Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Riaktualizohet nisma për ndërtim minihidrocentralesh në Lepenc

Kompania “Hidroenergji” është vënë në lëvizje në përpjekjen e saj të dytë për t’i ndërtuar 2 minihidrocentrale në lumin Lepenc, në pika që gjenden në territoret e komunave Kaçanik dhe Han i Elezit. Një nismë e mëhershme  qe penguar nga Qeveria e Kosovës, madje pas vënies së gurit themeltar për ndërtimin e minihidrocentraleve më 2008. Komiteti i Politikës dhe Financave i KK të Kaçanikut, të premten, e ka pasur në agjendë kërkesën e “Hidroenergjisë” për shpalljen zona me interes të përgjithshëm të ngastrave nëpër të cilat është paraparë të shtrihen tubat nga vepra e marrjes së ujit deri te hidrocentralet. “Firma ‘Hidroenergji’-Ferizaj, tashti në pronësi të firmës ‘Eurokos sh.p.k’-Prishtinë, i ka marrë të gjitha obligimet dhe zotimet për ripërtëritjen e pëlqimeve dhe lejeve për investime në hidrocentralin ‘Lepenci 3’, i cili do të ndërtohet në territorin e Kaçanikut dhe të hidrocentralit ‘Lepenci 1’, që do të ndërtohet në territorin e Hanit të Eezit, një pjesë e tubave të të cilit do të kalojnë nëpër zonat kadastrale të Kaçanikut”, thuhet në kërkesën e “Hidroenergjisë” që ia ka bërë KK të Kaçanikut për shpalljen me interes të përgjithshëm të sipërfaqeve nëpër të cilat do të shtrihen tubat. KPF-ja, ndërkaq e ka hequr kërkesën e “Hidroenergjisë” nga agjenda e seancës së radhës të KK-së me arsyetimin se ajo nuk është shoqëruar me materiale përcjellëse nga ekzekutivi komunal. Anëtarët e KPF-së kanë deklaruar se në parim janë që investimi të realizohet, por kanë kërkuar të kenë informacione për sipërfaqet publike dhe private që do të eksproprijohen. Një nismë e mëhershme e “Hidroenergjisë” për ndërtimin e 2 minihidrocentraleve në lumin Lepenc qe penguar nga Qeveria e Kosovës, madje pas përurimit të punimeve. Më 13 maj 2008 i qe vënë guri themeltar ndërtimit të 2 minihidrocentraleve në lumin Lepenc me kapacitet prej 18,5-megavatësh. Në cereminë e organizuar në Doganaj të Kaçanikut, qe thënë se ndërtimi i hidrocentraleve “Lepenci 1” dhe “Lepenci 3” është investim i përbashkët i kompanive “Hidroenergji”, me seli në Prishtinë, dhe “Interenergo” nga Lubjana. Investitorët patën theksuar se ndërtimi i minihidrocentraleve do të zgjaste 18 muaj, ndërsa do të punësoheshin 70 veta. “Ne e përkrahim projektin tuaj, sepse është në kuadër të politikave tona zhvillimore”, u pati thënë investitorëve kreu i atëhershëm i Ministrisë së Mjedisit…, Mahir Jagxhillar, pasi pati nënvizuar se ministria “e tij” mbështet projektet për prodhimin e energjisë elektrike nga uji, ajri dhe dielli. Nisja e punimeve për ndërtimin e minihidrocentraleve qe bërë me hedhjen e nga një lopate me beton në themelet e “Lepencit”, nga Mahir Jagxhillar, Xhabir Zharku, kryetar i Komunës, Antonio Papezh, përfaqësues i “Interenergos”, dhe përfaqësuesit e “Hidroenergjisë”, Ismet Brajshori e Sahit Vokshi. Ndërtimi i këtyre 2 minihidrocentraleve qe ndaluar nga Qeveria e Kosovës.

Gazeta Koha Ditore, 23.03.2013