Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK-u dyfishon faturat- sot protestojnë konsumatorët

Faturat e fryra të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për muajin janar, në masë të madhe kanë tensionuar dhe shqetësuar konsumatoret. Me dhjetëra qytetarë gjatë ditës janë ankuar ashpër në zyrat e KEK-ut.
Një pjesë e madhe e faturave të muajit janar, thuajse se janë dyfishuar në raport me faturat e muajit dhjetor. Dyfishimi i faturave ka ndodhur edhe pse gjatë muajit janar moti ka qenë më i mirë krahasuar me muajin paraprak.
Të revoltuar dhe shqetësuar me këtë veprim mijëra qytetarë nga Prishtina, por edhe qytete tjera të Kosovës, kanë paralajmëruar të enjten një protestë para objektit qendror të kësaj kompanie, e i cili gjendet ne lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Milot Hasimja, është njëri nga organizatoret e protestës, e cila do të mbahet të enjten (sot) në orën 12 para objekteve të KEK-ut.
“Kemi bërë një ftesë përmes rrjetit social ‘Facebook’, për të protestuar nesër me fillim nga ora 12:00 para ndërtesës qendrore të KEK-ut. Po shihet që ka interesim të madh të njerëzve për të marrë pjesë në protestë, përqindja më e madhe e njerëzve kanë probleme financiae dhe nuk mund t’i durojnë edhe paushallët e KEK-ut. Për 13 vjet asnjëherë nuk kemi protestuar për gjithë ato padrejtësi që na janë bërë nga kjo korporatë”, tha ai.
Sipas tij, deri në orët e pasdites mijëra qytetarë kanë paralajmëruar se do të jenë pjese e protestës.
Baliu: Fatura e dhjetorit 75 euro, e janarit 179 euro
Qytetarë të shumtë edhe më tutje janë duke pritur në sportelet e KEK-ut për të bërë ankesë lidhur me faturat e fundit, ku pjesa dërrmuese e tyre janë të habitur me atë çka ka ndodhur me faturat e muajit janar. Gani Baliu jeton me familjen e tij në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Ai thotë se fatura e muajit janar atij i ka ardhur 179 euro, ndërkaq ajo e muajit dhjetor ka qenë 75 euro.
“Ka dallim të madh këtë muaj, ne kemi harxhuar njëjtë gjatë krejt muajve, kjo nuk është në rregull, e bëra një ankesë që ta bëjnë ndërrimin e orës, tash e kam orën digjitale ndoshta me orën nuk është diçka në rregull” , thotë i shqetësuar ai. E shqetësuar dhe tmerruar me faturat e fundit është shprehur edhe Nora Gramqaj, e cila jeton në lagjen “Ulpianë’ në Prishtinë. Ajo thotë se fatura e muajit të fundit është 100 për qind më e madhe se fatura e një muaji më parë. “Asnjëherë nuk më ka ndodhur si këtë muaj. Fatura për muajin janar më ka ardhur 128 euro. Është shumë shtrenjtë dhe e papërballueshme për mua. Fatura e muajit kaluar ka qenë 60 euro. E bëra pagesën se nuk kam çka të bëj. Ankesat nuk i merr parasysh askush”, tha ajo.
Faturat e fundit të KEK-ut, në masë të madhe e kanë shqetësuar edhe Rasim Maxhunin, i cili jeton në Kodrën e Diellit në Prishtinë. Ai thotë se fatura e fundit atij i ka ardhur hiq më pakë se 163 euro. “Qe 13 vjet kaq shumë nuk më ka ardhur për një muaj. Deri më tash ankesë ende nuk kam bërë. Djali e ka paguar një pjesë. Por, kjo që ka ndodhur nuk është normale dhe nuk do koment”, tha i shqetësuar ai.
Po ashtu, edhe qindra qytetarë tjerë nga Prishtina, por edhe qytete tjera të Kosovës janë në pritje nëpër sportele të KEK-ut për të bërë ankesat e tyre lidhur me faturat e fryra, që për pjesën dërrmuese të popullatës janë të papërballueshme.
Kaçaniku: Mos paguani faturat
I zëshëm kundër fryrjes së faturave është treguar edhe Organizata “Konsumatori”, që drejtohet nga Selatin Kaçaniku. Përmes një komunikate dërguar mediave Kaçaniku ka bërë apel që qytetaret të mos e paguajnë energjinë deri të qartësohet kjo situatë.
Kaçaniku thotë se dallimet mes faturës së janarit dhe asaj të dhjetorit, në disa raste janë deri në 4 herë më të larta.
Ai tha se për këtë çështje ka kërkuar shpjegim edhe nga KEK-u, organet e pavarura dhe Qeveria, por deri më tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje. “Deri në marrjen e përgjigjes këshillojmë të gjithë konsumatorët e goditur me këtë veprim të papërgjegjshëm të KEK-ut, të gjithë konsumatorët e pakënaqur, të gjithë konsumatorët të cilët pretendojnë se KEK-u po tenton t i mashtrojë, t’i detyrojë, t’i manipulojë, t’i diskriminojë… që të mos i paguajnë faturat, përderisa institucionet e apostrofuara nuk na përgjigjen dhe derisa KEK-u nuk e arsyeton veprimin, nuk na kërkon falje, nuk e kthen gjendjen në parametra realë dhe nuk na kompenson deri ne kompensimin moral etik”, thuhet në reagimin e organizatës “Konsumatori”:
Po ashtu, Kaçaniku ka kërkuar edhe nisjen e hetimeve nga gjykatat kompetente për tentim mashtrimi të konsumatorit, për tentim përvetësimin e shumës së konsiderueshme të parave nga konsumatorët e Kosovës, për pasurimin e paligjshëm, për shkeljen të drejtave, interesave dhe të dinjitetit të konsumatorit.
KEK: S’ka faturim paushall
Nga ana tjetër, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përmes një komunikate për media, thotë se ditëve të fundit është vërejtur një volum i madh i shprehjes së pakënaqësisë nga ana e konsumatorëve lidhur me faturat e energjisë elektrike për muajin janar. Më tej në komunikatë thuhet se KEK fton të gjithë konsumatorët e pakënaqur t’i drejtohen Qendrave për Konsumatorë dhe të deponojnë çfarëdo ankese që kanë, ndërkaq korporata i siguron se secila ankesë do të adresohet dhe do të shqyrtohet deri në detaje.
“Në rast të leximit jo të rregullt apo të ndonjë gabimi në lexim apo faturim, KEK-u i siguron konsumatorët që do ta bëjë menjëherë korrigjimin. Ndryshe, nuk bëhet fjalë për faturim paushall, sepse faturimi kryhet çdo muaj e as për ndryshim të çmimeve, sepse ato mbesin të njëjta, për çka secili konsumator mund të bëjë krahasimin edhe vetë me faturën paraprake. Ndryshe, secili konsumator mund të bëjë edhe vetë verifikimin e gjendjes, duke e krahasuar gjendjen në njehsorin e tij me gjendjen e kilovatëve të shënuar në faturë”, thuhet në komunikatën për media të KEK-ut.
Sipas zyrtareve KEK-ut, Kosova ka tarifa që e stimulojnë kursimin, përkatësisht për 0-20 kilovatët e parë çmimi është më i lirë, për 200-600 shkon duke u ngritur dhe për shpenzimin mbi 600 kilovat, çmimi është 10.16 centë dhe ka ndikim të madh në çmim nëse shpenzimi është mbi këtë shumë. Më tej në komunikatë thuhet se KEK-u ka përfunduar leximin e faturave për muajin nëntor në fillim të dhjetorit, për shkak të festës së 28 Nëntorit dhe vikendit që ka pasuar, leximi në nëntor ka mundur të bëhet vetëm një ditë.“Kjo ka bërë që periudha e leximit për muajin dhjetor të jetë më e shkurtër se periudha e leximit për muajin janar.
Ky është një element që ka bërë që faturat e muajit janar të jenë më të larta se ato të muajit dhjetor edhe në rastet kur ka pasur shpenzim të njëjtë. Faktor tjetër është se shpenzimi për muajin janar ka qenë 20 për qind më i lartë se muaji paraprak, përkatësisht muaji dhjetor. Prandaj, në një situatë të tillë po flitet vetëm për lexim të rregullt të imponuar nga rrethanat ligjore dhe rritje të shpenzimit nga ana e konsumatorëve”, thuhet më tej në komunikatën e KEK-ut.
Në fund KEK-u kërkon që konsumatorët të kenë kujdes në shpenzimin e energjisë elektrike, duke e evituar në maksimum ngrohjen me energji elektrike si një alternativë shumë e shtrenjtë, në mënyrë që të mos vijë deri te situatat e tilla.
Ankohet edhe ministrja Çitaku
E papakënaqur me faturat e muajit të fundit është shprehur edhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku. Ajo përmes rrjetit social Facebook ka thënë se për muajin e fundit fatura e KEK-ut për banesën e saj prej 57 metrash katrorë, i ka ardhur në vlere prej 74 euro.
“Shume shtrenjtë këtë muaj, 57 m2, 74 euro. Shumicën e kohës jashtë e papranueshme”, është shprehur ministra Çitaku. Më tej ajo duke replikuar me qytetarët tjerë ka thënë se paga e saj si ministre është shumë mbi pagën mesatare, andaj edhe siç ka thënë ajo pak rënd po më vjen me u ankua, por si do që të jetë, fatura e fundit atë e ra rënduar. “Po sinqerisht shumë shtrenjtë këtë muaj”, ka thënë ajo.
Sejdiu: Ky është veç fillimi i pasojave
Dardan Sejdiu nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se faturat e muajit janar kanë shpërfaqur në tërësinë e saj egërsinë komerciale që do ta kemi si konsumatorë nga transferimi i një prone publike në duar të privatizuesit. “Ajo çfarë ka ndodhur me faturat e muajit janar është vetëm përgatitje për privatizuesin. Menaxhmenti i KEK-ut është përkujdesur që para se të transferohet distribucioni te privatizuesi t’i dërrmojë qytetarët me fatura. Këtë e kanë bërë, jo për shkak se qytetarët po shpenzojnë më shumë, por për shkak se KEK-u ka bërë leximin e orëve 1 herë në 2 ose 3 muaj, duke grumbulluar shpenzimet e qytetarëve dhe duke i futur në bllokun tarifor të shtrenjtë.
Kjo ka sjellë te faturat marramendëse, të rrymës që sidoqoftë, nuk janë të lira”, tha ai. Sipas tij, për më shumë, duke dërguar këto fatura tani para dhe më pastaj duke u kthyer në lexime të rregullta, KEK-u i ndihmon privatizuesit që qysh nga fillimi të dërgojë fatura më të shtrenjta, dhe kjo të mos vërehet nga konsumatorët. “Pra, duke siguruar pikë krahasuese astronomike, çdo lëvizje e çmimeve në të ardhmen do të tentohet të kalohet pa u vënë re”, shtoi ai.
Sipas tij, këto janë veç fillimet e pasojave të privatizimit, nëse kuptohet e lejojmë që të implementohet.
Besim Zymberi – “Tophane”
“Vetëm për muajin janar fatura ka ardhur 713 euro. Për të ardhurat tona është shumë, është tej mase, nuk ki as ku bon as ankesë. Le të tregojnë ku është problemi, për një shtëpi është tepër, me qenë fabrikë edhe është shumë”, tha ai.
Nora Gramqaj – “Ulpianë”
“Asnjëherë nuk më ka ndodhur si këtë muaj. Fatura për muajin janar më ka ardhur 128 euro. Është shumë shtrenjtë dhe e papërballueshme për mue. Fatura e muajit kaluar ka qenë 60 euro. E bëra pagesën se nuk kam çka të bëj. Ankesat nuk i merr parasysh askush”, tha ajo
Agnesa Avdyli
“Për 15 ditë vetëm gjysmë muaji 18 euro, sa jam hyrë në banesë të re, por prapë mendoj se çmimi është i lartë”, tha ajo.
Rasim Maxhuni
“Shtrenjtë është, 163 euro më ka ardhur këtë muaj. Qe 13 vjet kaq shumë nuk më ka ardhur kurrë, ”tha ai.

Gazeta Zeri, 07.02.2013