Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Naftëtarët, letër të hapur Berishës mos u merr me shkulje veshësh

Një grup naftëtarësh, të pushuar nga puna në vitin 2010, kanë sjellë në redaksi një letër të hapur në vëmendjen të opinionit publik, kryeministrit dhe institucioneve shtetërore. Ata venë në dukje se janë trajtuar në shkelje të ligjeve. Sa më poshtë, vijon letra integrale e tyre:

Kryeministri Sali Berisha ka treguar shumë herë se vlerëson shumë kërkesat nga njerëz të ndryshëm, edhe kur ato i mëson nëpërmjet celularit. Do të ishte shumë pozitive sikur të ishte e vërtetë që ai të merakosej për të zgjidhur problematikat e shumta që ngrenë qytetarët në lidhje me punën. Nuk rezulton të jetë kështu në rastin e ish-naftëtarëve të dëbuar nga puna në vitin 2010.

Ne dëgjojmë vazhdimisht nga goja e tij të thuhet se jemi të punësuar e na janë rritur pagat; na janë krijuar mundësi të reja punësimi pasi qeveria e tij ka në vëmendje përparësore qytetarët; pensionistëve u është rritur pensioni, etj si këto. Në këtë mënyrë, po na kërkohet të pranojmë gjëra që nuk ekzistojnë. Në të vërtetë, situata është e kundërt me këtë.

Ne jemi një numër i madh naftëtarësh, që na kanë përzënë nga puna pa shkak nga administrata e Albpetrolit e në vendi tonë janë marrë punonjës të tjerë, ndërkohë që na është ndërprerë çdo lloj pagese e trajtimi ligjor, ndërkohë që na kanë zvogëluar edhe masën e pensionit që del në bazë të punës së bërë më shumë se 20 për qind, për shkak se na detyruan të aplikojmë para kohe, për të mbijetuar.

Për mënyrën e padrejtë të dëbimit tonë nga puna dhe trajtimin në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, i jemi drejtuar edhe vetë kryeministrit, veç institucioneve të tjera shtetërore, jo me një mesazh nga një qytetar i vetëm, por me pesë materiale të hollësishme në emër të rreth 1.300 ish-punonjësve, Materialet e datave 30 qershor 2011, 2 maj 2012, 7 shtator 2012, 3 tetor 2012 dhe 13 mars 2013 janë pranuar nga institucioni i Kryeministrisë dhe, ndonëse kemi bërë edhe protesta me megafon në dorë para këtij institucioni, për asnjerin prej tyre nuk na ka ardhur qoftë edhe një përgjigje e vetme.

Nuk marrim vesh se kush e ka penguar kreun e qeverisë të realizojë komunikimin normal me qytetarët e këtij vendi që kanë një hall jetik, me qytetarët, për të cilët ai përbetihet se “janë të parët”, janë “sovranët”, etj. Ndërkohë, nuk pranon as t’i dëgjojë denoncimet e tyre për shkelje të Kushtetutës, kodeve e ligjeve, siç është rasti i ndërprerjes flagrante të kontratës së punës, me humbje të favoreve nga vjetërsia në punë, me një pushim të kryer në shkelje të së drejtës që buron nga Neni 18/1 i Kushtetutës.

E dëgjuam kryeministrin të fliste edhe për gatishmërinë e tij për të votuar në çdo kohë tre ligje që “pengojnë” integrimin tonë në BE. Urojmë edhe ne që këto ligje të votohen e të miratohen sa më parë, por mbi të gjitha kërkojmë zbatimin e tyre dhe kthimin e tyre në llafe në erë, siç po ndodhe edhe me Kushtetutën apo Kodin e Punës, i cili, për koincidencë, është dekretuar nga z.Sali Berisha, ish-president i Republikës.

Ky Kod është shkelur e shpërfillur nga një Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 275 datë 26.04.2010, që mban sërish nënshkrimin e z.Sali Berisha, kryeministër aktual i vendit. Kjo tregon se, kur ja lypin interesat e kampit të tij politik, Berisha shkel e shpërfill edhe atë që ka pranuar vetë më parë. Por, në rast se ai nuk ka dëshirë të zbatojë ligjet e këtij vendi, të paktën të mos lejohet të tallet me qytetarët. Në fakt, ai i ka të gjitha kompetencat ligjore për zgjidhjen e hallit tonë, thjesht po të zbatojë ato që ka miratuar e firmosur vetë më parë.

Po dëgjojmë të padëgjuara lidhur me një komision parlamentar që është ngritur posaçërisht për një “hall” të madh që ka zënë qeverinë me një shkulje veshi larg Shqipërisë. Nuk jemi kundër asnjë lloj komisioni apo shqyrtimi të çështjeve shqetësuese, por me të vërtetë indinjohemi kur dëgjojmë se mazhoranca shqetësohet për gjëra të tilla e nuk gjen asnjë sekondë kohë që të merret me zgjidhjen e hallit të kaq shumë familjeve, që kanë një hall real.

Atyre nuk u kanë shkulur veshin, po u kanë futur kokën në baltë, i kanë lënë pa të ardhura, u kanë katandisur një thelë edhe pensionet. Që nga data 14 janar e këtij viti, në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvend është dërguar nga Avokati i Popullit një material me titull “Informacion lidhur me kërkesën e naftëratëve të larguar nga puna në vitin 2010, si pasojë e ristrukturimit të shoqërive “Albpetrol” Patos, “Uzina Mekanike e Naftës” Kuçovë dhe “Uzina e Naftës” Patos”.

Informacioni njofton deputetët lidhur me mosmbajtjen e një qendrimi zyrtar nga ana e ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që të ushtrojë kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore për të propozuar pranë Këshillit të Ministrave ndryshimin e VKM nr. 275, datë 26.05.2010 “Për ristrukturimin e shoqërive tregtare me kapital shtetëror” me qëllim përfitimin e shpërblimit të vjetërsisë në punë të naftëtarëve të larguar nga kompania “Albpetrol” në vitin 2010.

Ja vlen të theksohet këtu se ka qenë vetë kompania në fjalë që, me anë të dokumentit të saj nr. 4637 Prot., datë 13.11.2012, i ka propozuar METE-s të mundësojë dhënien e këtij shpërblimi. Asgjë konkrete nuk ka dalë as edhe nga ai komision i Kuvendit të Shqipërisë, të paktën deri në këto momente.

Shkulja e diskutueshme e një veshi duket se na qenka shumë më preokupuese për qeverinë dhe deputetët e mazhorancës se sa dhuna konkrete, e pastër dhe e qartë, që u është bërë në sy të të gjithëve 1.300 punonjësve, duke i dëbuar me forcë nga vendet e punës, pa ndodhur realisht mbyllje e vendeve të punës ku ata punonin, ndërkohë që u kanë hequr edhe të drejtën e shpërblimit normal sipas ligjit për vjetërsi në punë, që u takon për mundin e disa dekadave.

Shqyrtimi i këtyre halleve duhet të përbënte urgjencë parësore dhe jo tema “ja shkuli, “s’ja shkuli”. Shkuljet e veshëve janë të papërfillshme, krahasuar me heqjen e bukës nga goja, zoti kryeministër! Ju po mbroni të drejtën e një shtetasi të vetëm për të mos u dhunuar, por neglizhoni shkeljen e të drejtës për të jetuar denjësisht nga puna e vet. Në Nenin 18/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet se “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”. A ka të drejtë parlamenti ta shkelë këtë normë, të miratuar nga ai vetë?

Kështu, zoti kryeministër, para se të na tregoni dhjetë herë në ditë në të gjithë ekranet e televizioneve rëndësinë që ka miratimi i ligjeve për shqiptarët, uluni e respektoni ligjet që tashmë janë të miratuara, për të zgjidhur problemet reale të ngritura mbi baza ligjore! Ne kërkojmë më këmbëngulje që me çështjen tonë të merren seriozisht Kuvendi, qeveria, ministritë përkatëse, në mënyrë që të kuptojmë, ne, familjet tona, fëmijët tanë, ndërkombëtarët, se në këtë vend mbrohen të drejtat e të gjithë qytetarëve, jo vetëm të disave, se këtu trajtohen të gjithë njëlloj, punëtorë e diplomatë, pinjollë të familjeve me emër apo qytetarë “anonimë”, që kanë kontribuar pa u ndier për atë rritje ekonomike që ju e trumbetoni me të madhe sa herë që bie rasti.

Ndryshe, hiqeni vetë atë “ornament” që vendoset pa pikë të drejte në çdo sallë gjyqi në Republikën e Shqipërisë “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, se vetëm sa acaron nervat e atyre që u shkelen vazhdimisht të drejtat themelore të njeriut.

Gazeta Shqiptarja.com, 07.05.2013