Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Brazili dhe nafta: Një superfuqi në ndërtim e sipër

Kërkesat e mëdha në ankandet për të drejta eksplorimi këtë muaj treguan për një gjallëri të madhe të industrisë së kërkimit dhe nxjerrjes së naftës në vendin amerikanojugor që po bëhet vend i rëndësishëm prodhues energjie për planetin.

Pas pesë vitesh jo të mira, sektori i koncesioneve të naftës dhe gazit në Brazil po lulëzon sërish. Më 14 maj, autoriteti kombëtar ANP dha me sukses në ankand 142 blloqe në 11 fusha naftëmbajtëse, qoftë në tokë ashtu edhe në det, zona që besohet se mund të kenë deri në 35 miliardë fuçi naftë.

Por blloqet në basenin verilindor Parnaiba dhe ato që gjenden pranë zbulimeve të gazit të kohës së fundit në grykëderdhjen e lumit Amazon, tërhoqën garë të ashpër. Në total, 12 kompani vendëse dhe 18 të huaja paguan 2.8 miliardë reais, (1.4 miliardë dollarë) për të drejtat e eksplorimit, duke thyer një rekord të shënuar në vitin 2007 kur një ankand i ngjashëm arkëtoi 2.1 miliardë reais.

“Petrobras”, gjiganti i naftës i kontrolluar nga shteti, fitoi disa blloqe vetëm dhe disa blloqe të tjera të partneritet me “BP” nga Britania dhe “Total” nga Franca, duke përfshirë një bllok të rëndësishëm për të cilin konsorciumi pagoi 346 milionë reais, një rekord tjetër. OGX, një kompani braziliane e themeluar nga Eike Batista, një tajkun minierash dhe energjie, konkurroi gjithashtu rëndë. Apo pagoi 377 milionë reais për 13 blloqe, përfshirë edhe shumë blloqe në basenin Parnaiba, ku kompania sakaq po prodhon gaz.

OGX ishte e dëshpëruar për perspektiva të reja: Ajo ka humbur 90 për qind të vlerës së vet tregtare pasi u detyrua të pranojë vitin e kaluar se zonat e saj naftëmbajtëse në brigjet e Rio de Zhaneiros qenë më pak produktive nga sa ishte shpresuar.

MPX, një kompani tjetër e Batistës, do të përfitojë nga zhvillimi pasi po ndërton një kompleks të madh centrali elektrik me gaz pranë fushave të Parnaibës.

“Petromanas”, kompania shtetërore malajziane e naftës, mori pjesë në garë por nuk fitoi asgjë.

Kur “Petrobras” zbuloi një burim të stërmadh pré-sal ose “poshtë kripës” ku mund të gjenden ndoshta 100 miliardë fuçi naftë pranë brigjeve të Rio de Zhaneiros më 2007-n, Brazili dukej sikur do të bëhej kufiri më joshës i naftës në botë. Por zbulimi shkaktoi edhe “nacionalizmin e burimeve”. Qeveria ndaloi ankandet, ndërsa rishkroi rregullat e koncesioneve. Ligjet miqësore me tregun që i lejonte të gjitha firmat (publike, private apo të huaja) të konkurronin në kushte të barabarta, u zëvendësuan me një ligj që e bëri “Petrobras” operatorin e vetëm të fushatës pré-sal megjithëse kompanitë e tjera mund të marrin paketa aksionesh financiare.

Bllokimi vijues u shkaktua nga politikanët që po grindeshin mbi mënyrën se si duhej të ndahej renta minerare, (taksat mbi xhiron e krijuar nga shfrytëzimi i burimeve natyrore). Shtetet që nuk kishin naftë apo gaz kërkonin gjithsesi të merrnin një pjesë. Rio de Zhaneiro kërcënoi se do të rikuperojë paratë që do t’i merreshin për të paguar shtetet që nuk kanë naftë, duke rritur ndjeshëm koston e licencave mjedisore për kompanitë që veprojnë në zonën e saj. Qeveria federale donte të zgjidhte këto probleme para se të rifillonte ankandet. Por më herët këtë vit, grindja përfundoi në Gjykatën Supreme dhe qeveria e humbi durimin.

Këtë rast nuk pati blloqe nën kripë në ofertë për ankand. Por qeveria shpreson të shesë disa paketa prej tyre nga fundi i këtij viti si dhe disa zona argjilore premtuese. Pasi shiti bonde me vlerë 11 miliardë dollarë më 13 maj, “Petrobras” duket e gatshme të përballet me sfidën e të qenët operator i vetëm.

Për të zhvilluar depozitat, të cilat janë në ujëra shumë-shumë të thella dhe të groposura nën shkëmbinj me një shtresë të trashë kripe, do të nevojiten oqeane të tëra me para. Vendimi i qeverisë për të mbajtur çmimet e naftës të ulëta për të luftuar inflacionin dhe për të detyruar “Petrobras” të favorizojë furnizuesit vendorë, e ka vënë kompaninë nën vështirësi ekstra.

Pjesëmarrja e fortë në ankandet e kësaj jave ka hequr frikën se kompanitë e huaja mund të humbasin interesin për Brazilin.

Por ndërsa Brazili u mor me diskutimet se kush do të shfrytëzojë naftën poshtë kripës dhe se si duhet të ndahen fitimet, nafta dhe gazi në zonat argjilore në SHBA e kanë zëvendësuar burimin poshtë kripës si lajmi më interesant i botës sa i përket energjisë.

“Rio mund të ishte bërë zonja e industrisë së naftës tani”, thotë Adriano Pires, një konsulent energjie në Rio. “Ne humbën një mundësi të artë për të tërhequr investime dhe për të krijuar vende pune”. Sipas vlerësimeve të tij, Brazili ka humbur rreth 20 miliardë reais në pagesa të paarkëtuara për të drejta eksplorimi si pasojë e bllokimit politik.

Gazeta Shqip, 21.05.2013