Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si do kursehet energjia

Deri në vitin 2018, Shqipëria duhet të rrisë në shkallë kombëtare kursimin e energjisë me 9%. Në pranverë të këtij viti, pritet të miratohet në Kuvend projektligji mbi eficencën e energjisë. Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan kursimi, me anë të të cilit synohet që të ulet shpenzimi i energjisë elektrike.
Tirana vlerësohet si një nga kryeqytetet që ka nivelin më të lartë të shpenzimit të lartë të energjisë elektrike. Përdoret si burimi kryesor i furnizimit për ndriçim, transport, por edhe godina. Detyrimet ndaj BE-së përcaktojnë se deri në vitin 2020, duhet të reduktohen në masën 20% emetimet e dioksidit të karbonit, si dhe të rritet përdorimi i energjisë së rinovueshme. Për këtë është hartuar edhe një projektligj tërësisht i ri, duke qenë se ai i miratuar në vitin 2005 nuk gjeti zbatim, për shumë arsye. Parashikohet që projektligji për eficencën e energjisë të kalojë në Kuvend në pranverën e këtij viti, ndërsa zbatimi do të nisë në 2014. Shqipëria është e vonuar në këtë nismë dhe për një periudhë gjashtëvjeçare do të duhet të nisin efektet. Ekspertët mendojnë se kjo mund të jetë një kohë e pamjaftueshme për të arritur objektivat e përcaktuar nga BE-ja.
Bashkia e Tiranës është duke hartuar një plan kursimi për energjinë, që do të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2013. Është pikërisht ky plan që do të zbulojë se cili është konsumi i këtij qyteti dhe çfarë masash duhet të merren për ta ulur atë. Ky është edhe një detyrim që Tirana ka si pjesë e rrjetit të qyteteve që synojnë të kenë një sistem energjie të qëndrueshme. Shumë shpjet, kjo bashki do të nënshkruajë edhe Marrëveshjen e Kryetarëve të Bashkive, e cila i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm energjetik të Tiranës.
Për drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, edhe plani i sapomiratuar i ri i urbanistikës merr në konsideratë rritjen e burimeve të energjisë së rinovueshme, krijimin e një qyteti policentrik, me shumë hapësira të gjelbëruara, që lehtëson trafikun dhe lejon një zhvillim të qëndrueshëm. Por, zhvillimi urbanistik nuk synon vetëm të nxisë kursimin e energjisë, por të krijojë edhe vende pune të qëndrueshme, mjedis të shëndetshëm, rritje të cilësisë së jetës, konkurrencë më të zgjeruar ekonomike dhe pavarësi më të madhe energjetike.
Ndër qytetet që kanë përqafuar këtë filozofi janë: Zagrebi, Sarajeva, Podgorica, Shkupi, por edhe Freiburgu në Gjermani, që njihet si modeli më i mirë i mundshëm. Ishte pikërisht maji i vitit të kaluar kur Tirana iu bashkua këtij rrjeti, ndërsa pritet që të nënshkruhet marrëveshja mes krerëve bashkiakë.
Ky është një projekt, i cili mbështetet nga GIZ. Aheron Hizmo, ekspert në fushën e eficencës energjetike, koordinator rajonal i projektit GIZ, thotë se qeveritë lokale luajnë rol vendimtar në zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, aq më tepër kur merret parasysh se 80% e konsumit të energjisë dhe emetimeve të CO2 është e lidhur me aktivitetin urban.
“Për karakteristikat e saj unike, duke qenë lëvizja e vetme e këtij lloji që mobilizon aktorët lokalë dhe rajonalë për përmbushjen e objektivave të BE-së, Marrëveshja e Kryebashkiakëve është portretizuar nga institucionet europiane si një model i suksesshëm qeverisjeje në shumë nivele”.
Sipas z. Hizmo, politikat për nxitjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë nuk duhet të jenë të shkëputura, pra duhet të bashkërendohen në plan lokal dhe qendror.
Për këtë qëllim do të shërbejë edhe projektligji i ri për eficencën e energjisë. Ligji i miratuar në vitin 2015 nuk funksionoi dhe kjo, sipas ekspertëve, për shumë arsye, ku ndër të tjera mund të theksohet mosaktivizimi i Fondit të Eficencës së Energjisë.
Edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka deklaruar se hartimi i një ligji të ri për eficencën e energjisë do t’i shërbejë qëllimit të kursimit. Objektivi kryesor është që deri në vitin 2018 të rritet me 9% në shkallë vendi kursimi i energjisë.
“Objektivi kombëtar i kursimit të energjisë duhet të arrihet nëpërmjet shërbimeve energjetike që synojnë rritjen e eficencës së energjisë nëpër sektorë të veçantë të ekonomisë kombëtare, përfshirë sektorët rezidencialë dhe të shërbimeve, sektorin e transportit dhe masa të tjera si ato ndërsektoriale dhe horizontale”, thotë z. Hizmo. Sipas tij, të gjitha institucionet dhe entitetet publike, përfshirë këtu edhe shoqëritë pronë publike, duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përmirësimin e eficencës së energjisë, duke u fokusuar në masat me kosto efektive, që sjellin kursim më të madh në një periudhë të shkurtër kohe.
Me ligjin e ri, bashkia do të detyrohet që çdo leje ndërtimi për një ndërtesë të re dhe/ose për rinovimin e plotë të një ekzistueseje ta miratojë vetëm nëse një certifikatë e performancës energjetike e lëshuar nga personi kompetent do të tregojë se përmbush kërkesat minimale të performancës energjetike. “Neni 12 përjashton nga ky detyrim disa kategori, si ato me vlera të veçanta historike, që përdoren si vende kulti, ndërtesat e përkohshme, ato që përdoren më pak se 25% të kohës gjatë gjithë vitit”.
Megjithatë ka shumë specialistë që shprehen skeptikë për mundësinë e arritjes së objektivit 9%, duke qenë se as për vitin 2012 nuk u arrti targeti prej 3%. Ata vlerësojnë si shumë të rëndësishëm procesin e certifikimit të banesave. Vetë arkitektët pohojnë se, edhe pse procesi i projektimit të godinave detyron të merren në konsideratë kodet e eficencës, ato nuk zbatohen, duke e lënë këtë gjë në ndërgjegjen e ndërtuesve.
Në Tiranë, ekzistojnë tri grupime godinash: ato që pak a shumë i marrin në konsideratë, ato që nuk i marrin parasysh (veçanërisht ato në periferi) dhe një numër shumë i vogël që janë shumë përpara ligjit dhe kanë nivele europiane. Kjo deri diku është një sinjal se arkitektë t shqiptarë, por edhe projektuesit, kanë njohuri. Kjo kulturë mungon tërësisht kur vjen puna te këshillat teknikë të njësive vendore, të cilët nuk kanë aftësitë e duhura.
Por, sipas ekspertëve, ky projektligj trajton një sërë çështjesh që lidhen me interesa të mëdha të shoqërisë. Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i Energjetikës, thotë se gjatë 20 viteve të fundit është importuar energji elektrike dhe nënprodukte të naftës, duke kontribuar në rritjen ekonomike të vendeve të rajonit, në vend që të përdoreshin për vendin tonë.
“20% e eficencës në përdorimin e energjisë, që synohet të arrihet, përkthehet në 1.4 miliardë kilovat orë energji elektrike në vit dhe 180 mijë tonë nënprodukte të naftës. Pra, nëse vizioni strategjik i energjisë sonë do të drejtohej tek eficenca e energjisë, ne do të kursenim importin e 1 miliard kilovat/orëve apo të 100-200 milionëve energji që do të shkonin në ekonomitë e vendeve të rajonit”, thotë ai.
Ekspertët mendojnë se çdo vonesë në zbatimin e projekteve të eficencës së energjisë rrezikon edhe investimet e huaja në këtë industri. Modeli që synon të zbatojë Shqipëria në këtë fushë është i ngjashëm me atë të Italisë apo edhe vendeve të tjera. Por, sipas ekspertëve, do të dështonte edhe një herë, nëse nuk do të ngrihej fondi i eficencës së energjisë, që do të duhet të jetë jashtë linjës së buxhetit, pasi në të kundërt, gjithmonë në raste emergjencash, do të financohej nga shteti.
Tirana, “hamësi” i madh i energjisë
Ajo që do të duhet të japë shembullin e parë në Shqipëri është Tirana, edhe pse vlerësohet e vonuar në krahasim me kryeqendrat rajonale. Ekspertë të ndryshëm, por edhe zyrtarë të Bashkisë së Tiranës flasin për një plan kursimi, që është duke u hartuar dhe që mendohet se është drejt përfundimit. Vetëm pak nga detajet e këtij plani bëhen publike.
Eksperti Hysni Laçi thotë se janë pikërisht ndryshimet klimaterike që kanë nxitur Bashkimin Europian që të punojë fort për eficencën e energjisë. Bëhet fjalë për të famshmen direktivë “20 20 20”, që përkthehet në 20% kursim, 20% eficencë energjie dhe 20% reduktim emetimesh të dioksidit të karbonit. Në përputhje me këtë direktivë , edhe Shqipëria është duke përgatitur bazën ligjore. Nga studimi i realizuar deri tani, ing. Llaçi bën të ditur se Tirana është një ndër kryeqytetet që konsumon më shumë energji dhe kjo veçanërisht për godina, transport, ndriçim publik. Për zhvillimin e qëndrueshëm energjetik të Tiranës, objektivi kryesor është që deri në vitin 2020 të reduktohet me 45% konsumi i energjisë për qëllime ndriçimi dhe ngrohjeje.
9% duhet të rritet eficenca e energjisë elektrike deri në vitin 2018 në shkallë vendi
Në Tiranë, sektorët që konsumojnë më shumë energji janë godinat, transporti, ndriçimi publik

Revista Monitor, 17.02.2013