Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nga 2014, cdo ndertim me lejen e certifikimit te eficenses se energjise

Kuvendi pritet të diskutojë e miratojë një projektligj të ri mbi eficencën e energjisë, në bazë të të cilit, deri në vitin 2018, Shqipëria duhet të rrisë në nivel kombëtar 9% kursimin e energjisë si një detyrim i vendosur nga BE.
Vendet e BE-së parashikojnë që deri në vitin 2020 të reduktohen 20% emetimet e dioksidit të karbonit dhe të rritet përdorimi i energjisë së rinovueshme.
Burime të ministrisë së Ekonomisë pohojnë se hartimi i ligjit të ri për eficencën e energjisë do t’i shërbejë kursimit të energjisë. Sipas tyre, objektivi kombëtar i kursimit të energjisë do të arrihet përmes shërbimeve energjetike që synojnë rritjen e eficencës së energjisë në sektorë të veçantë të ekonomisë: rezidencialë, shërbimet, transporti, etj.
Të gjitha institucionet, entet publike, shoqëritë pronë publike, do të duhet të nisin veprimet e nevojshme për përmirësimin e eficencës së energjisë, me fokus masa me kosto efektive, që sjellin kursim të madh në një periudhë të shkurtër kohe.
Nevoja për një p/ligj të ri mbi eficencën e energjisë vjen sepse ligji i vitit 2005 nuk gjeti zbatim. Pas miratimit në Kuvend, ligji i ri  pritet të nisë nga zbatimi në 2014, ku për 4 vjet, Shqipëria duhet të kapë vonesën 6-vjeçare për të arritur objektivat që ka përcaktuar BE-ja.
Mosaktivizimi i Fondit për Eficencën e Energjisë gjykohet si një nga shkaqet e moszbatimit të  Ligji për eficencën e energjisë i miratuar në vitin 2005.
Problem kryesor që përbën dhe sfidën më të madhe në shkallë kombëtare është kursimi i energjisë në banesa dhe ndërtesa. Tirana vlerësohet si një nga kryeqytetet me nivelin më të lartë të shpenzimit të energjisë elektrike, që përdoret si burimi kryesor i furnizimit për ndriçim, transport, godina.
Në p/ligjin e ri, bashkitë detyrohen që çdo leje ndërtimi për ndërtesë të re, rinovim të plotë, etj, t’a miratojnë vetëm nëse kërkuesit do të kenë certifikatën e performancës energjetike, që tregon përmbushjen e kërkesave minimale të saj. Neni 12 përjashton nga ky detyrim disa kategori, si ato me vlera të veçanta historike, që përdoren si vende kulti, ndërtesat e përkohshme, ato që përdoren më pak se 25% të kohës gjatë gjithë vitit.
Tirana konsumon shumë energji veçanërisht për godina, transport, ndriçim publik. Ndaj dhe për zhvillimin e qëndrueshëm energjetik të Tiranës, objektivi kryesor është që deri në vitin 2020 të reduktohet me 45% konsumi i energjisë për qëllime ndriçimi dhe ngrohjeje.
Me mbështetjen e një projekti rajonal nga GIZ ku përfshihet edhe Tirana, Bashkia pritet të përfundojë së afërmi   një plan kursimi për energjinë, që përfshin saktësimin e arsyeve të konsumit të lartë të energjisë dhe masat për uljen e tij. Ky objektiv është detyrimi që ka Tirana si pjesë e rrjetit të qyteteve që synojnë të kenë një sistem energjie të qëndrueshme. Shumë shpejt, bashkia e Tiranës do të nënshkruajë Marrëveshjen e Kryetarëve të Bashkive, e cila i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm energjetik të Tiranës, thonë burime të GIZ-it.
Plani i sapomiratuar i ri i urbanistikës merr në konsideratë rritjen e burimeve të energjisë së rinovueshme, krijimin e një qyteti policentrik, me shumë hapësira të gjelbëruara, që lehtëson trafikun, lejon zhvillim të qëndrueshëm, të nxisë kursimin e energjisë, dhe krijon pavarësi më të madhe energjetike.
Këtë filozofi e kanë përqafuar kryeqytete si Zagrebi, Sarajeva, Podgorica, Shkupi, Freiburgu në Gjermani, që njihet si modeli më i mirë dhe në maj, vjet projektit ju bashkua dhe Tirana dhe së afërmi pritet të nënshkruhet marrëveshja mes krerëve bashkiakë.
Aheron Hizmo, ekspert për eficencën energjetike dhe koordinator rajonal i projektit të GIZ-it thotë se qeveritë lokale luajnë rol vendimtar në zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, pasi 80% e konsumit të energjisë dhe emetimeve të CO2 është e lidhur me aktivitetin urban.
“Për karakteristikat e saj unike, duke qenë lëvizja e vetme e këtij lloji që mobilizon aktorët lokalë dhe rajonalë për përmbushjen e objektivave të BE-së, Marrëveshja e Kryebashkiakëve është portretizuar nga institucionet europiane si një model i suksesshëm qeverisjeje në shumë nivele”, shprehet Hizmo.
Sipas tij, politikat për nxitjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë nuk duhet të jenë të shkëputura, pra duhet të bashkërendohen në plan lokal dhe qendror.
Në vitin 2012 sipas ligjit “Për eficencën e energjisë” të 2005-ës nuk u arrit targeti prej 3%, ndaj dhe ekspertë të fushës e vlerësojnë shumë të rëndësishëm procesin e certifikimit të banesave. Në shumë debate publike të organizuara nga GIZ edhe arkitektët pohojnë se, ndonëse procesi i projektimit të godinave detyron marrjen në konsideratë të kodeve të eficencës, ndërtuesit nuk i zbatojnë siç duhet. Pasoja sjell pikërisht normë të lartë të konsumit të energjisë.
Aktualisht në Tiranë ka tre grupe godinash: ndërtuesit pak a shumë marrin në konsideratë këtë çështje; ato që nuk i marrin parasysh (kjo ndodh në zonat periferike); dhe shumë pak ndërtime të reja që kanë zbatuar në ndërtim ruajtjen e energjisë në banesa përmes termoizolimeve.
Nëse në ndërtime do të realizohet një rritje prej 9% në vit të eficencës së energjisë, do të kursehet rreth 20% e energjisë, e barabartë me kursimin e 1.4 miliardë kwh/vit energji elektrike dhe 180 mijë ton nënprodukte të naftës.
Fondi i Eficencës së Energjisë nëse zbatohet, do të sjellë ndikim pozitiv në kursimin e energjisë në sektorin e ndërtimit, ndërsa prodhuesve të energjisë u krijohen mundësi për eksportin e saj.

19.02.2013