Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Italianet rrisin prezencen, hapet zyra e Rajonit Friuli-Venezia-Giuglia

Ministri: Hapja e zyrës në bashkëpunim me “FINEST”, i rëndësishëm për promovimin e investimeve italiane.
Zv. Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Haxhinasto në ceremoninë e përurimit të Zyrës Ndërkombëtare të Rajonit Friuli-Venezia-Giuglia.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Zyrës Ndërkombëtare të Rajonit Friuli-Venezia-Giuglia, njëkohësisht Zyrë e Institucionit Financiar “FINEST S.P.A” që investon e financon kompanitë italiane të rajoneve të Tri-Venetos, për të investuar në Evropën Lindore. Në ceremoni morën pjesë ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Massimo Gaiani, Drejtori i “FINEST S.P.A” z. Renatto Pujatti dhe delegacioni i rajonit Friuli-Venezia-Giuglia.
Z. Haxhinasto tha se prania e investitorëve italianë në Shqipëri dëshmon se “tregu shqiptar është atraktiv” dhe se “vendi garanton investimet e huaja”. “Fakti që një rajon i tillë përfaqësohet dhe hap një zyrë për të promovuar interesat e biznesit dhe investitorëve në Shqipëri është tregues i qartë se Shqipëria vazhdon të jetë destinacion shumë i rëndësishëm i investimeve italiane, që përveçse interesit aktual, shoqërohet me historitë e suksesit të shumë investitorëve të tjerë që kanë ardhur qoftë nga ky rajon, qoftë nga rajone të tjera të Italisë”- tha zoti Haxhinasto.
Ministri shtoi se hapja e zyrës në bashkëpunim me “FINEST”, shumë i rëndësishëm për promovimin e investimeve italiane “tregon që sytë e shumë investitorëve italianë që kanë parë Europën Lindore si vend atraktiv, tani po kthehen edhe nga Shqipëria, veçanërisht duke parë potencialet e mëdha që ka tregu ynë”.
Ministri theksoi se arsyet janë të shumta: “Së pari për faktin se tregu shqiptar është i qëndrueshëm, në rritje të vazhdueshme dhe ka potenciale të jashtëzakonshme si në aspektin e resurseve natyrore, mundësive për biznes dhe resurseve humane që ofron”.
Ministri renditi sektorët bazë të bashkëpunimit ekonomik si energjetika, ai minerar, i ndërmarrjeve të vogla e të mesme, por edhe turizmi dhe bujqësia.
Me rëndësi sipas tij, është fakti që Shqipëria ka pasur trend shumë të qëndrueshëm të tërheqjes së investimeve të huaja, krahasuar me situatën ekonomike të shumë vendeve, qofshin fqinjë të saj. Sipas ministrit, “kjo tregon që rritja ekonomike në Shqipëri është në baza të shëndosha dhe kështu do të vazhdojë të jetë në të ardhmen”.
Incentivat që janë ofruar nga qeveria, garantoi ministri, do të qëndrojnë e përpunohen, që “investitorët e huaj ta shohin tregun shqiptar si shumë të preferuar krahasuar me tregjet e tjera të vendeve në rajonin tonë, edhe më tej, krahasuar me vende të tjera të Afrikës apo të Lindjes së Largët”. Z. Haxhinasto shtoi se “investimet e huaja janë një domosdoshmëri, një themel i rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe për punësimin e qytetarëve shqiptarë”.
Më poshtë fjala e plotë e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto
“Është një kënaqësi e veçantë për mua që të jem këtu sot për inagurimin e kësaj zyre, për promovimin e investitorëve italianë të këtij rajoni kaq të rëndësishëm për Italinë dhe Europën në Shqipëri.
Fakti që një rajon i tillë përfaqësohet dhe hap një zyrë për të promovuar interesat e biznesit dhe të investitorëve në Shqipëri është një tregues i qartë se Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion shumë i rëndësishëm i investimeve italiane, një destinacion, i cili përveçse interesit aktual, shoqërohet edhe me historitë e suksesit të shumë investitorëve të tjerë që kanë ardhur qoftë nga ky rajon, qoftë nga rajone të tjera të Italisë
Dëshiroj të shpreh kënaqësinë edhe në emër të Qeverisë së Shqipërisë, por edhe si ministër i Ekonomisë, për këtë prezencë të këtij komuniteti të rëndësishëm biznesi, të këtij rajoni kaq të rëndësishëm dhe të garantoj se do të bëhen përpjekje maksimale që tregu shqiptar të bëhet akoma më interesant, akoma tërheqës për investitorët italianë, por edhe përtej Italisë
Është gjithashtu një fakt domethënës që kjo përfaqësi, kjo zyrë, hapet në bashkëpunim me një institucion shumë të rëndësishëm për promovimin e investimeve italiane, veçanërisht në Europën Lindore, siç është “FINEST”. Kjo tregon që tashmë sytë e shumë investitorëve italianë që kanë parë Europën Lindore si vend atraktiv, tani po kthehen edhe nga Shqipëria, veçanërisht duke parë potencialet e mëdha që ka tregu ynë.
Sigurisht që arsyet janë të shumta.
Së pari për faktin se tregu shqiptar është i qëndrueshëm, është në rritje të vazhdueshme dhe ka potenciale të jashtëzakonshme si në aspektin e resurseve natyrore, të mundësive për biznes, por edhe të resurseve humane, pra të burimeve njerëzore që ofron.
Sektorët tanë kryesorë të ekonomisë, veçanërisht ata strategjikë, janë një tërheqje e madhe për investitorët e huaj. Flas këtu për energjetikën, flas për sektorin minerar, flas për sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por edhe për sektorë të tjerë që ka vendi, siç është turizmi, siç është bujqësia dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm.
Shqipëria ka pasur një trend shumë të qëndrueshëm të tërheqjes së investimeve të huaja, krahasuar me situatën ekonomike të shumë vendeve, qofshin edhe në fqinjësi të Shqipërisë. Kjo tregon që rritja ekonomike në Shqipëri, është në baza të shëndosha dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen.
Sigurisht që edhe incentivat që janë ofruar nga qeveria shqiptare, do të vazhdojnë të qëndrojnë, të përpunohen më tej, me qëllim që investitorët e huaj ta shohin tregun shqiptar si shumë të preferuar krahasuar me tregjet e tjera të vendeve në rajonin tonë, edhe më tej, duke krahasuar edhe me vende të tjera të Afrikës apo të Lindjes së Largët.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë kështu edhe në të ardhmen, sepse investimet e huaja janë një domosdoshmëri, janë një themel shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe mbi të gjitha për punësimin e qytetarëve shqiptarë.
Dëshiroj sot të shpreh edhe një falenderim për punën e shkëlqyer që bën ambasadori Gaiani në kuadër të një partneriteti strategjik që ka Italia me Shqipërinë, i cili merr më shumë substancë, merr më shumë bashkëpunim veçanërisht në fushën ekonomike.
Gjithashtu edhe që marrëveshja që do të nënshkruhet ndërmjet “FINES”-it dhe “Konfindustria”-s të jetë një hap tjetër i rëndësishëm për të aktivizuar edhe më shumë bashkëpunimin midis të dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike”.

energjia.al, 13.03.2013