore dhe është duke ndërtuar dhe 20 të tjera, me një objektiv kapaciteti prodhues prej 60 GW, apo diçka më shumë, deri në vitin 2020. Por kjo do të sigurojë vetëm 3-5% të konsumit total të energjisë elektrike, në varësi të rritjes së kërkesës për energji. Në fund të vitit 2010, politikbërësit e politikave energjitike në Pekin duket se filluan të vënë re problemin e furnizimit me energji elektrike dhe pati zëra për përpjekje të reja për të ndërtuar deri në 245 uzina të reja bërthamore në dy dekadat në vijim (SHBA ka vetëm 104 në total). Nëse ky objektiv i ri është i vërtetë, dhe nëse Kina arrin ta realizojë, një % e mirë e kërkesës së re për elektricitet në vitet në vijim mund të arrihet nga burime të ndryshme nga qymyri-por Kina gjithsesi do të ketë një vartësi të madhe (megjithëse në rritje më të ngadaltë) nga qymyri. Ndërkohë kërkesa në rritje e Kinës për uranium do të rriste çmimet botërore për këtë mineral të energjisë.

Në vitin 2009 Kina ishte një importuese neto e madhe e qymyrit, ndërkohë që deri në vitin 2008 kishte qenë një eksportuese neto e tij. Kina mund të importojë më shumë qymyr që të mundësojë rritjen, por eksportuesit më të mëdhenj të qymyrit-Australia, Indonezia, dhe Afrika e Jugut-kanë rezerva dhe ritme prodhimi shumë më të vogla. Tregëtia detare e qymyrit të avullit (që përdoret kryesisht nga termocentralet) aktualisht është vetëm 630 milion tonë në vit, dhe Kina mund ta konsumojë këtë vetëm brenda 3 vitesh me rritje të vazhdueshme në kërkesën për qymyr. Megjithatë kjo nuk do të ndodhë: dhe vende të tjera kanë nevojë për atë qymyr të eksportuar-përfshirë Indinë, edhe kjo një ekonomi e bazuar mbi qymyrin, si dhe një vend që po importon gjithmonë e më shumë burime energjie. .

Konkluzioni është shqetësues por i pashmangshëm: Vartësia e Kinës nga qymyri nuk mund të pakësohet ndjeshëm për sa kohë kërkesa e saj për energji elektriike vazhdon të rritet me ritmet aktuale. Edhe nëse rritja e kërkesës për energji ngadalësohet dhe burime të energjisë së rinovueshme vihen në shfrytëzim me shpejtësi, aftësia e vendit për të prodhuar qymyr të mjaftueshëm në vend do të jetë në rrezik. Kjo do të rrisë çmimet e qymyrit në gjithë botën, dhe do të mbysë rritjen ekonomike në Kinë. Ekonomia e Kinës, e varur nga energjia, është e paqëndrueshme dhe do të ndalojë së rrituri në të ardhmen e afërt dhe do të sjellë pasoja dhe në vendet e reja gjatë këtij proçesi.

Përktheu: Rita Strakosha – EKO Levizja, 13.06.2013