Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Taçi “bleu” Albpetrolin me garancinë financiare false të bankës amerikane

Dy muaj më parë qeveria shqiptare nisi zyrtarisht procedurat për ekzekutimin e garancisë 10 për qind të ofertës fituese në tenderin për Albpetrol, pasi kompania fituese Vetro dështoi të bënte pagesën për nënshkrimin e kontratës. Përmes një shkrese zyrtare grupi negociator në Ministrinë e Ekonomisë i kërkoi Bankës Amerikane American Chartered Bank, ku pretendohej se ishte ngrirë garancia, të kryente pagesën e 85 milionë eurove në llogari të qeverisë shqiptare. Paratë nuk mbërritën.
Dyshimet për vlefshmërinë e garancisë së Albpetrol nisën që në momentin e zhvillimit të tenderit. Fillimisht komisioni tenderit anoncoi se garancia nuk ekzistonte dhe vetëm pak momente më vonë, pasi kryetari Sokol Dervishaj, konsultoi dokumentet me ekspertin e kompanisë konsulente Patton Bogs, u lajmërua se garancia ishte e saktë dhe qeveria mund të shpallte fitues kompaninë Vetro.
Falsifikimi
Skema e falsifikimit të garancisë është identike me atë që u përdor në tenderin për ARMO-n. Sërish blerësi është i njëjtë, Rezart Taçi. Në atë kohë në dokumentat e tenderit, Anica Enterprise, kompania që u shpall fituese në tenderin për ARMO-n, kishte vendosur bashkangjitur në dokumentat e ofertës dhe një garanci të lëshuar nga Raiffeisen Bank në Shqipëri. Garancia false ishte firmosur nga një punonjëse e bankës, me dijeni të ish drejtorit të përgjithshëm në atë kohë, Grunerud, pa miratimin e bordit të bankës. Sapo skandali u bë publik, zoti Grunerud u largua nga posti i drejtorit të Raiffeisen Bank në Shqipëri. Skema identike është përdorur edhe në rastin e tenderit të Albpetrol. Këtë herë garancia ishte në emër të fondit amerikan të investimeve, Silk Road, që zotëron 41 për qind të aksioneve në konsorciumin fitues Vetro. Pjesa tjetër zotërohet nga Rezart Taçi. Edhe këtë herë garancia është lëshuar personalisht nga drejtori i American Chartered Bank, por pa dijeninë e bordit drejtues. Sapo qeveria nisi kërkesën për ekzekutimin e saj, banka u përgjigj se  dokumenti nuk është i vlefshëm pasi është lëshuar me vendimin personal të drejtorit, kur një vendim i tillë kërkonte miratimin e bordit drejtues.
Pala shqiptare po përgatitet të shkojë në gjyq me bankën, por rekuperimi i parave nga një bankë amerikane duket më shumë se një mision i pamundur. Ndërkaq qeveria shqiptare ende nuk ka një vendim zyrtar për dështimin e ofertës 850 milionë euro, që përfundoi ashtu sicc nisi, një ëndërr me shumë zero. Dhe edhe këtë herë askush nuk po hetohet për përgjegjësitë ligjore, as nga komisioni dhe as nga eksperit konsulent që doli garant për ekzistencën e garancisë.
http://www.gazetaidea.com/taci-bleu-albpetrolin-me-garancine-financiare-false-te-bankes-amerikane/

Gazeta Idea, 30.01.2013