Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kalivaç, hidrocentrali fantazmë

Në vitin 1997, Qeveria e asaj kohe i dha një kompanie italiane me emrin beccheti licencën për ndërtimin e hidrocentralit të parë me koncesion në Shqipëri, atë të Kalivaçit. Sipas kontratës vepra me fuqi 93 mega duhet të përfundonte në vitin 2002. HEC-i duhet te prodhonte 350 milionë kilovat orë energji në vit.
Projekti i nisur 16 vjet më parë ka shkelur tre herë afatet ligjore. Në vitin 2000, pasi po përfundonte afati i parë dhe ‘Beccheti’ nuk kishte kryer asnjë pune në terren qeveria rinegocoi kontratën duke vendosur kusht që në projekt të hynte edhe një tjetër investitor, pasi ‘Beccheti’ nuk kishte garanci financiare. Por punimet nuk nisën as këtë herë.
Në 2005-ën në pushtet erdhi Qeveria e re e demokratëve, që paralajmëroi heqjen e koncesionit.
“I kam dërguar një letër gati ultimative firmës për t’i kërkuar të na rikonfirmojë gjithë kapacitetet teknike dhe financiare që ajo ka për ta vazhduar këtë koncesion, në rast të kundërt ne do të detyrohemi të ndërrojmë kontratë”, pati deklaruar Genc Ruli në nëntorin e vitit 2006, në atë kohë ministër Ekonomie.
Kërcënimi mbeti vetëm deklaratë. Ajo që ndodhi ishte një tjetër rinegocim i kontratës, me një tjetër shtyrje afati, këtë herë deri në vitin 2011. Në atë kohë Qeveria pretendoi se e përmirësoi kontraten duke qartësuar përgjegjësitë për secilën palë, me qëllim që ndertimi të mos zvarritej më tej. Shteti mori persiper shpronësimet dhe lejet e digave, ndërsa kompania duhej të kryente investimet ose do t’i hiqej licenca.
Pas rinegocimit ‘Beccheti’ afroi në projekt bankën e njohur gjemane ‘Deutcshe Banka’, e cila bleu 45 për qind të aksioneve të hidrocentralit. Përfshirja e një prej bankave më të njohura në botë, rriti shpresat se më në fund, kalvari i zvarritjeve dhe mashtrimeve që mbanin peng hidrocentralin do të përfundonte. ‘Deutsche Bank” financoi punimet për dy vjet, deri në 2009-ën, por më pas u largua për shkak të problemeve me ‘Beccheti-n’.
Largimi i gjermaneve duket se vulosi përfundimisht fatin e Kalivacit, hidrocentralit të destinuar për të mbetur vetëm një projekt në letër, tashmë edhe problematik. Vitin e kaluar, një kompani nënkontraktore paditi në gjykatë ‘Beccheti-n’ se nuk i ka paguar 2.5 milionë euro për punime që ajo i ka realizuar për llogari të saj, ndërsa prej muajsh kompania nuk po paguan as punonjësit.
“Nuk na japin pagesat, na gënjejnë.Nuk ka punë, nuk ka para dhe nuk e dime se cfare do te ndodhe me ne”, thotë një prej punonjësve.
Tani edhe afati i tretë i koncesionit ka përfunduar dhe sërish nuk ka asnjë përgjegjës. Kalivaci duhet të prodhonte rreth 35 milionë dollarë në vit energji me cmime tregu, një pjesë e të cilave do shkonin në buxhetin e shtetit. Por ky koncesion nuk është rasti i vetëm kur kompani apo investitorë që kanë marrë të drejta ndërtimi mbajnë peng asetet kombëtare. Janë me qindra HEC-e ne koncesion, ndërtimi i të cilave zvarritet duke i shkaktuar ekonomisë humbje të mëdha. Jo vetëm në prodhim energjie, por edhe në punësim dhe të ardhura të munguara në buxhet.
Reagon Beccheti: Akuzat të pavërteta
Në një reagim zyrtar të tij, drejtuesi i grupit Beketi, zoti Francesko Beketi, duke iu referuar kronikës, i quan të pavërteta faktet e paraqitura, të cilat, sipas tij, nuk pasqyrojnë në mënyrë të drejtë realitetin.
Zoti Beketi pretendon, në reagimin e tij, se lajmi dëmton imazhin e tij dhe te grupit që përfaqëson dhe se është i paplotë dhe larg nga e vërteta.
Në reagimin e zotit Beketi nuk përmenden kontratat e lidhura dhe afatet për ndërtimin e hidrocentralit, siç është paraqitur në kronikën e Top Channel.
Gjithsesi, Top Channel do të vijojë të paraqesë në ditët në vijim të gjithë zërat dhe aspektet që lidhen me ndërtimin e këtij hidrocentrali, dhe ka kërkuar edhe nga përfaqësuesit e koncesionarit, që të shprehin qëndrimin e tyre për këtë çështje.

TOP Channel, 19.02.2013

Kalivaçi, punimet jashtë afateve
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka hartuar një raport mbi ecurinë e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të parë me konçension në vend, atë të Kalivaçit.
Në shkresën zyrtare të datës 12 qershor 2012 që i ka dërguar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore del me konkluzionin se kompania konçesionare italiane “Becheti” nuk ka realizuar shumicën e punimeve, në një kohë kur hidrocentrali duhet të ishte në fazën e prodhimit.
“Punimet për ndërtimin e këtij hidrocentrali janë në një fazë të prapambetur për sa i përket ecurisë së tyre. Nga monitorimet periodike që kemi kryer, kemi konstatuar se ecuria e tyre është jashtëzakonisht e ngadaltë. Theksojmë se duke u mbështetur në grafikun e punimeve, ky hidrocentral duhej të ishte në fazën e prodhimit, por ndërkohë nga monitorimi në terren rezulton se nga punimet e evidentueshme, punimet e realizuara janë vetëm punime gërmimi dhe disa mbushje në trupin e digës. Konçesionari ka dërguar situacionet për punimet e realizuara deri më datë 30.10.2009, të firmosura nga mbikqyrësi i punimeve ING. Engjell Cici. Shoqëria nuk raporton për punime të kryera më vonë se kjo datë”, thotë raporti.
Por, ajo që ngre më shumë pikëpyetje lidhur me këtë projekt është fakti, sipas raportit në fjalë, se kompania nuk zotëron një projekt-zbatimi të firmosur nga projektuesi, një tjetër kusht për punimet ky, si edhe nuk ekziston një datë e caktuar për nisjen e punimeve.
“Për këtë HEC kemi në dispozicion një kopje të projekt-zbatimit, por kjo kopje nuk është e firmosur nga projektuesi. Projekt-zbatimi i është kërkuar METE nga ana jonë me anë të shkresës nr. 388, datë 09.02.2011, mbi projektet e zbatimit për HEC-et e miratuara nga METE dhe shkresën nr. 2038 datë 20.03.2012. Këtyre shkresave METE nuk i është përgjigjur”, thotë raporti.
Konçesionari nuk ka sjellë aktin e fillimit të punimeve, vazhdon më tej raporti, por për leximin e grafikut të punimeve, si datë fillimi i këtij grafiku meqënëse konçesionari është pajisur me leje ndërtimi është marrë afati maksimal që parashikon ligji, pra 30 ditë nga zbardhja e kësaj leje.
AKBN thekson se shoqëria italiane ka dërguar proçesverbalin e përfundimit të piketimit më datë 2 shtator 2008, të firmosur nga topografi, drejtuesi i kantierit dhe nga drejtori i urbanistikës së Qarkut të Gjirokastrës, por ky proçesverbal nuk është firmosur nga mbikëqyrësi i punimeve.
Në konkluzionin e raportit, AKBN thotë se në momentin e monitorimit po punohej për rimontimin e impiantit të fraksionit të inerteve, por nuk po punohej për ndërtmin e digës.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se ka kryer kontrolle të herëpashershme, duke vënë në dukje problemet dhe mangësitë e shumta të HEC-të të Kalivaçit, si dhe ka kërkuar nga kompania italiane që t’i vihet në dispozicion dokumentacioni përkatës sa i përket situacioneve të punimeve të kryera, dokumentacioni financiar lidhur me shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit etj, por siç duket edhe në këtë raport të fundit kërkesat e agjencisë nuk kanë gjetur përgjigje.
Në këtë mënyrë, i takonte Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës të shpjegojë zyrtarisht gjendjen e konçesionit të Kalivaçit, gjë të cilën ajo ende nuk e ka bërë.
Këto konkluzione bëhen publike pas kronikës në Top Channel, ku përmes një historiku të shkurtër vërehej se ishin tejkaluar afatet për ndërtimin e hidrocentralit, kontrata konçensionare e të cilit ishte negociuar tre herë.
Herën e tretë, siç pranohet nga letra e vetë përfaqësuesve të “Becheti”, financuesi gjerman “Deutsche Bank” ishte tërhequr nga financimi i projektit për shkak se, siç thotë në letër përfaqësuesi i “Becheti”, banka nuk ishte më e interesuar në energjitë e rinovueshme.
Më parë, “Becheti” dhe firma e njohur italiane e energjisë, “Enel”, kishin nisur një kalvar të gjatë gjyqesh mes tyre, pikërisht për ndërprerjen e marrëdhënies për konçesionin e Kalivaçit. Gjatë kësaj kohe, një nënkontraktor në Shqipëri po ashtu kishte nisur një tjetër proçes ligjor me kompaninë italiane, me pretendimin e mospagesës për punimet e kryera.
Kompania “Becheti” e quajti lajmin të pavertetë, të paplotë dhe që nuk i përgjigjej realitetit, pa sqaruar tejkalimin e afateve dhe punimet e ngadalta. Top Channel iu drejtua përfaqësuesve të kompanisë për sqarimin e pozicionit të tyre, por ata kanë refuzuar të bëjnë komente.

TOP Channel, 20.02.2013