Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hidrocentrali fantazëm i Kalivaçit, letër e hapur drejtuar Ministrit të Ekonomisë

“C.A.E.” Sh.p.k. eshte nje shoqeri shqiptare qe ushtron aktivitetin e saj ne fushen e ndertimeve civile dhe industriale.
“C.A.E.” Sh.p.k. eshte nje nga shoqerite shqiptare te mashtruara, nga Francesco Becchetti, “investitori” italian qe ka marre persiper ndertimin e hidrocentralit te Kalivacit.
“C.A.E.” Sh.p.k. ka lidhur ne date 18.12.2007 nje kontrate per kryerjen e germimeve dhe heqjen e inerteve nga pellgu i hidrocentralit te Kalivacit. Kontrata eshte lidhur me “Energji” Sh.p.k. qe eshte prezantuar nga Becchetti, si nenkontraktore e BEG S.p.a. qe ishte shoqeria koncensionare per ndertimin e hidrocentralit te Kalivacit. Ne perfundim te marredhenies, “C.A.E.” Sh.p.k. ka kryer mbi 2 milion Euro punime ne kete veper dhe nuk eshte paguar, nderkohe qe vazhdon nje odise gjyqesore, praktikisht te kote, kunder shoqerive fantazem te “investitorit” Becchetti.
Skema e përdorur nga BEG është një skemë e pastër mashtrimi. Mjafton të ndjekësh ne mënyrë kronologjike cfarë ka ndodhur në Kalivac dhe konkluzioni del vetë.
Nga 1997 deri në 2007 BEG, pa filluar për asnjë moment punimet, ka përdorur kontratën koncensionare me Shtetin Shqiptar për të gjetur një investitor, “të majmë” financiarisht aq sa për të mbuluar ne masën 100% koston e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivacit.
Ne vitin 2007 BEG krijon “Hydro” S.r.l. në Itali me kapital themeltar 17,850,000 euro, mbi te gjitha të paguar në natyrë ne masen 16,500,000 euro, dhe të përbërë nga kontrata e koncensionit per Kalivacin, disa studime te ndryshme per Kalivacin, projekti i paperfunduar i këtij koncensioni, një autoveture Nissan Patrol, një PC Optiplax, nje printer HP duke zbritur disa borxhe te maturuara ndaj nje personi te trete!!!
Po në 2007 BEG krijon “Kalivac Green Energy” sh.p.k. në Shqipëri me NIPT K72326018B, me kapital themeltar 500,000 lekë dhe i kalon kësaj koncensionin, pa asnjë miratim dhe në kundërshtim me kushtet e vendosura nga shteti shqiptar.
Pak ditë më vonë “Kalivac Green Energy” sh.p.k. i shitet 100% “Hydro” S.r.l. dhe kjo e fundit bëhet gati kështu për të mashtruar Deutsche Bank.
Pak muaj më vonë Deutsche Bank blen 45% te 500,000 lekeve per më shumë se 8 milion euro dhe merr përsipër detyrimin për të financuar në vazhdimësi punimet në Kalivac.
Deri në 2009 BEG financon punimet në Kalivac duke paguar, nepermjet nje tjeter shoqerie fantazem, “Energji” sh.p.k., nënkontraktorët si “Salillari” Sh.p.k., “Ardi” Sh.p.k., “C.A.E.” Sh.p.k. dhe të tjerë me milionat e paguara nga Deutsche Bank. Pagesat u nërprenë kur Deutsche Bank kuptoi mashtrimin, ndërpreu financimin, u tërhoq nga Hydro dhe nisi procedurat ligjore kundër BEG.
Ne fund te vitit 2009 nga punimet u tërhoq edhe “C.A.E.” Sh.p.k. pasi punimet e papaguara arriten ne vleren mbi 2 milion Euro. Per te kerkuar pagimin e punimeve te kryera “C.A.E.” Sh.p.k. i eshte drejtuar Gjykates dhe gjate gjykimit ka rezultuar qe “Energji” sh.p.k. nuk ka gjendje ne llogarite bankare dhe nuk ka asnje pasuri tjeter per te garantuar pagimin e detyrimeve ndaj “C.A.E.” Sh.p.k., pra Becchetti ka thurur nje skeme gati perfekte mashtrimi.
Becchetti krijoi nje rrjet te tille genjeshtrash dhe mashtrimesh, qe bene te besohej se ai ishte koka drejtuese e nje grupi financimi gjigand qe kishte vendosur te hynte fuqishem ne biznese te lidhura me energjine. Prezantimi edhe i Deutsche Bank si partneri i tij i ri, e beri akoma me te besueshem kete mashtrim.
Kjo skeme mashtrimi eshte denoncuar edhe nga shtypi shqiptar, konkretisht gazeta Panorama ne datat 12, 13 / 10 / 2012, gazeta Standard ne datat 16, 19, 22, 26 / 11 / 2012 dhe 11 / 12 / 2012  dhe gazeta Dita ne datat 7, 12 / 12 / 2012.

I Nderuar Z. Minister!
Francesco Becchetti ka mashtruar, jo vetem  “C.A.E.” Sh.p.k. dhe shoqeri te tjera shqiptare, por ka mashtruar mbi te gjitha popullin dhe shtetin shqiptar duke zvarritur ne pafundesi ndertimin e vepres me te madhe energjetike ne rajon, madje ne situaten qe gjenden sot punimet dhe ceshtjet ligjore te lidhura me hidrocentralin e Kalivacit, kjo veper nuk ka per te perfunduar kurre, te pakten jo nga ky “investitor”.
Per me teper, ndersa ka kryer me pak se 10 milion euro investim dhe eshte ne tejkalim te cdo afati te parashikuar per punimet dhe ecurine e tyre, Becchetti pretendon se ka kryer me shume se 80 milion Euro investim, madje ka edhe guximin te kerkoje nga shteti shqiptar rimbursimin e T.V.Sh. ne nje vlere rreth 15 milion Euro ose 1,5 here me shume se vete investimi qe ka kryer.

I Nderuar Z. Minister!
Ne driten e sa me siper, Ju sugjerojme, qe nepermjet institucioneve Tuaja te varesise dhe jo vetem, te ushtroni nje kontroll per situaten e ecurise se punimeve dhe investimit ne hidrocentralin e Kalivacit.
Ju sigurojme qe rezultatet e kontrollit do te jene befasuese, gropa e mashtrimit ne Kalivac eshte shume me e thelle se kaq.
Duke besuar ne mirekuptimin dhe bashkepunimin Tuaj, mbetemi,
Me respekt,
“C.A.E.” Sh.p.k.

Vëzhgimi i “Standard”, në Kalivaç vetëm po gërmohet
Pak ditë më parë, “Standard” bëri një vëzhgim në Kalivaç, ku pa gjendjen e hidrocentralit, që sot duhet të ishte ndërtuar. Nga vëzhgimet tona doli realiteti i dhimbshëm.
“Njerëzit që kanë rrahur shpesh atë rrugë, tregojnë se ka vite që aty veç hapet gropa e gërmohet. Gërmohet e gërmohet pa kohë! Nuk besojmë se kjo është ironi e fshatarëve në ato anë! Por është shqetësim real i tyre jo vetëm për dijeninë që kanë se aty ka qenë menduar një hidrocentral, porse pafundësia e gërmimit e bën akoma më misterioze atë vend. Qetësia përzier me frikën e errësirës i detyrojnë njerëzit të mendojnë se aty ka punë të liga. Të liga ata mendojnë sot se si gënjehet aq lehtë me paratë. Pa qenë nevoja të kesh një vesh të kujdesshëm të dëgjosh këta zëra, po ashtu dhe sy të vëmendshëm se si gërmimet kanë krijuar pellgje uji – fotografitë që po shoqërojnë e tregojnë këtë. Ndërsa në anë tjetër nuk janë aq budallenj njerëzit aty sa të mos marrin vesh kur në të rrallë kanë parë që të zbarkojnë ca njerëz interesantë aty, të veshur e “të krehur”. Tamam si në ndonjë film konspiracioni t’i tregojnë detajet, ndërsa më të guximshëm janë kur denoncojnë se e dinë shumë mirë vlerën e parave që ka marrë firma e ngarkuar për hidrocentralin dhe se përveç punës për ngrënien e malit dhe ngrënies së këtyre parave nuk kanë bërë gjë tjetër! Ne qeshim nga këto reflektime që shkojnë midis naivitetit por dhe një force të brendshme qytetarie për të mos heshtur, por për të rrëfyer atë që “nxihet” nga retë e mbulohet nga uji i lumit në ditë të zymta.
Ikim pa kthyer kokën pas, përcjellë me sytë e vendasve që presin që aty të ketë ndonjë shkëndijë në vend të gërmimeve të herë pas hershme”.
Kryeplaku i Kalivaçit: S’ka pasur ndonjëherë ndërtim serioz
Pak kohë më parë, kryeplaku i Kalivaçit, Loli Zeneli, në një intervistë për “Standard” bëri të ditur se në zonë nuk është kryer ndonjë punim serioz dhe hidrocentrali nuk ka për t’u ndërtuar kurrë. Ja çfarë tha z. Zeneli: “Deri tani nuk është kryer asnjë punim i rëndësishëm përveçse mund të jenë, në fazat fillestare, e gërmimeve që janë bërë, por për këto 7 vitet e fundit nuk shihet asnjë punim serioz dhe që të na ketë rënë në sy. Nuk ka asgjë të dukshme veçse, gërmimeve që janë bërë. Në këtë hidrocentral ka disa mjete që qëndrojnë aty por shumë pak janë funksionale të cilat kryejnë çdo ditë gërmime. Sipas këndvështrimit tonë mund të jetë tek 10-15% e punimeve për të gjitha vitet dhe nuk ka asnjë vepër tjetër apo ndërtim që të tregoj se aty po ndërtohet një hidrocentral. Është një vepër e pashpresë nga ana jonë, nuk kemi shpresa dhe nuk mendojmë se ka për tu ndërtuar ndonjëherë. As komuniteti as vet unë nuk besoj të ndërtimi i hidrocentrali. Sipas aktualitetit që po shikojmë dhe me këto që ka kaluar në 7 vitet e fundit, nuk kemi shpresa se mund të ndërtohet si vepër.
Historia e Kalivaçit
Ku është ky hidrocentral sa energji prodhon? Ende nuk është filluar për ndërtimit e tij?!
o    1997, Becchetti merr licencën nga qeveria shqiptare për ndërtimin e hidrocentralit
o    3 vjet rresht, askush nuk foli për Kalivaçin, qeveria miraton disa ndryshime të kontratës.
o    Viti 2000, vendimi i ri tregon se hidrocentrali mund të ndërtohej nga një kompani bashkëpunuese pasi kompania e z. Becchetti nuk ishte e aftë ta ndërtonte e vetme.
o    2000-2007 përsëri askush nuk u kujtuar për Kalivaçin. Viktima e radhës e Becchettit ishte Deutsche Bank.
o    6.6.2007 Këshilli i Ministrave miraton legjitimitetin e Deutsche Bank për partneritet në ndërtim.
o    Deri në vitin 2009 Becchetti financon punimet në Kalivaç, duke paguar nënkontraktorët “C.A.E” sh.p.k dhe të tjerë me milionat e paguar nga Deutsche Bank. Kur banka gjermane kuptoi mashtrimin, ndërpreu financimin dhe nis procedurat ligjore kundër të ashtuquajtur “investitorit” italian.
o    Në fund të 2009-ës u tërhoq edhe “C.A.E” sh.p.k, pasi punimet e papaguara arritën në vlerën rreth 2.5 milionë euro, shumë e dokumentuar edhe nga situacionet.

Kalivaçi, nga licenca e 97-të te kontrollet teknike të AKBN-së
Sipas kontratës së vitit 1997, prodhimi i energjisë duhet të fillonte në vitin 2002, ndërsa sipas kontratës së vitit 2000, është nënkuptuar se prodhimi do të fillojë në vitin 2005. Sipas kontratës së vitit 2007, prodhimi do të fillonte në vitin 2011, por në Kalivaç ende s’kanë filluar ndërtimet.
Hidrocentrali i Kalivaçit është një histori e gjatë, e cila duket se nuk do të ketë fund. Në Kalivaç, në afërsi të Tepelenës sot duhet të ishte një hidrocentral, i cili do t’i shërbente vendit për prodhim e energjisë, por në të vërtetë aty ka vetëm disa makineri të prishura, ndërsa ato që punojnë kryejnë vetëm disa gërmime. Një ekip i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) kreu monitorimin në terren të punës së kryer nga koncesionari italian për ndërtimin e një prej veprave madhore të hidroenergjetikës shqiptare, por zbuloi se në atë objekt nuk ishte kryer puna e ngarkuar nga Ministria e Ekonomisë.
Kontrata e 1997-ës
Sipas kontratës së vitit 1997, prodhimi i energjisë duhet të fillonte në vitin 2002. Ndërsa sipas kontratës së vitit 2000, është nënkuptuar se prodhimi do të fillojë në vitin 2005, duke e marrë të mirëqenë se punimet ende nuk kishin filluar. Sipas kontratës së vitit 2007, prodhimi do të fillonte në vitin 2011, ndërsa praktikisht në këtë zonë nuk është bërë ndërtimi i asnjë gjëje serioze por vetëm ndërtime sa për t’u dukur.
Kontrolli i 2011-s
Në relacionin teknik të datës 13 mars të këtij viti, pas kontrollit të kryer në objektin në fjalë nga grupi i punës, thuhet se që nga prilli i vitit 2011 në këtë objekt nuk kishte lëvizur asgjë. Pra, punimet u konstatua se ishin po ato që ishin parë edhe në monitorimin në terren, të kryer një vit më parë. Më tej: dy fashat e pjesës më të rëndësishme të HEC-it – digës – rezultonin të dëmtuara në pjesën e brendshme të lumit, për shkak të prurjeve të mëdha, ndërkohë që nuk kishte asnjë shenjë të fillimit të betonimeve. Megjithëse kishte filluar puna për riprofilimin e skarpateve, që kishin rrëshqitur në krahun e tunelit të devijimit, në momentin e monitorimit nuk po kryhej asnjë punim. Ura e ndërtuar më parë për të kaluar në anën tjetër të lumit ishte prishur dhe kishte dalë jashtë funksionimi, kështu që tani koncesionari po rinegocionte për zgjidhjen përfundimtare të një ure të re. Ura rezultonte e mbuluar nga uji dhe nuk ishte madje e dallueshme me sy se ku ndodhej.
Punimet e parealizuara renditen si më poshtë:

o    Për para-digën e planifikuar deri në kuotën 94 metra, ishte depozituar vetëm një pjesë e materialit.
o    Perdja e çimentimit të fashës së majtë, fashës së djathtë dhe seksionit qendror të digës ende nuk kishte filluar.
o    Nuk ishte realizuar ngritja e fashave të majtë dhe të djathtë deri në kuotën 96 metra, sipas planifikimit në grafikun e punimeve, por në kuadër të mbushjes së trupit të digës, fasha e majtë ka arritur në 87 metra dhe ajo e djathtë në kuotën e 81 metrave. Praktikisht, në atë periudhë duhej të kishte përfunduar gjithçka.
o    Po kështu, nuk kishte përfunduar ekrani i betonit për faqen e majtë dhe të djathtë të digës.
o    Nuk kishte nisur fare betonimi i pjesës kapërderdhëse (tramplina, muret, traversa dhe kanali ndihmës), të planifikuar për t’u përfunduar.
o    Nuk ishte realizuar kompletimi i seksionit standard të devijimit, ku përfshihet vepra e marrjes, pjesa qendrore dhe ajo e largimit.
o    Nuk kishin përfunduar punimet civile në veprën e marrjes, në dhomën e manovrimit, kullë dhe urën hyrëse në këtë vepër. Kjo punë, sipas grafikut, duhej të kishte mbaruar në këtë kohë.
o    Nuk ishte realizuar vendosja e dy tubave të përforcuar dhe zgara e veprës së marrjes.
o    Por ekipi thekson se koncesionari ka paraqitur situacione të punimeve të ndërtimit që kanë datën 30 tetor 2009! Shoqëria nuk raporton asnjë lloj punimi ndërtimor më vonë se kjo datë. Po kështu, ekipit të AKBN-së i janë paraqitur libreza të masave të objektit, të panënshkruara nga mbikëqyrësi i punimeve, duke mos mundësuar krahasimin e situacioneve me preventivin e punimeve.
Precedenti i 2008-ës
Në shkurt të vitit 2008, kreu i AKBN-së informonte ministrin Ruli se iu kërkua shoqërisë ndërtuese të vinte në dispozicion dokumentacionin për gjithë punimet e kryera, pagat, shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit, por në përgjigje u dha vetëm një dokumentacion që tregonte realizim punimesh në vlerë, pa asnjë hollësi tjetër. Kryetari i atëhershëm i AKBN-së kërkonte mbështetje nga autoriteti i ministrit për të vazhduar kontrollin më tej.
Ndërkohë, e njëjta agjenci konstaton më datë 25 tetor të vitit të kaluar se akti i piketimit, që duhej të hartohej para fillimit të ndërtimeve, e që të ishte një material grafik, i shoqëruar edhe nga një proces-verbal, në fakt ishte thjesht një vizatim, por mungonin pozicionet me koordinata e kuota të të gjitha objekteve të veprës siç do të ndërtohen, ku të specifikohej edhe kuota maksimale në biefin e sipërm dhe ajo minimale në biefin e poshtëm. Po kështu, raporti i mbikëqyrësit për punimet e realizuara nuk ishte firmosur e as vulosur nga dikush dhe nuk kishte një situacion përkatës. Po kështu, matjet e prurjeve 30-vjeçare, ato të katër viteve të ndërtimit apo verifikimi i seksioneve efektive dhe kapacitetit të devijimeve ekzistuese nuk ishin të nënshkruara, për disa matje nuk kishte fare vlera.
Fakti më i rëndë nga të gjitha këto konstatime të AKBN-së duket se është ai që – duke iu referuar bilancit financiar të kompanisë të vitit 2009 – investimet në pajisje e makineri janë kryer në masën e 1.5 milionë lekëve, ndërkohë që vlera totale e përfshirë në kontratë është… 129 milionë euro! Ndërkohë, dokumentacioni ishte i pashoqëruar me fatura tatimore, situacione të punimeve, madje edhe deklarata doganore për zhdoganimin e pajisjeve të importuara.
Afatet
HEC-i u planifikua për t’u ndërtuar në tre vjet, me fondet e koncesionarit, pra jo nga buxheti i shtetit. Ai duhej të kishte mbaruar që në vitin 2011, por ende nuk duket asnjë shenjë përfundimi. Në të kundërt, vijojnë ecejaket në prokurori e gjykata të koncesionarit e të nënkontraktorëve të pajtuar prek tij, që janë ndryshuar në vite. Do të jepej 10 për qind e energjisë së prodhuar në favor të shtetit shqiptar dhe pjesa tjetër do të shkonte për shitje, brenda apo jashtë vendit, si e drejtë e koncesionarit. Vepra do të ishte e para e këtij lloji që prej vitit 1986, kur hyri në punë HEC-i i Komanit, por në fakt u parapri nga ai i Ashtës.

Gazeta Standart, 18.12.2012