Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mbi 6 mijë studentë pa ngrohje, tri ditë pa energji elektrike

Faturat e energjisë janë paguar, por rrjeti i shpërndarjes është tejet i amortizuar.
Këtë herë kufizimet e energjisë elektrike kanë prekur edhe Qytetin Studenti. Mbi 6100 studentë që jetojnë aktualisht në këtë qytezë janë përballur me terr energjetik për 3 ditë me radhë. Nga autoriteti i shpërndarjes, CEZ nuk ka asnjë njoftim zyrtar për kufizim të energjisë apo remont në zonën e Qytetit Studenti, por për këtë zonë rrjeti i energjisë dhe linjat e saj janë tejet të amortizuara. Në këto kushte, kur nuk janë bërë investime dhe ngarkesa në rrjet është tepër e lartë, për shkak të motit të ftohtë, mijëra studentë gjenden në rrezikun për të mbetur pa energji elektrike, të paktën deri në fund të dimrit.
Ndonëse ngrohja në Qytetin Studenti është e kufizuar, në një situatë si kjo, banorët e kësaj qendre duhet të vishen trashë apo të mbështillen me batanije, përndryshe i ftohti i ditëve të fundit do të ishte i papërballueshëm. Burime në Drejtorinë e Qytetit Studenti sqarojnë për gazetën “Shqip” se faturat e energjisë elektrike janë paguar brenda afatit të kërkuar.
Ndërkohë që edhe për ditët në vijim pritet të ketë përsëri ndërprerje në kohën e mbingarkesës së rrjetit.
Edhe në rastet kur energjia nuk mungon studentët duhet t’i sigurojnë privatisht mjetet ngrohëse, për shkak të mungesës së investimeve. Drejtori i këtij institucioni, Bujar Brovina ka deklaruar pak kohë më parë se nuk ka fonde për të instaluar ngrohjen qendrore, kaldajat, të cilat kushtojnë shtrenjtë për t’i vendosur. Të vënë përballë kësaj vështirësie, në një kohë kur Drejtoria e Qytetit Studenti, pohon se nuk ka para për të investuar në ngrohje qendrore, të rinjtë i blejnë vetë pajisjet ose i marrin ngrohëset nga shtëpia. Kështu, çështja e ngrohjes në stinën e dimrit nuk mbetet problematike vetëm për shkollat, kopshtet apo çerdhet, por edhe për Qytetin Studenti, ku jetojnë me mijëra studentë. “Ngrohja do të vazhdojë të bëhet nëpërmjet kaloriferëve apo rezistencave, pasi instalimi i kaldajave është tepër i kushtueshëm dhe kërkon mjaft kohë. Projektin e kemi gati, por duhet gjetur burimi i financimit. Projekti quhet “Kioto”, i ideuar nga Komiteti Europian, por presim që shteti ta financojë realizimin e tij”, sqaroi drejtori i Qytetit Studenti.
Punonjësit teknikë të Qytetit Studenti, argumentojnë se rrjeti elektrik në bujtina është i amortizuar dhe se është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme të paktën për një ristrukturim të pjesshëm. “Shkalla e amortizimit të kaldajave ekzistuese në Qytetin studenti është e viteve ’82. Kështu që, dashje pa dashje kërkon investim të fuqishëm nga ana financiare. Për vite me radhë studentët janë ngrohur me kaloriferë ose me rezistenca, të cilat i kanë siguruar nëpërmjet familjarëve të tyre, përndryshe vështirë të përballohet i ftohti”, deklaroi kreu i QS, Brovina.

Gazeta Shqip, 11.12.2012