Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KKRRTSH miraton vendime të rëndësishme në fushën e energjisë

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua dje mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, gjatë së cilës u miratuan disa leje infrastrukturore në fushën e energjisë dhe turizmit, si dhe leja infrastrukturore për rrjetin e furnizimit me ujë dhe shërbime sanitare në bashkinë e Orikumit.
Kryeministri Berisha u shpreh se këto projekte, ndër të tjera, shërbejnë edhe si gjeneratorë të fuqishëm për punësimin e mijëra qytetarëve.  
Në fjalën e tij, në fillim të mbledhjes, Kryeministri Berisha u shpreh:
Kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të Territorit ka dy çështje madhore në rendin e ditës, çështja e parë janë hidrocentralet dhe Shqipëria – superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon.
Në rast se në mbledhjen para kësaj ne miratuam projektin më të madh hidroenergjetik në rajon dhe, aktualisht, në Evropë, kaskadën e Devollit, një investim me vlerë 1 miliardë euro, beteja për të shndërruar Shqipërinë në superfuqi rajonale të energjisë së rinoveshme vazhdon në mënyrë të pandërprerë dhe kjo përbën një arritje madhore për qytetarët shqiptarë.
Sot, ne miratojmë këtu disa hidrocentrale, siç është ai i “STRAVAJ”, “Qafëzezit”, “Stavecit”, të cilët së bashku do të punësojnë mijëra qytetarë, kryesisht banorë të zonave aty afër. Natyrisht, teknikë dhe inxhinierë nga më të mirët e vendit. E vërteta është se ndërtimi i hidrocentraleve në mbarë vendin është shndërruar sot, aktualisht, në një gjenerator të fuqishëm të punësimit të qytetarëve shqiptarë në zonat më të largëta, më të thella të vendit. Por, duhet të pranojmë se është shndërruar sot dhe në drejtim kryesor të zhvillimit të Shqipërisë, do të thosha të zhvillimit të qëndrueshëm të saj. Zhvillimi është zhvillim, por vendimtare në këtë proces është qëndrueshmëria e tij. Leksioni më i madh i krizës evropiane dhe globale që mund të nxirret nga shoqëritë, kombet dhe qeveritë, është se ka vetëm një rrugë të sigurt për parandalimin e kësaj krize dhe kjo rrugë është zhvillimi i qëndrueshëm, është inkurajimi, nxitja, investimi në ata sektorë që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm për vendet dhe kombet.
Energjia ujore është mirëpozicionuar ndër më të rëndësishmet në këtë drejtim. Ndaj dhe sot merr një rëndësi të veçantë miratimi i këtyre hidrocentraleve, të cilët u shtohen dhjetëra e dhjetëra të tjerëve që ndërtohen çdo orë, çdo ditë, çdo javë, larg kamerave televizive, të cilat kanë për ishull parajse territorin brenda unazës së vogël të Tiranës dhe si kullë të fildishtë Rognerin dhe Sheratonin. Por, jeta, zhvillimi gëlon në të katër anët e këtij vendi, e paraqisni apo nuk e paraqisni ju me kamerat tuaja, e injoroni apo e paraqisni ju para qytetarëve. Unë ju ftoj të shkoni, ju ftoj të intervistoni, ju ftoj ti paraqisni, sepse ato janë vepra të mrekullueshme të njerëzve punëtorë, të investitorëve të mençur dhe, pavarësisht se ndërtohen të tëra nga sektori privat, janë vepra me shkallën më të lartë të interesit publik.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi (me shkurtime):
1.Leje infrastrukture, për ndërtimin e hidrocentralit “STRAVAJ”, komuna Stravaj, rrethi Librazhd
Ky projekt shtrihet në komunën Stravaj të rrethit të Librazhdit dhe është një investim i “Stravaj energy”, me vlerë 503 529 364 lekë. Ky hidrocentral ka një fuqi të instaluar prej 3600 kW dhe prodhim mesatar energjie 16.6 milionë kWh në ditë.
2. Leje infrastrukture, për ndërtimin e hidrocentralit “Qafëzezë”, rrethi Librazhd
Ky projekt shtrihet në qarkun e Korçës, rrethi i Kolonjës, në komunën Mollas. Ky hidrocentral është investim i “Caushi K”, me vlerë 51 955 070 lekë dhe me një fuqi të instaluar 400 kW.
Pas prezantimit, Kryeministri Berisha vlerësoi ndërtimin e kësaj vepre si tepër të rëndësishme për fshatin Qafëzez, Kolonjën dhe mbarë vendin, duke shfrytëzuar burimet ujore në atë zonë të mrekullueshme.
3. Leje infrastrukture për ndërtimin e hidrocentralit “Stavec”
Ky projekt shtrihet në komunën Martanesh, rrethi i Bulqizës. Ky është një investim i “Koka sh.p.k”, me vlerë 8.5 milionë euro. Ky hidrocentral ka një fuqi të instaluar prej 6000 kW. Përfaqësuesi i kësaj kompanisë u shpreh se zona ku do të kryhet investimi nuk është pyjore, por është me shkurre dhe nuk ndikon në mjedis.
Pas prezantimit të projektit, Kryeministri Berisha vlerësoi në mënyrë të veçantë që këto investime, krahas mundësive që krijojnë për punësim, shoqërohen edhe me një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës për banorët e këtyre zonave. “Rruga lidh dy fshatra që aktualisht janë, pothuajse, të izoluara dhe u bën të mundur atyre të lidhen me qendrën e komunës. Po kështu, në të gjitha këto vepra ka një faturë të rëndësishme që shpenzohet për ndërtim infrastrukture. Por, e rëndësishme është që në atë zonë nis një investim prej 8 milionë euro dhe punësohen disa qindra e qindra qytetarë të Martaneshit, Krastës dhe zonave përreth”, u shpreh Kryeministri.

energjia.al, 19.01.2013