Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kompania e kërkimit PGS: Naftë e gaz, edhe pranë Korfuzit

Pas kërkimeve disa mujore, kompania norvegjeze e kërkimit të hidrokarbureve, Petrolium Geo Services konfirmon se në Jon dhe Jug të Kretës ka naftë dhe gaz.
Lajmi u publikua nga zëvendëspresidenti i firmës norvegjeze PGS, Svir Stradenes. Sipas tij, “nën det në jug të Kretës dhe në detin Jon ekzistojnë rezerva të mëdha hidrokarburesh”.
Rezultatet e kërkimeve të kompanisë norvegjeze PGS kanë mbërritur në kryeministri, në një dosje sekrete dhe sipas informacioneve, rezultatet vlerësohen si shumë të kënaqshme për qeverinë Samaras. Media greke ka publikuar sot të dhëna nga dosja dhe hartën e ekzistencës së rezervave të naftës dhe gazit nën det.
Sipas këtyre dokumenteve, fushat me interes të veçantë ndodhen pranë ishujve të Jonit, në veri dhe perëndim të ishullit të Korfuzit, ku anija kërkoi gjatë ditëve të para të muajit nëntor, në Paksos, Lefkada, Zakinthos, Kefalonia dhe në Katakolon, zona të cilat janë hulumtuar dendur nga anija norvegjeze dhe janë nënvizuar në hartën e naftës dhe gazit, si të pasura me rezerva të mëdha.
Jashtëzakonisht i rëndësishëm është fakti se kompanitë gjigande e urdhëruan anijen për të kryer kërkime të mëtejshme, gjë që tregon interesin e madh për depozitat e naftës në këto zona. Kompani të mëdha, si ajo amerikane EXXON MOBIL dhe francezja TOTAL janë shprehur shumë të interesuara për dy zona të veçanta në Jon.
Ministri grek i energjisë, Evangelos Livieratos vuri në dukje se “kompania norvegjeze shtoi kërkimet nga programi fillestar me 46%” dhe kjo sipas tij, “do të thotë shumë”. Ekspertët theksojnë se fakti që kompania norvegjeze rriti buxhetin e saj origjinal nga 70 mln euro në 100 mln euro, është tregues i interesit dhe perspektivës së mirë.
Sipas të dhënave zyrtare nga qeveria greke,“në vjeshtë do të ketë përfunduar analiza dhe interpretimi i të dhënave dhe në vitin 2014 duhet të jenë përcaktuar territoret ku do të fillojnë shpimet.
Kërkimet për hidrokarbure në Jon dhe Jug të Kretës filluan në nëntor të vitit 2012 dhe para pak ditësh u njoftua zyrtarisht përfundimi i tyre. Kërkimet u zhvilluan në një rreze prej 12.431 kilometra, hapësirë që tejkalon planizimin fillestar.

www.balkanweb.com, 03.03.2013