Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjeopolitika ambicioze e Katarit

Shteti i vogël i Gjirit Persik, si një anije e shpejtë, lundron midis ujërave të turbullta të lëkundjeve gjeopolitike të Lindjes së Mesme me një ngarkesë shumë të pasur në bord: Qindra milion petro-gaz dollarë
Vendi i vogël, me “grusht” të madh
Shteti i vogël i Gjirit Persik, si një anije e shpejtë, lundron midis ujërave të turbullta të lëkundjeve gjeopolitike në veprim në kaudrantin e komplikuar të Lindjes së Mesme. Me një ngarkesë shumë të pasur në bord, qindra milion petro-gaz dollarë, Emiri Sheik Hamad bin Khalifa al-Thani financon revoltat e së ashtuquajturës Pranverë Arabe, paraqitet si seli e privilegjuar për të kryer tratativa paqeje, nënshkruan marrëveshje në të gjithë fushën, menaxhon me aftësi një instrument të fuqishëm mediatik si kanali kontradiktor “Al-Jazeera”, gjithçka me mendje të hapur në maksimum.
Sipas thënies së një diplomati aziatik në Doha, Katari “përfaqëson një pikëçuditëse gjeografike mu në mes të Gjirit Persik, që lëviz lirisht midis dy linjave të frakturës gjeopolitike dhe fetare që delimitojnë kufijtë midis gjigantit sunit dhe kolosit shiit iranian”. Sigurisht që në “Lojën e Madhe” të re në versionin e Lindjes së Mesme, Katari po luan dhe do gjithnjë e më shumë të luajë një rol prej top-player. Emiri Hamad bin Khalifa aspiron për një rol prej “Henri Kisingeri arab” siç dëshmohet nga disa vëzhgues? Është një “pretty influential guy” siç deklarohet nga Obama, pasi e ka takuar në 2011? Janë vetëm ambicie të shfrenuara napoleoniane”? “Katari është ‘një pigme me një grusht prej gjiganti’ si ka shkruar me kthjelltësi ‘Economist'”? Siç u ankua me sarkazëm senatori Xhon Kerri, pasi ka takuar Hamad bin Khalifa në 2009, “Katari nuk mund të vazhdojë të jetë aleati jonë të hënën dhe t’i japë financime Hamasit të martën”.
Filli Blu dhe Filli i Kuq
Sipas mendimit tonë, dy janë fillet kryesore në të cilat varet gjeopolitika e Katarit, fille që nganjëherë ecin paralelisht, por në shumë raste ndërthuren në mënyrë shpesh ambigue. “Filli Blu” përfaqësohet nga Katari si anëtar aktiv dhe pjesëmarrës i asaj pjese të botës arabe properëndimore. Dy ndër bazat më të mëdha amerikane janë në emiratin e vockël. Katari strehon Central Command (CENTCOM) amerikan në bazën ajrore gjigante al-Udeid në jug të kryeqytetit të Katarit, nga ku ndiqen përditë të gjitha operacionet në Afganistan, në zonat tribale të Pakistanit, në Irak dhe Jemen. Baza tjetër është al-Sayliya, nyja logjistike me prirjen për rezerva.

Gazeta Rilindja Demokratike, 28.12.2012