Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Samaras: ZEE lidhen me energjinë dhe programin e qeverisë

Kryeministri grek Antonis Samaras e vendos në mënyrë të vazhdueshme çështjen e Zonave Ekonomike Ekskluzive në axhendën e qeverisë.
Pak ditë përpara vizitës që do të zhvillojë në Turqi, më 5 Mars, kryeministri grek siguroi se në Ankara do të nxjerrë në pah çështjen e delimitimit të zonave detare, që sipas tij, në thelb përbën shfrytëzimin e burimeve të energjisë.
Duke folur në një konferencë për energjinë, të organizuar nga “International Herald Tribune” në Athinë, Samaras ngriti argumentet ligjore, që sipas tij i japin të drejtën Greqisë për shpalljen e ZEE.
“Qeveria greke nuk do të bëjë lëvizje të nxituar”, siguroi Samaras, por theksoi se çështja e Zonave Ekonomike Ekskluzive dhe shfrytëzimi i burimeve të energjisë, janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me programin e investimeve të qeverisë.
“Në Evropë ka një konsum shumë të lartë të energjisë, por shkallë shumë të ulët të sigurimit të energjisë së vazhdueshme. Prandaj çdo vend anëtar kontribuon në diversifikimin e burimeve. Zbulimi i burimeve të reja që do të rrisin vazhdimësinë e energjisë në gjithë Evropën dhe përmirësimin e saj në vetvete, forcon Evropën si tërësi”, tha kryeministri grek.
Duke dashur të dërgojë një mesazh të qartë ndaj partnerëve europianë, Samaras theksoi se “Greqia qëndron mbi rrugët e furnizimit të Europës me naftë dhe gaz”, duke nënvizuar se “tani që ka gjasa të shumta për ekzistencën e burimeve energjitike në shelfin kontinental grek, roli i Greqisë fuqizohet”. “Secili vend që mund të luajë këtë rol në diversifikimin e burimeve të energjisë, automatikisht forcon edhe rolin e tij gjeostrategjik”, tha kryeministri, duke shtuar se është e qartë që rritja e rolit të Greqisë do të thotë edhe rritje e rolit të Europës.
Më 5 Mars në Ankara do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë Greqi-Turqi. Këshilli i Lartë i bashkëpunimit do drejtohet nga kryeministrat Samaras dhe Erdogan.

www.balkanweb.com, 27.02.2013