Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mjedisi, 17 për qind e territorit zonë e mbrojtur

Shqipëria, ndër vendet e rajonit me nivelin më të lartë të sipërfaqes së zonave të mbrojtura.
Rritja e sipërfaqes së zonave tokësore dhe detare të mbrojtura ka qenë prioritet i politikave mjedisore të qeverisë shqiptare vitet e fundit.
Aktualisht, vendi ka 17% të territorit të shpallur Zonë e Mbrojtur, nga 6%, që ishte në vitin 2005.
Shqipëria është ndër vendet e rajonit me nivelin më të lartë të sipërfaqes së zonave te mbrojtura, ndërkohë që ka ende shumë për t’u bërë në drejtim të mirëmenaxhimit të tyre. Sipas Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ky dikaster asistohet aktualisht për hartimin e planeve të menaxhimit për 10 Zona të Mbrojtura, ç’ka do të ndikojë në mirëmenaxhimin e tyre.
Disa zona të mbrojtura
– Parku Kombëtar Detar ndodhet në rrethin e Vlorës, me sipërfaqe të përgjithshme prej 12 428 ha dhe njëherazi përbën të parën zonë të mbrojtur detare në vendin tonë. Ekosistemi detar pranë Gadishullit të Karaburunit, nga Kepi i Shën Vasilit deri te faqja e Langadhës dhe rreth Ishullit të Sazanit, në një largësi 1852 metra nga vija bregdetare, është zona me vlera të larta të trashëgimisë natyrore. Bota nënujore e parkut është një mrekulli e natyrës dhe e biodiversitetit shqiptar. Ky park detar konsiderohet me larmi të pasur peizazhesh nënujore, habitatesh dhe të llojeve të florës e faunës detare si vendstrehimi, ushqimi e shumimi për një numër të madh llojesh me rëndësi kombëtare, rajonale dhe globale.
– Parku Kombëtar “Dajti” ndodhet në lindje të kryeqytetit të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 3300 ha. Ai ndodhet në pjesën lindore të fushës së gjerë të Tiranës, 26 km në lindje të Tiranës dhe 50 km larg nga Aeroporti “Nënë Tereza”.
Tipike e Parkut të Dajtit është shtrirja e bimësisë me kate. Ky park është një zonë shumë e frekuentuar nga pushuesit ditorë. Ai konsiderohet “Ballkoni natyror i Tiranës”.
– Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”, me një sipërfaqe prej 8000 ha konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare. Parku ndodhet 25-30 km në veriperëndim të qytetit të Bajram Currit. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura, të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe dhe të papritura.
-Parku Kombëtar “Thethi” ka një sipërfaqe prej 2630 ha dhe ndodhet në Alpet e Shqipërisë, pranë Bjeshkëve të Nemura. Ai ndodhet në një distancë 70 km larg qytetit të Shkodrës dhe përshkohet nga lumi i Thethit, me një prurje prej rreth 1000-1300 l/sek dhe është i pasur me troftën e malit. Një pikë mjaft piktoreske dhe mahnitëse është Ujëvara e Grunasit. Për t’u vlerësuar është prania e drurit relikt të lisit. Ky përfaqëson zonën më të populluar të vendit me rrëqebull (linx linx), që konsiderohet specie e rrezikuar.
– Parku Kombëtar “Lura”, me një sipërfaqe prej 1280 ha, shtrihet në faqen Lindore të masivit “Kurora e Lurës”. Mjaft piktoreske këtu janë 14 liqenet akullnajore të Lurës. Në dimër sipërfaqet e tyre ngrijnë. Ndërsa në pjesën jugore të parkut ndodhet “Fusha e Pelave”, që ofron pamje shumë çlodhëse, pasi ka bimësi të larmishme, me lule shumëngjyrëshe të rrethuara nga drurë shekullorë halorë.
– Parku “Mali i Tomorit”, me një sipërfaqe prej 4000 ha, ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Në të ndodhet Mali i Tomorit, që nga larg të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore gjigante. Bukuritë natyrore të Parkut janë evidente në çdo stinë.
– Parku Kombëtar “Pishat e Divjakës” ka një sipërfaqe prej 1250 ha dhe ndodhet 5 km larg qytetit të Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjës. Ky park është njëkohësisht pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë, që ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994. Ky park përbën një nga ekosistemet më të rëndësishme të gjithë vendit, sidomos për faunën e pasur, ku përfaqësuesi më tipik është pelikani kaçurrel, i cili zë rreth 6.4% të popullatës botërore. Këtu ndodhet pika perëndimore e folezimit të këtij shpendi në Europë.
– Parku i Llogarasë gjendet afro 40 km në Juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Afër Qafës së Llogarasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante, në të cilat ndihet ndikimi i korenteve ajrore.
– Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës” ndodhet në Jug të Shqipërisë, në zonën e Frashërit, rreth 35 kilometra nga qyteti i Përmetit, në Verilindje të tij. Parku mund të cilësohet si mushkëria natyrore e Shqipërisë Jugore. Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga bredhi maqedonas, ky park kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora, por dhe në verë ku mund të shijosh freskinë e tij.
– Parku “Qafë Shtama”, me një sipërfaqe prej 2000 ha, ndodhet rreth 25 km në Verilindje të qytetit të Krujës. Në përgjithësi pamja e këtij parku është rrethor dhe mjaft piktoresk. Në këtë park mjaft tërheqës përmendet çezma e “Nënës Mbretëreshë” me ujë shumë të pastër, të ftohtë e kurativ.
– Parku Kombëtar Zall Gjocaj shtrihet në një sipërfaqe prej 140 ha dhe ndodhet afro 40 km në verilindje të qytetit të Burrelit. Në përgjithësi pamja e këtij parku është mjaft piktoreske. Bukurinë ia shton edhe prania e disa burimeve dhe e rrjetit të përroskave.
– Parku Kombëtar “Prespa”, me sipërfaqe prej 27500 ha, është Parku Kombëtar më i madh të vendit. Parku ndodhet në kryqëzimin e kufijve të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Ai përbëhet nga Liqeni i Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël, si dhe pellgu ujëmbledhës i tyre. Kjo zonë është mjaft e pasur me vlera kulturore.
Liqeni i Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël janë përfshirë në Parkun Ballkanik të Prespës, me një marrëveshje të kryeministrave të tre vendeve.
– Parku Kombetar i Butrintit, përfshin një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij Parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra.
– Pika malore e Bizës në rrethin e Tiranës, në Komunën e Shën Gjergjit, ndodhet në një largësi 85 km nga kryeqyteti. Për të shkuar atje ndiqet itinerari Tiranë-Linzë-Qafë Priskë-Qafë Mollë-Bizë.
Ajo është një fushë karstike e ndodhur në skajin Juglindor të Malit me Gropa. Fusha e Bizës shtrihet në lartësinë 1.200 metra mbi nivelin e detit. Ajo është 4 km e gjatë dhe 2 km e gjerë.
– Zona e mbrojtur e Rrajcës ndodhet në rrethin e Librazhdit. Format glaciale ku gjendet Rrajca janë të vendosura në shpatin verior e lindor të malit të Shebenikut, ku gjendet kompleksi i cirqeve akullnajore të Rrajcës. Në këtë cirk akullnajor janë katër liqene akullnajore, të cilët përbëjnë një atraksion natyror për t’u vizituar. Këto liqene kanë një gjatësi mesatare prej 100 metrash dhe një gjerësi mesatare prej 80 metrash. Ato gjenden të vendosura në lartësinë 2.200 metra mbi nivelin e detit.
– Laguna e Kune – Vainit, sistem lagunor dhe njëkohësisht zonë e mbrojtur, gjendet në grykëderdhjen e lumit Drin. Këtu ka shumë shpendë ujorë dhe gjenden dy laguna, ajo e Cekës, me sip 235 ha dhe e Merxhanit 77 ha. Surpriza më e këndshme për turistin është ishulli ranor i Kunes, me një sipërfaqe prej 125 ha, në të djathtë të deltës së Drinit. Ishulli i Kunes është i mbuluar me një bimësi të harlisur hidrofile. Në këtë rajon njihen 227 lloje bimësh.
Përsa i takon faunës nga shpendët përmendim rosat e egra, fazanët, qukapikët, karabullakët, çapkat, rosën e madhe krye kuqe etj. Mjafton të themi se, në këtë sistem lagunor gjenden 70 lloje shpendësh, 22 reptilë nga 33 që ka Shqipëria dhe 6 lloje amfibësh nga 15 që ka Shqipëria dhe disa lloje gjitarësh.

Gazeta Rilindja Demokratike, 11.03.2013