Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mima: Së shpejti marrëveshja për gazsjellësin IAP

Së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja mes vendeve nga ku do të kalojë gazsjellësi Joniano-Adriatik. Lajmin e bën të ditur ministri i Ekonomisë, Florjon Mima, në një forum biznesi mes Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Ministri Mima, ka ftuar sipërmarrësit e huaj të investojnë në sektorin energjetik në Shqipëri, duke përfituar nga potencialet e shumta që ofrohen. Veç mundësisë së shfrytëzimit të gazit natyror, ligji për energjinë ofron mundësi të shumta edhe në ndërtimin e veprave që shfrytëzojnë energjinë hidrike.
Ministri boshnjak i Energjisë dhe Minierave, tha se, synohet rritja e bashkëpunimit mes të dy vendeve, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe të turizmit. “Sipërmarrja private e vendit që përfaqësoj është e pranishme në Shqipëri me investime të shumta. Së shpejti, kompania Energoinvest do të përfundojë ndërtimin e linjës së transmetimit në Jug të Shqipërisë, një investim që arrin në rreth 30 milionë euro.
Ne jemi të interesuar për rritje të bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, plotësimin e nevojave mes vendeve me produkte karakteristike dhe rritjen e numrit të turistëve në të dy vendet”, tha Trhuj. Në forumin e përbashkët, merrnin pjesë rreth 60 biznese boshnjake që kërkojnë të investojnë dhe të rrisin bashkëpunimin me Shqipërinë. Rritjen më të lartë të shkëmbimeve tregtare me vendet e CEFTA, Shqipëria e ka pasur me Bosnje Hercegovinën. Para hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ishte thuajse inekzistent.

TV Scan, 21.05.2013