Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

IFC-ja, Qeveria Kanadeze dhe Banka Credins mbështesin projektet miqësore ndaj mjedisit në Shqipëri

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, me mbështetjen e Qeverisë së Kanadasë, po ndihmon Bankën Credins të Shqipërisë që të zgjerojë financimet nga ana e saj të projekteve të energjisë së rinovueshme dhe të eficiencës së energjisë, duke nxitur përdorimin efektiv të burimeve dhe uljen e emetimeve të gazit serë.
IFC-ja do të japë një financim prej 10 milion Euro bankës, përfshirë edhe 1 milion Euro nga Programi i IFC-së, Kanada, për Ndryshimet Klimatike. Kjo do ta ndihmojë bankën të japë hua për kompanitë shqiptare të interesuara për investime në teknologji të efektshme nga pikëpamja e energjisë dhe projekte të energjisë së rinovueshme. Kontributi i Qeverisë së Kanadasë ishte thelbësor, duke ndihmuar në bërjen të mundur të paketës së financimit.
“Ky partneritet me IFC-në do të na ndihmojë të marrim një rol udhëheqës në luftën kundër ndryshimeve klimatike në Shqipëri”, tha Artan Santo, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Credins. “Ne besojmë se potenciali për zhvillimin e financimit të energjisë së qendrueshme në Shqipëri është i madh dhe ne synojmë t’u ofrojmë shërbimet tona kompanive që planifikojnë të mbrojnë mjedisin.”
Ministri i Kanadasë për Mjedisin, i nderuari Peter Kent tha, “Sfida globale e ndryshimit të klimës kërkon një zgjidhje globale dhe Kanadaja është krenare të mbështesë përpjekje mjedisore si këto.”
Tomasz Telma, Drejtori i IFC-së për Evropën dhe Azinë Qendrore tha, “Rritja e përdorimit të energjisë së qendrueshme do t’i sjellë Shqipërisë të mira mjedisore dhe ekonomike. Iniciativa jonë pritet t’i ndihmojë kompanitë shqiptare t’i përdorin burimet më me efektivitet, të jenë më fitimprurëse dhe konkurruese, duke  përmirësuar cilësinë e jetës përmes uljes së ndotjes”.
IFC-ja do të ofrojë mbështetje këshillimore për Bankën Credins përmes Programit të Energjisë së Rinovueshme për Ballkanin.  Banka Credins ka qenë gjithashtu një pjesëmarrëse aktive në programin këshillimor të IFC-së për Eficiencën e Energjisë për Familjet në Shqipëri qysh nga shkurti i vitit  2010.
Shqipëria u bë aksionare dhe anëtare e IFC-së në 1991. Portofoli i investimeve të IFC-së në Shqipëri është 223 milion dollarë amerikanë (166 milion euro). IFC-ja po i përqendron investimet e saj në tregjet financiare, energji dhe infrastrukturë. Shërbimet këshillimore të IFC-së në Shqipëri synojnë të përmirësojnë klimën e investimeve, të forcojnë efektivitetin e kompanive të sektorit privat, të rrisin mundësitë për financim dhe të tërheqin pjesëmarrjen e sektorit privat në projekte të infrastrukturës.
Rreth Programit të IFC-së, Kanada, për Ndryshimin e Klimës
Programi i IFC-së, Kanada, për Ndryshimin e Klimës nxit financimin e sektorit privat për projekte të një energjie të pastër. Financimi i Kanadasë për IFC-në për këtë program është pjesë e kontributit të saj të përgjithshëm financiar të fillimit të shpejtë (fast-start financing) për 2010–2011.  Sipas Marrëveshjes së Kopenhagenit, vendet e zhvilluara u angazhuan të japin financime për një fillim të shpejtë prej gati 30 miliardë dollarësh amerikanë për vitin 2010–2012 për mbështetjen e zbutjes së ndryshimeve të klimës dhe përshtatjes në vendet në zhvillim. Si pjesë e angazhimit të Kanadasë për të mbështetur veprimet në lidhje me ndryshimet e klimës në vendet në zhvillim, Kanadaja po kontribuon 1.2 miliardë dollarë kanadezë për financime të reja dhe shtesë e atyre egzistuese në ndryshimet klimaterike gjatë tre vjetëve (fiskalë 2010-2013).
Rreth IFC-së
IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh zhvillimor në botë, i përqendruar ekskluzivisht në sektorin privat. Ne i ndihmojmë vendet në zhvillim të sigurojnë një rritje të qendrueshme përmes financimit të investimeve, mobilizimit të kapitalit në tregjet financiare ndërkombëtare, dhe  ofrimit të shërbimeve këshillimore për bizneset dhe qeveritë. Në vitin fiskal 2012, investimet tona arritën shifrën më të lartë prej më shumë se 20 miliardë dollarë amerikanë, duke e kanalizuar pushtetin e sektorin privat drejt krijimit të vendeve të punës,  nxitjes së novacioneve, dhe trajtimit të sfidave më urgjente të botës për t’u zhvilluar.

energjia.al, 12.03.2013