Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në pesë vjet katërfishohen eksportet drejt Kosovës

Që pas shpalljes së pavarësisë, eksportet drejt shtetit fqinjë janë rritur ndjeshëm.  Por sërish integrimi ekonomik mes dy vendeve lë mjaft për të dëshiruar..
Në fund të 2007-s, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës ishin vetëm 34 milionë euro, duke zënë më pak se 5% të totalit të eksporteve shqiptare, sipas të dhënave nga INSTAT. Pesë vjet më vonë, në fund të 2012, ato pothuajse janë katërfishuar duke arritur në gati 140 milionë euro. Shpallja e pavarësisë së shtetit që flet të njëjtën gjuhë, në shkurt të vitit 2008, i ka dhënë një hov të ri marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, ku eksportet janë rritur me bazë vjetore përkatësisht me 39, 46 dhe 18% gjatë viteve 2010-2011-2012.
Eksportet drejt Kosovës përbënin mbi 8% të totalit të eksporteve në fund të 2012-s, duke e bërë atë partnerin e tretë tregtar të vendit, pas Italisë dhe Spanjës. Kosova, ndër të tjera, shtë nga të paktat vende me të cilat ne kemi një suficit tregtar.
Produktet më të eksportuara drejt Kosovës janë mineralet dhe metalet bazë, të cilat zunë rreth 72% të totalit të eskporteve drejt këtij vendi.
Krahas eksporteve, Kosova po shihet si një vend me interes edhe për investime në fushën e ndërtimit apo sektorë të tjerë, për shkak se ajo është ende në fazë rritje në sektorin e ndërtimit psh, duke bërë që shumë sipërmarrës shqiptarë të hedhin sytë nga vendi fqinjë për të kompensuar rënien e tregut në shtëpi.
Potencialet e pashfrytëzuara
Megjithatë integrimi mes dy vendeve lë mjaft për të dëshiruar. Afërsia gjeografike (sidomos pas ndërtimit të rrugës që lidh dy vendet), gjuha e përbashkët, kultura e përafërt nuk kanë arritur që të lidhin ekonomikisht dy shtetet. “Vlen të ceket se shkëmbimi tregtar me Shqipërinë është mjaft i ulët”, ka pohuar pak kohë më parë për “Monitor”, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.
Dy vendet nuk po arrijnë ende të shfrytëzojnë potencialet që ofron një treg i përbashkët, jo vetëm në kuptimin e tregut konsumator, por edhe të sektorëve që plotësojnë më së miri njëri-tjetrin. Sipas ekspertëve kosovarë “kapitali i huaj duhet të na shohë në këtë mënyrë: treg prej 6 milionë konsumatorësh, me moshë mesatare nën 30 vjet, rini shumë absorbuese të njohurive të teknologjisë informative, rajon me dalje në bregdet dhe me potencial të madh të turizmit dimëror, rajoni ndër pesë më të pasurat në botë për nga sasia e linjitit, si dhe me potencial të jashtëzakonshëm për burime ujore”.
“Dy vendet do të mund ta plotësonin njëra-tjetrën në produktet bujqësore, ku në këtë rast, vlen të përmendet patatja, si një nga produktet më kualitative, të cilat do të mund të eksportoheshin me një numër të madh edhe në Shqipëri”, pohon për “Monitor”, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.
“Shqipëria ka mundësi gjithashtu për të shitur produktet e veta”, shton z. Naim Hurglica, drejtor i Doganave të Kosovës. “Kur vjen pranvera e hershme, mund të marrim produktet bujqësore nga Shqipëria si shalqini, perime të hershme, kur përpara shalqini nuk merrej nga Shqipëria, por vinte nga Maqedonia ose Greqia. Në vjeshtë ne kemi produktet tona që i dërgojmë më lehtë te ju. Kjo është ajo që ne e shohim si një perspektivë shumë e ndritshme shkëmbimi real të mallrave”.
Kosova, shton z. Hurglica, ka disa potenciale në bujqësi më shumë sesa Shqipëria. “P.sh. ne jemi shumë të zhvilluar në vreshtari, ndërkohë që Shqipëria akoma është dobët. Edhe në pemëtari jemi më mirë. Edhe ju keni mollët e Korçës dhe jeni më të hershëm për shkak të klimës. Pataten, në vjeshtë, ne e kemi me bollëk”.
“Kosova dhe Shqipëria do të mund ta komplementojnë njëra-tjetrën edhe në fushën e energjisë, duke marrë parasysh faktin që Kosova nuk mund të deponojë energji, ndërsa Shqipëria ka sistem hidroenergjetik, i cili mungon në Kosovë”, vijon znj. Kusari-Lila.

Revista Monitor, 17.02.2013