Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investitorët e Huaj publikojnë rekomandimet: Si të zgjidhen problemet që ne kemi në Shqipëri

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) prezantoi të mërkurën në Tiranë, botimin “Libri i bardhë” që paraqet problematikat kryesore që bizneset e huaja dhe vendase ndeshin në Shqipëri, por për herë të parë jep rekomandime për zgjidhjen e tyre.
Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi, Drejtore e Agjensisë së Investimeve të Huaja, Eneida Guria, si dhe përfaqësues të qeverisë dhe forcave kryesore politike në vend.
Ambasadori i BE-së, Sequi tha se vazhdimi i reformave dhe luftimi i korrupsionit do të ndihmonte më shumë Shqipërinë në thithjen e investimeve të huaja, gjë që do të sillte edhe rritjen e punësimit në vend.
“Bashkimi Europian ka insistuar gjithmonë në bërjen e reformave, të cilat janë një faktor kyç për të hapur negociatat për pranimin e Shqipërisë në union. Jam shumë i inkurajuar nga botimi i librit të bardhë, një iniciativë kjo të cilën e konsideroj të rëndësishme e cila fton të gjithëve të bashkëpunoni në mënyrë më konstruktive. Ne do të vazhdojmë t1ju mbështesim edhe në të ardhmen për iniciativa të tilla. Ne sëbashku do të punojmë për të pëmrirësuar klimën e biznesit” tha Sequi.
“Megjithë përpjekjet e shumta që janë ndërmarrë në 20 vitet e fundit, vendi ka ende nevojë për përmirësim të klimës së biznesit, plotësim të reformave në fusha kryesore dhe forcim të institucioneve në përgjegjësi dhe sidomos në sistemin gjyqësor”, deklaroi drejtore e FIAA-s, Marinela Jazoj.
Sipas saj, ky botim është një kontribut serioz në drejtim të përmirësimit të një sërë fushash me rëndësi, pasi propozon rekomandime përkatëse për çdo fushë interesi.
FIIA beson se këto rekomandime të edicionit të parë të “Librit të Bardhë 2013″ do të pranohen gjerësisht dhe do të ndikojnë pozitivisht për përmirësimin e klimës së biznesit, e cila është një domosdoshmëri.
“Ne besojmë se duke punuar drejt një mjedisi të përmirësuar biznesi do të inkurajojmë investitorët të investojnë kursimet e tyre dhe do të sigurohen kushtet për të tërhequr investitorë të rinj, duke çuar kështu drejt një punësimi më të madh për shqiptarët dhe duke përmirësuar rritjen ekonomike në vend”, tha Jazoj.
Libri i bardhë i rekomandimeve ekonomike për një klimë të më të mirë të biznesit i është adresuar qeverisë dhe partive politike për ta konsideruar atë si një pikë referemi për reformat ekonomike.

Revista Monitor, 10.04.2013