Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shoqata e Hidrokarbureve i kërkon Konkurrencës: Hetoni monopolin e markimit të karburanteve!

Shoqata e Hidrokarbureve në një letër drejtuar Autoritetit të KOnkurrencës i kërkon kësaj të fundit që të hetojë monopolin e krijuar me koncesionin e markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë. Letra e cilëson të padrejtë këtë monopol, si dhe të panevojshëm shërbimin shtesë të markimit të karburanteve, që rrezikon rritjen e mëtejshme të çmimeve të karburanteve.
Ministria e Financave ka vendosur pak kohë më parë që shoqërisë “Global Fluids International”, SA (GFI), t’i jepet me koncesion shërbimi i markimit dhe monitorimit të karburanteve dhe është në këtë moment në fazën e lidhjes së kontratës koncensionare.
Meqënëse ky koncension lidhet drejtpërdrejt me interesat e veprimtarisë të kompanive anëtarë të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokabureve, të cilat vlerësojnë se:
1. Kompania që ka fituar koncensionin me termat e mësipërm krijon dhe mban një koncension që mbetet absolutisht monopol në këtë sektor.
2. Tarifa e caktuar për këtë shërbim nga 200 lekë/1000 litra që ishte paraqitur nga ofertuesit është finalizuar në shumën 614 lekë/1000 litra karburant, ose e konvertuar në ton, do të thotë 6,5 Euro/Ton karburant. Kjo tarifë është shumë më e lartë se sa vetë fitimi i kompanive, matur për njësi.
3. Në një kohë që shteti ka funksionale disa nga entet e tij që veprojnë në sektorin e hidrokarbureve si Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit, Drejtoria e Markave dhe Patentave, Drejtoria e Standartizimit, Drejtoria e Mbrojtjes së Konsumatorit apo edhe Inspektoriati Qëndror Teknik si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që kryejnë të njëjtin proces dhe madje më shumë se kompania e koncensionuar, ne pyesim se përse duhen një kompani e tillë, më të tilla kosto shërbimi. Kujtojmë që produkti vjen nga importi, i markuar nga rafineritë prodhuese të certifikuara me standartet e BE-së.
4. Kompanitë e importit dhe tregtimit të hidrokarbureve që veprijnë në Shqipëri e kanë zgjidhur importin e këtyre produkteve, sipas standarteve që përcakton ligji dhe nuk e kuptojmë se përse duhet një monopol në treg për markimin dhe monitorimin e kërburanteve.
Për këto arsye, meqenëse edhe Ministria e Financave është në fazën përmbyllëse të kontratës koncensionare Shoqata e Hidrokarbureve i kërkon Autoritetit të Konkurrencës ndërhyjen e menjëhershme për ndërprerjen e procesit të kontraktimit të këtij monopoli në tregun e hidrokarbureve, në respekt të ligjit ”Për Autoritetin e Konkurrencës”, me qëllim që shteti të mos ketë pasoja pas nënshkrimit të kësaj kontrate monopolistike të koncensionit që është tërësisht e padrejtë.
Koncesioni
Qeveria Shqiptare, me anë të vendimit të saj nr 609, datë 24.08.2011 ”Për përcaktimin e Autoritetit Kontraktues për dhënien me koncension të markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë”,  ka përcaktuar Ministrinë e Financave si autoritet kontraktues për dhënien me koncension të markimit dhe monitorimit të karburanteve në Shqipëri. Ministria e Financave ka vendosur që shoqërisë “Global Fluids International”, SA (GFI), t’i jepet me koncesion ky shërbim dhe është në këtë moment në fazën e lidhjes së kontratës koncensionare.
Siç sqarohet në letër, Ministria e Financave, vendos t’ia japë të drejtën bashkimit të kompanive, kryesuar nga austriakët e “Global Fluids Internatinal”. Bashkë me këtë kompani, janë dhe dy të tjera, “Petroleum Consulting Partners” dhe “Cotecna Inspections”, të specializuara në sektorin e kontrollit për cilësinë e karburanteve dhe markimit të tyre.
Ofertat në tender ishin paraqitur më 14 maj, por në garë ishte vetëm një “zarf”, lëshuar nga tri shoqëritë e bashkuara, me synim “Për dhënien me koncesion të shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë”.
Ministria e Financave shpjegoi atehere se, e drejta e dhënies me koncesion u dha pas ofertës prej 4 milionë dollarësh, të bërë nga kompanitë, e cila konsiston në realizimin e investimeve.
Konsorciumi, i udhëhequr nga austriakët, ka nisur të  lidhë kontratën, me afat 10 vjet. Kompania austriake “Global Fluids International” përfitoi nga qeveria në gusht të vitit 2011 bonusin 6 për qind, për shkak të paraqitjes së pakërkuar të ofertës.

Revista Monitor, 08.01.2013