Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Janar-nëntor: Eksportet shpëtohen nga mineralet e lëndët djegëse

Eksportet shqiptare arritën në 196 miliardë lekë për periudhën janar-nëntor 2012, duke shënuar një rritje prej 8.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bënë të ditur statistikat e INSTAT. Ndonëse në vlerë absolute eksportet ranë në nëntor në krahasim me tetorin, ritmet e rritjes së eksporteve janë përshpejtuar. (për peridhën janar-tetor rritja vjetore ishte 7.3%). Edhe ritmet rënëse të dy grupmallrave kryesore, tekstile e këpucë dhe materiale ndërtimi e metale, janë ngadalësuar.
Performancën më të mirë vijojnë që ta kenë eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse energji, kryesisht nafta, që shënuan një rritje prej 28% me bazë vjetore për 11 mujorin, për të arritur në 69.3 miliardë lekë. Ky grup përbën tashmë zërin kryesor të eksporteve tona, me 35% të totalit.
Eksportet e tekstileve e këpucëve, që punojnë me material porositësi, kryesisht me kompanitë italiane, kanë vijuar tendenën e tyre negative, që ka qenë e pranishme përgjatë gjithë muajve të këtij viti, teksa recesioni ku ka hyrë eurozona ka ndikuar dhe në uljen e porosive për partnerët shqiptare. Eksportet e këtij grupmalli ranë me 4% me bazë vjetore për periudhën janar-nëntor, duke arritur në rreth 57 miliardë lekë. Ky grup, që dikur ishte më i rëndësishëm,  zë tashmë 29% të totalit të eksporteve vendase.
Grupi i tretë më i rëndësishëm, ai i materialeve të ndërtimi e metaleve, ka vijuar dhe ai prirjen rënëse, duke u tkurrur me 3.2% me bazë vjetore për 11 mujorin, për të arritur në 36.9 miliardë lekë.

Revista Monitor, 26.12.2012