Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zjarr në Sukth, digjet një depozitë nafte, 13 zjarrfikëse ‘luftë’ me flakët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mesditën e sotme rreth orës 11:00 pranë depozitave të naftës në Sukth. 13 automjete zjarrfikëse nga Durrësi, Tirana dhe Lezha, dhjetëra forca zjarrfikëse dhe të Policisë së Shtetit, si dhe komuniteti i banorëve të zonës kanë punuar për më shumë se 3 orë për të vënë në kontroll flakët e zjarrit, që rrezikonte edhe banesat e fshatit Sallmone në Sukth.

ZJARRFIKËSIT LOKALIZOJNË FLAKËT
Ora 15:58 – Forcat zjarrfikëse të mbështetura nga struktura të tjera dhe komuniteti i banorëve kanë shmangur përhapjen e flakëve, pas zjarrit që ra sot në mesditë pranë depozitave të karburantit në fshatin Sallmone, 12 km larg Durrësit. Autoritetet konfirmojnë se tashmë situata është vënë në kontroll dhe nuk ka asnjë rrezik për përhapjen e flakëve. Aktualisht po punohet për të ftohur me ujë depozitat që rrezikonin të përfshiheshin nga flakët.

SITUATA NË KONTROLL, PO PUNOHET PËR SHUARJEN E VATRËS SË FUNDIT
Ora 14:55- Pas 3 orësh, duket se 13 zjarrfikëset që punuan për të shuar flakët kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll. Nga vendngjarja raportohet se ka mbetur vetëm një vatër e vogël e pashuar. Bëhet me dije se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej 700 km.

LOKALIZOHET ZJARRI NË SUKTH
Ora 14:32- Për më shumë se 3 orë e gjysmë ka vazhduar lufta me zjarrin e rënë në karburantin e SMT-së në Sukth. Nga të dhënat e fundit bëhet me dije se rreth orës 14:30 zjarri është lokalizuar, duke larguar rrezikun për përhapjen e zjarrit në një depozitë tjetër. Mësohet se 13 zjarrfikëse vazhdojnë punën në vendngjarje.

VAZHDON LUFTA ME FLAKËT, NUK RAPORTOHET PËR TË LËNDUAR
Ora 14:00- Nga vendngjarja raportohet se vazhdon ‘lufta’ me flakët, ndërsa forca të shumta zjarrfikësish, policia dhe autoambulanca ndodhet në vendngjarje. Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e ndërhyrjes së shpejtë me maskat kundragaz. Nuk raportohet për persona të lënduar, por mësohet se zjarri po avancon.

RREZIKON TË DIGJET NJË DEPOZITE E DYTE
Ora 13:42- Korrespondentja Klodiana Haxhiaj nga vendngjarja bën me dije se intensiteti i zjarrit vazhdon të jetë i lartë, ndërkohë që rrezikon që flakët të përfshijnë edhe depozitën e dytë.

DILAVER TEPELENA: SITUATA SHQETËSUESE, POR NËN KONTROLL
Ora 13:30- Në një komunikim për News 24, Dilaver Tepelena sekretari i Prefekturës së Durrësit bëri me dije se situata nga zjarri është “shqetësuese, por nën kontroll”.

BANORI I ZONËS: BANESAT 50 METRA NGA ZJARRI
Ora 13:29- Një banor i zonës në një lidhje telefonike për News 24, sqaron situatën e krijuar nga zjarri i rënë në zonën e Maminasit.

“Kanë shpërthyer flakët rreth orës 11:00, shpërtheu një bot, u alarmua e gjithë zona, zjarrfikësit kanë ardhur pak me vonesë, rreth orës 11:20, por tani janë duke bërë punën e vetë, zjarrfikësit kanë mbërritur në orën 11:e 20. Banesat nuk janë prekur, nuk ka të dëmtuar në njerëz por largësia është rreth 50 metra.

www.balkanweb.com, 20.04.2013