Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia në fokusin e takimit të Haxhinastos me Ambasadorin e Norvegjisë

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto priti dje Ambasadorin e Norvegjisë për Shqipërinë, z. Jan Braathu.
Ministri vlerësoi bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve në nivelin politik dhe ekonomik e veçanërisht në fushën energjetike ku projekte madhore të Norvegjisë në Shqipëri po shndërrohen në histori suksesi.
Në mënyrë të veçantë, z. Haxhinasto u ndal tek projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik duke e vlerësuar atë si një ndër projektet më të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin, pjesë e të cilit është kompania norvegjeze Statoil.
Nga ana e tij, ambasadori norvegjez e cilësoi projektin TAP, si projektin që do të shndërrojë Shqipërinë në një nga pikat më të rëndësishme të Ballkanit.
Gjithashtu u diskutua lidhur me mbështetjen e Norvegjisë për Shqipërinë, në përpjekjen e saj për zhvillimin e qëndrueshëm të energjisë së rinovueshme nëpërmjet një ndër investimeve më të mëdha private në Shqipëri në këto 20 vite siç është kaskada e Devollit.
Z. Haxhinasto vuri në dukje rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve përmes organizimit të forumeve ekonomike, organizimit të tryezës së Komisionit të Përbashkët të Punës Shqipëri – Norvegji. Ministri Haxhinasto u shpreh se “parë në këndvështrimin e një rritje të qëndrueshme të kërkesës për energji të rinovueshme, si edhe të projekteve për zhvillimin e strukturës së shpërndarjes nëpërmjet linjave të interkonjeksionit me vendet fqinjë, bisnesmenët norvegjezë janë të mirëpritur të marrin pjesë në investime në sektorë strategjik të ekonomisë shqiptare”.
Duke patur parasysh potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, ministri Haxhinasto u shpreh se me interes të veçantë janë fushat e energjisë hidrike, hidrokarbureve, turizmit, etj. Nga ana e tij ambasadori Braathu tha se Shqipëria ka mundësi të shumta për të përfituar nga tregu energjetik europian të nxitur nga modernizimi i infrastrukturës rrugore, si dhe pritet që investitorë dhe turistë norvegjezë të vizitojnë Shqipërinë për t’u njohur nga afër me realitetin dhe ndryshimet që vendi ka shënuar vitet e fundit.
Z. Haxhinasto dhe ambasadori Braathu ndanë të njëjtin mendim për gjetjen e urave të reja të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, energjetikës, zhvillimit të qëndrueshëm jeshil si dhe turizmit, për të cilat Shqipëria ka shumë potenciale për të ofruar.

energjia.al, 05.02.2013