Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

AlbChrome fillon punimet për hapjen e traverbankut Klos-Bulqizë

Ditën e premte 24 maj, në Shëngjun të Klosit, është organizuar ceremonia për fillimin e punimeve në traverbankun Klos – Bulqizë. Edhe ky projekt, ashtu si hapja e furrës së dytë në Elbasan, është pjesë e planit të investimeve për rigjallërimin e kompanisë AlbChrome pas blerjes nga ana e Grupit Balfin. Traverbanku Klos – Bulqizë do të realizojë transportin e mineralit të kromit nga miniera në impiantin e përpunimit nëpërmjet një rrjeti nëntokësor hekurudhor, duke ulur ndjeshëm kohën dhe shpenzimet e transportit. Gjithashtu hapja e traverbankut shmang mundësinë e përmbytjeve nga uji të galerive të minierës nga niveli i pestë e sipër.

Ceremonia për fillimin e punimeve në traverbankun Klos – Bulqizë u organizua në hyrjen e tyre në Shëngjun, shumë pranë impiantit të përpunimit të kromit. Të pranishëm në ceremoni, përveç drejtuesve të lartë të AlbChrome dhe të Grupit Balfin, ishin edhe punonjës të kompanisë, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, përfaqësues të pushtetit vendor në Klos, Bulqizë dhe Burrel, drejtues të shoqatës së minierave, partnerë të AlbChrome në realizimin e këtij projekti, etj.
Hapja e traverbankëve është një investim prej rreth 2.4 milion dollarësh dhe do të zhvillohet në dy faza. Gjatë faza së parë parashikohet vënia në punë e tranverbankut numër 1 që ka si objektiv zgjidhjen e problemit të ujrave duke reduktuar mundësinë e pëmbytjes së minierës dhe lehtësimin e ajrimit. Investimi për fazën e parë arrin vlerën e 1.4 milion dollarëve dhe do të jetë funksional brenda një kohe të shkurtër. Në fazën e dytë parashikohet vazhdimi i hapjes së tranverbankut me qëllim transportin nëpërmjet tij të mineralit për në impiantit e seleksionimit të kromit në Klos.
Duke i falenderuar pjesëmarrësit në këtë ceremoni administratori i AlbChrome, z. Luan Saliaj, tregoi për rëndësinë që ka hapja e traverbankut Klos – Bulqizë. “Për AlbChrome nisja e punimeve për realizimin e traverbankut shënon fillimin e një tjetri investim të rëndësishëm që ka si qëllim rritjen dhe zhvillimin e kompanisë. Ne duam që në një kohë sa më të shkurtër ta rikthejmë AlbChrome në nivelet më të larta dhe ta shndërrojmë në përfaqësuesen më të denjë të eksporteve shqiptare në botë. Duke ju përmbajtur planit tonë të investimeve, shumë shpejt parashikohet fillimi i punimeve që do t’i sigurojnë jetëgjatësinë minierës së Bulqizës që është në pronësi të kompanisë sonë. Gjithashtu brenda muajit qershor presim vënien në punë të Impiantit të Përpunimit të Kromit në Klos si edhe jemi në proçes planifikimi për hapjen e sektorit të Qafëbuallit.”
Në ceremoni foli edhe drejtori i minierës së Bulqizës, z. Medat Zogu, i cili përveçse falenderoi të pranishmi u shpreh optimist për vënien në punë të traverbankut në një kohë shumë të shkurtër. “Tunelet e traverbankut do të sigurojnë lidhjen thuajse organike midis minierës së Bulqizës dhe impiantit të përpunimit në Klos duke shkurtuar ndjeshëm kohën dhe shpenzimet e transportit dhe duke siguruar më shumë punë për punonjësit tanë. Kam besim që ky project do të përfundojë në një kohë më të shkurtër se ajo që kemi parashikuar” tha ai në mbyllje të fjalës së tij.
Ky është një investim kompleks pasi parashikon të plotësojë disa funksione dhe jo vetëm transportin e mineralit drejt impiantit të Klosit duke shmangur ngritjen e tij nga puset deri në sipërfaqe në kuotën +820 metra dhe më tej transportin me rrugë toksore nga Bulqiza në Klos. Traverbanku, sipas përllogaritjeve të inxhinierëve të AlbChrome, do të mundësojë uljen e kostove të përdorimit të energjisë elektrike në minierë. Jo vetëm kaq, por do të realizohet edhe manaxhimi i ujrave që vijnë nga miniera për të arritur në prodhimin e energjisë elektrike të pastër dhe që pashikohet që të mbulojë deri në masën 29% të energjisë së nevojshme për minierën që AlbChrome ka në pronësi në Bulqizë. Hapja e traverbankut do të shmangë përmbytjen duke mundësuar që ujrat e minierës, deri në nivelin e pestë, të kalojnë me vetërrjedhje të kontrolluar në Klos. Përveç sigurimit maksimal nga përmbytja hapja e traverbankut do të përmirësojë cilësinë e ajrimit të minierës duke rritur mundësitë për ajrim natyral të ambienteve. Gjatë hapjes së traverbankut do të bëhet edhe studimi gjeologjik i zonës.
AlbChrome, pas blerjes së aksioneve nga Grupi Balfin, po aplikon një plan investimesh në të gjitha asetet e kompanisë që kanë si qëllim rritjen e efiçensës së kompanisë duke rritur prodhimin, përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e mundësive për më shumë vende pune për komunitetet lokale. Që kur AlbChrome u ble nga ana e Grupit Balfin është rritur efiçenca në të gjitha hallkat e prodhimit duke bërë që prodhimi i mineralit të kromit të rritej me rreth 10%. Brenda katër muajve të parë u arrit dyfishimi i prodhimit të ferrokromit nëpërmjet vënies në punë të furrës së dytë në Elbasan. Tani Shqipëria mund të prodhojë dhe ekportojë deri në 3’000 ton ferrokrom në muaj.
Strategjia e AlbChrome për rritjen e prodhimit përpunimit në vend të kromit si edhe rritjen e prodhimit të ferrokromit nuk përmirëson vetëm bilancin tregtar të vendit duke rritur eksportet (ferrokromi eksportohet 100% jashtë vendit) por edhe krijon vlerë të shtuar për ekonominë e vendit në tërësi.
Industria kromit në Shqipëri i ka fillimet e saj në vitin 1948.
Deri në vitin 2005 në Shqipëri janë prodhuar rreth 24 milion ton krom në vit, ndërsa pas vitit 2005 prodhimi i kromit ka rënë ndjeshëm në rreth 220’000-250’000 ton krom në vit.
Në vitin 2001 Miniera Bulqizë bashkë me disa objekte të tjera si Uzina Ferrokromit Burrel, Fabrika e Pasurimit Bulqizë dhe Impianti Seleksionimit Klos iu dhanë në koncesion kompanisë italiane Darfo s.p.a, quajtur ACR Holding srl.
Kompania Darfo s.p.s. ja shiti të gjitha asksionet e ACR Holding srl një kompanie austriake, DCM DECO metal GmbH.
Që në fillim të vitit 2013 Albanian Chrome zotërohet 100% nga Grupi Balfin.

energjia.al, 27.05.2013