Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Afaristë britanikë të interesuar për Trepçën

Një delegacion i zyrtarëve të lartë të Mbretërisë së Bashkuar i përbërë nga kryetari i Grupit Parlamentar Britanik për Kosovën, Sir Tony Baldry, pastaj ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, si dhe afaristë nga kompani të njohura britanike, kanë vizituar të mërkurën ndërmarrjen Trepça në Mitrovicë, me ç’rast kanë biseduar për sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo ndërmarrje, por edhe mundësitë për investime dhe për një ristrukturim të themeltë të saj.
U.d. i menaxherit të Trepçës, Halil Qela, pasi ka prezantuar një pasqyrë të shkurtër të historikut të kësaj ndërmarrje në të kaluarën, ka thënë se Trepçës duhet hapur rruga për t’u zhvilluar dhe fuqizuar sa më shpejt, që të jetë në funksion të ekonomisë së vendit.
Sipas tij, që të ndodh kjo, ndërmarrja duhet të lirohet nga disa pengesa juridike, siç është moratoriumi dhe çështja e kreditorëve, problemet sociale, mjedisore etj.
“Ndërmarrja Trepça i ka të gjitha predispozitat për t’u zhvilluar, sepse ka rezerva të konsiderueshme minerale, minatorë të kualifikuar dhe ekip të mjaftueshëm inxhiniero-teknik”, ka thënë Qela.
Ai ka potencuar se investimet dhe krijimi i një partneriteti publik-privat janë shumë të nevojshme për një zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të Trepçës.

Portali Telegrafi, 13.03.2013