Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndryshohet perseri Ligji i Naftes & Gazit

LIGJ Nr. 12/2013 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Kudo në ligj emërtimi “Inspektorati Qendror Teknik” zëvendësohet me emërtimin “Inspektorati Shtetëror Përgjegjës”.
Neni 2
Në nenin 23 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Organi shtetëror, i specializuar për kontrollin e veprimtarisë së personave juridikë, të ushtruar në përputhje me dispozitat e këtij ligji, është Inspektorati Shtetëror Përgjegjës, që funksionon dhe varet nga ministri përgjegjës për hidrokarburet. Ky inspektorat mbështetet në kryerjen e funksioneve të tij nga laboratorë të akredituar për fushën dhe testet përkatëse. Këta laboratorë mund të jenë pjesë e këtij inspektorati ose jashtë tij. Për çdo rast testimi, duhet të ruhet fshehtësia e mostrës.”.
2. Paragrafi i katërt i pikës 2 ndryshohet si më poshtë:
“- Kryerjen e analizave në laboratorët e akredituar, referuar në pikën 1 të këtij neni, për sasitë e importuara, para zhdoganimit, për sasitë e prodhuara në vend, si dhe për kontrollin periodik të detyrueshëm të tregut të brendshëm.
Shpenzimet për kontrollin e cilësisë përballohen nga vetë subjektet vetëm për rastin e futjes në territorin Republikës së Shqipërisë, në vlerën që caktohet nga ministri përgjegjës për hidrokarburet, ndërsa për rastet e tjera zbatohen rregullat e parashikuara në ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.”.
3. Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. Inspektimi për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore bëhet në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për inspektimin.”.
Neni 3
Në nenin 25 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me dënim kryesor me gjobë dhe, sipas rastit, edhe me një ose disa dënime plotësuese, të përcaktuara në pikat 2.1 dhe 2.2 të këtij neni.”.
2. Paragrafi i dytë i nënndarjes “ii” të shkronjës “j” ndryshohet si më poshtë:
“ii) Masat urgjente, dënimi kryesor me gjobë dhe dënimet e tjera plotësuese jepen nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës.”.
3. Pas pikës 2.2 shtohet pika 2.3 me këtë përmbajtje:
“2.3 Inspektorati Shtetëror Përgjegjës, sipas nevojave të rastit, vendos marrjen e masave urgjente, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për inspektimin.”.
4. Shkronja “a” e pikës 3 shfuqizohet.
5. Në shkronjën “b” të pikës 3, numri “90” zëvendësohet me numrin “100”.
6. Pika 4 ndryshohet si më poshtë:
“4. Shqyrtimi, marrja e vendimit përfundimtar dhe ankimi ndaj vendimit të inspektoratit bëhen në përputhje me ligjin për inspektimin. Ekzekutimi i këtyre gjobave bëhet sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.”.
Neni 4
Dispozitë kalimtare
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 14.2.2013
Shpallur me dekretin nr. 7971, datë 1.3.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani