Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Haxhinasto: Sektori minerar impakt të madh në rritjen e punësimit

Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në seminarin me temë “Përgjegjshmëria sociale e koorporatave në industrinë nxjerrëse në Shqipëri” të organizuar nga OSBE, METE dhe Ambasada Kanadeze.
“Gjykoj se vlerësimi i impaktit social në një sektor të tillë, por edhe në përgjithësi në sektorët që garantojnë rritje është një detyrë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për politikbërjen, mirëqeverisjen, por mbi të gjitha është një detyrim i madh para qytetarëve dhe punonjësve shqiptar”, tha ministri Haxhinasto në fjalën e tij.
Duke u fokusuar në performancën e sektorit nxjerrës dhe përpunues të mineraleve, ministri renditi disa tregues pozitiv nga viti i kaluar, të cilët shërbejnë si bazë për të qenë të suksesshëm edhe për vitin në vazhdim.
“Këtë vit ne hymë në një bilanc shumë pozitiv përsa i takon të gjithë aspekteve në industritë nxjerrëse dhe përpunuese në vend. Vitin e kaluar arritëm një rritje të prodhimit vendas me 13% dhe impakti ishte gjithashtu i madh edhe në punësim me rreth 28% më shumë se një vit më parë, ose 10 mijë vende të reja pune”, u shpreh ministri.
Ministri Haxhinasto vlerësoi impaktin social që jep sektori nxjerrës dhe përpunues i minerareve në punësim. “Vlerësimi sa më i mirë i impakteve sociale që japin në këtë sektor vjen në kuadër të një rritje të qëndrueshme e cila ka në tërësinë e saj të gjitha aspektet, atë të efiçencës ekonomike, konkurrueshmërisë, si dhe aspektet e tjera që lidhen me mjedisin, me standardet e punës, pra me të gjithë ato faktorë që garantojnë rritjen e qëndrueshme”- tha z. Haxhinasto.
Sipas ministrit arsimimi profesional dhe kualifikimi janë themelore për efekte pozitive sociale. Por nga ana tjetër Haxhinasto vuri në dukje edhe sfidat që hasen në këtë sektor strategjik për ekonominë shqiptare. “Këto sfida lidhen kryesisht rreth punonjësit dhe qytetarit, por edhe rreth mjedisit dhe përfitimit të komunitetit vendor nga kjo industri dhe nga ky zhvillim”, tërhoqi vëmendjen ministri.
Sipas legjislacionit aktual ¼ e rentës minerare me ligj duhet ti kalojë autoriteteve vendore. Për këtë nënvizoi ministri, mbetet akoma një objektiv që duhet realizuar, veçanërisht në ato zona që kanë intensitet të lartë të këtij sektori dhe ku komuniteti ka edhe më shumë nevojë për të administruar këtë të ardhur të rëndësishme.
Në këtë workshop merrnin pjesë ambasadori i OSBE-së z. Eugen Wollfarth, ambasadori kanadez z. James Fox, Ministri i Mjedisit z. Fatmir Mediu, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta z. Spiro Ksera, etj.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe qeveria kanadeze promovojnë përgjegjshmërinë sociale të korporatave në industrinë nxjerrëse
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ambasada kanadeze organizuan sot, në Tiranë, një seminar për përgjegjshmërinë sociale të korporatave në industrinë nxjerrëse.
Seminari synonte të rriste ndërgjegjësimin e autoriteteve dhe komunitetit të biznesit për nevojën e informimit dhe përfshirjes së komuniteteve vendore në zhvillimin e projekteve të bazuara te burimet natyrore.
“Menaxhimi i burimeve natyrore mund të jetë më i efektshëm dhe i pranueshëm atëherë kur komunitetet janë të përfshira. Komunikimi dhe dialogu janë mjetet e duhura. Mungesa e informimit publik dhe pjesëmarrjes së komunitetit në projektet e zhvillimit do të çonte, pashmangshmërisht, në krijimin e mosbesimit dhe problemeve edhe në projektet më të mira,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth, në veprimtari.
Folës të tjerë kryesorë ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Edmond Haxhinasto dhe ambasadori kanadez, James A. Fox.
Gjatë seminarit, dy ekspertë shqiptarë, të kontraktuar nga Prezenca e OSBE-së, prezantuan një raport të analizës së situatës për tetë kompani kryesore, vendase dhe të huaja, që veprojnë në sektorët e naftës dhe gazit, minierave, prodhimit të çimentos dhe hidrocentraleve.
Seminari është pjesë e veprimtarive të Prezencës së OSBE-së për promovimin e qeverisjes së mirë në Shqipëri.

Fjala e plotë e ministrit Haxhinasto
Është për mua një kënaqësi e veçantë të marrë pjesë në një takim të tillë, për këtë dëshiroj të falenderoj të gjithë organizatorët pasi gjykoj së vlerësimi i impaktit social në një sektor të tillë, por edhe në përgjithësi në sektorët që garantojnë rritje është një detyrë shumë e rëndësishme, është detyrë e domosdoshme për politikbërjen, për mirëqeverisjen, por mbi të gjitha është një detyrim i madh para qytetarëve dhe punonjësve shqiptar.
Sot diskutojmë për një çështje të tillë të rëndësishme si sektori shumë i rëndësishëm dhe strategjik për Shqipërinë si sektori nxjerrës dhe përpunues i minerareve. Mund të flasim këtu për disa të vërteta që i dimë të gjthë, por që dallimet i krijojmë kur vjen puna për zbatimin e tyre. Të gjithë besoj biem dakord, që realizimi sa më i mirë i impakteve ose vlerësimi sa më i mirë i impakteve sociale që japin në këtë sektor vjen në kuadër të një rritje të qëndrueshme e cila ka në tërësinë e saj të gjitha aspektet: aspektet e rritjes, aspektet e efiçencës ekonomike, aspektet e konkurrueshmërisë, aspektet e tjera që lidhen me mjedisin, që lidhen me standarded e punës, pra me të gjithë tërësinë e atyre faktorëve që garantojnë rritjen e qëndrueshme.
Mund të them se në këtë vit ne hymë në një bilanc shumë pozitiv përsa i takon të gjithë këtyre aspekteve në gjithë industritë nxjerrëse përpunuese në vend. Viti i kaluar arriti një rritje të prodhimit vendas me 13% dhe impakti ishte gjithashtu i madh dhe punësimi ishte rreth 28% më i madh se një vit më parë. Por sigurisht ka edhe elementë të tjerë të cilët janë të domosdoshëm për t’u vlerësur për t’u analizuar pasi ekzistojnë akoma sfida për këtë sektor, dhe këto sfida lidhen kryesisht rreth punonjësit dhe qytetarit, por edhe rreth mjedisit dhe përfitimit të komunitetit vendor nga kjo industri dhe nga ky zhvillim.
Trajtimin e këtij problemi ne e kemi bërë duke u nisur që nga aspekti ligjor, që në dokumentat e politikave kjo përqasje është prezente në strategjitë përkatëse, është prezente në mënyrën se si afrontojmë sektorin dhe se si programojmë politikat rritëse në të.
Do të ndalem më konkretisht se çfarë sfidash ka kjo përqasje e re që ne kemi për sektorin përsa i takon impaktit social që ne dëshirojmë të shikojmë dhe që sigurisht të garantojmë. Kjo ka të bëjë së pari me vetë punonjësin. Ta trajtosh punonjësin si përfituesin më të madh të kësaj rritje, gjëja e parë dhe më e domosdoshme është punësimi i tij. Nëse nuk do ta garantojmë realizimin e koalicionit midis rritjes ekonomike të sektorit edhe rritjes së kërkesës për punësim, mendoj se nuk kemi shkuar në drejtimin e duhur. Besoj se në sektorin minerar kjo është realizuar veçanërisht gjatë vitit të kaluar, shifra që dhashë besoj se është shumë evidente për këtë. Kemi një rritje prej 10 mijë të punësuarish në këtë sektor.
Përtej punësimit vjen garancia e punës, vjen gjithçka që lidhet me standardizimin e një pune të qëndrueshme dhe cilësore për punonjësit e këtij sektori. Këtu kemi shumë për të bërë dhe mendoj se ka vend për një monitorim më të mirë të standardeve të cilat në legjislacionin tonë ekzistojnë, në kodet, rregulloret ekzistojnë, por mbetet zbatimi i tyre. Shume themelor, jo vetëm në drejtim të këtij aspekti pra të aspektit të qytetarit, të punësimit, por edhe në kuadrin më të përgjithshëm të rritjes është arsimi profesional dhe kualifikimi i punonjësve. Është një investim që ka jo vetëm impakt në ekonomi, pasi rritet efiçenca e punonjësit, rritet efiçenca e aktivitetit, por ka edhe një impakt të jashtëzakonshëm social për ato arsye që ne të gjithë i dimë, për mundësitë e çdo qytetari të kualifikuar, për një punë më të qëndrueshme, për një rendiment me të ardhura më të larta, sigurisht që impakt ka edhe në familje, por edhe një aspekt shumë i rëndësishëm përsa i takon sigurisë në punë dhe uljes së numrit të aksidenteve të funksionimit sipas një standardi sa më të lartë dhe sa më të qëndrueshëm.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i këtij konstilacioni faktorësh është mjedisi. Jam i bindur që ministri Mediu do flasë më në detaje, por ne e konsiderojmë një pjesë integrale të përqasjes sonë për impaktin social të sektorit. Në aspektin e ruajtjes së mjedisit është një domosdoshmëri veçanërisht në këto industri të cilat mund të krijojnë ndotje, por edhe në aspektin tjetër që ky mjedis, ky ambient duhet rekuperuar, duhet rehabilituar dhe vet industria duhet të jetë kontribuese që të garantojë një ruajtje dhe një prezervacion sa më të qëndrueshëm të këtij ambienti. Besoj se edhe në këtë drejtim politikat jane të duhurat por ka vend për të bërë më shumë.
Një aspekt të fundit që do të përmendja përsa i takon tërësisë së zhvillimit të qëndrueshëm dhe impakteve sociale që ka ky sektor specific është përftimi nga pushteti vendor i rentave sipas legjislacionit në vend, për hir të vërtetës ka patur vështirësi në realizimin konkret të tij. Mendoj se kjo është një punë që duhet bërë, ne e dimë që ¼ e rentës minerare në ligj duhet ti kalojë autoriteteve vendore. Mbetet akoma një detyrë, një objektiv që duhet realizuar në tërësinë e tij, veçanërisht në ato zona që kanë intensitet të lartë të këtij sektori dhe ku komuniteti ka edhe më shumë nevojë për të administruar këtë të ardhur të rëndësishme me qëllim që të garantojë dhe të luaj edhe ky faktor mënyrën që duhet në tërësinë totale të faktorëve të rritjes së qëndrueshme të vendit.

energjia.al, 19.02.2013