Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ne jemi të pasur (me naftë)!

Rezervat e naftës në det të hapur në Shqipëri kanë tërhequr kompaninë me bazë në Dublin, San Leon Energy PLC, e cila ka marrë një licencë për një 4208 km2 në det të hapur afër Durrësit dhe kompania Emanuelle Adriatik Energy Ltd, e regjistruar në Qipro, e cila është një degë e kompanisë izraelite, Israel Land Development Company, ka marrë një zonë në det të hapur të disa 5.070 kilometra katrorë të ujërave shqiptare…
Shqipëria ka rezerva natyrore dhe një pozitë strategjike që nëse do të menaxhoheshin si duhet, do ta bënin ndoshta vendin më atraktiv ne rajon. Rezervat e mineraleve, naftës, gazit, vija bregdetare, thyerjet e mëdha të terrenit që kthehen në avantazh ekonomik nëse përdoren si duhet për turizëm, pozita e mrekullueshme strategjike për rrugët evropiane dhe ndërkombëtare të transportit të mallrave dhe njerëzve, daljet fantastike në det që lidhin lindjen dhe perëndimin dhe njerëzit, që në të gjitha hallet dhe problemet e veta, me gjithë pasqyrën problematike të krimit dhe pasojave të tij, mbeten ndoshta më miqësorët në rajon, duke të hapur derën në të mirë e në të keq, do ta bënin Shqipërinë një vend thjeshtë të MIRË për të jetuar dhe për të rritur fëmijët.
Po shihja këto ditë ditë debatin për naftën dhe për përplasjen me Greqinë për naftën e detit Jon. Disa të dhëna të mbledhura për burimet e naftës dhe gazit në tokë dhe në det në territorin e Shqipërisë, thjeshtë të lënë pa gojë dhe vret mendjen njeriu i shkretë në këtë vend se pse nuk janë përkthyer këto pasuri në zhvillim, nivel më të lartë jetese, nivel më të ulët të krimit dhe korrupsionit, mirëqënie ekonomike dhe një shtresëzim më social të popullsisë, në krijimin e një shtrese të mesme, që me sa duket vështirë që mund ta gjesh me ato parametra që ka shtresa e mesme në vende të tjera.  
Ja një shembull…
Nxjerrja e naftës në Shqipëri filloi në vitin 1930 dhe fushat më të rëndësishme të naftës u zbuluan në vitet 1928-1929. Vendi ka rezerva nafte onshore dhe në det të hapur. Sipas Balkananalysis, Kina mori rolin udhëheqës në sektorin e naftës në Shqipëri në vitin 1970 dhe vendi arriti kulmin e prodhimit të pothuajse 43.000 fuçi në ditë, ose 2.2 milion ton në vit në atë kohë.
Në vitin 2004, kompania kanadeze e naftës dhe gazit Bankers Petroleum, nënshkroi një kontratë për Patos-Marinzën dhe fushat e Kuçovës. Prodhimi shqiptar mesatare e saj të naftës shkoi nga 600 fuçi në ditë në vitin 2004 në më shumë se 13.000 fuçi në ditë në vitin 2011. Sipas Balkananalysis, Patos-Marinza është një nga fushat e naftës më të mëdha në tokë në Evropë.
Një tjetër kompani kanadeze e naftës dhe gazit Stream oil and Gas, ka nënshkruar edhe një kontratë për tri fusha të tjera, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Ballsh-Hekal, të cilat janë në jug të Patos-Marinzës. Kjo kompani ka në plan të arrijë prodhimin e 15.000 fuçi në ditë në vitin 2015.
Rezervat e naftës në det të hapur në Shqipëri kanë tërhequr kompaninë me bazë në Dublin, San Leon Energy PLC, e cila ka marrë një licencë për një 4208 sq km në det të hapur afër Durrësit dhe kompania Emanuelle Adriatik Energy Ltd, e regjistruar në Qipro, e cila është një degë e kompanisë izraelite, Israel Land Development Company, ka marrë një zonë në det të hapur të disa 5.070 kilometra katrorë të ujërave shqiptare.
Sipas Balkananalysis, prodhimi shqiptar të naftës mund të arrijë prodhimin e disa 2,3-2.500.000 ton në vitin 2015. Të tre vendet në rajon të kuotuara për prodhimin më të madh të naftës janë Shqipëria, Rumania dhe Turqia. Rumania prodhon rreth 4.6 milion ton në vit dhe Turqia rreth 2.3 milion ton në vit.
Sipas një raporti të New Kosova Report, rezerva të mëdha dhe të paprekura të naftës dhe të gazit janë zbuluar në veri të Shqipërisë, sipas një raporti të hartuar nga Gustavson Associates LLC, në emër të Manas Petroleum Corporation, e cila ka qenë e kontraktuar nga qeveria shqiptare për të eksploruar zonën për rezerva nafte dhe gazi. Sipas raportit, rezervat mund të kenë disa 2987000000 fuçi naftë dhe 3014000000000 metra kub gaz natyror. Sipas agjencisë, Ballkani ka rezerva nafte prej 345 milion fuçi dhe 198 milionë fuçi prej tyre besohet se gjenden në territorin e Shqipërisë.
Ironi e fatit…të pasur, por të varfër, edhe kemi, edhe s’kemi, edhe dimë, edhe nuk dimë, edhe kemi të drejta, edhe nuk i përdorim dot, edhe shajmë njëri-tjetrin, edhe mbyllim gojën para shtrembërimeve, mos-funksionimit të institucioneve të shtetit, dimë të jemi të hidhur dhe të ashpër ndaj njëri-tjetrit në rrugë, në zyra, apo në parlament, por nuk e hapim gojën kur detyrohemi t’i zgjidhim punët tona të përditshme në mënyrë individuale, por jo në rrugë institucionale.
Në thelb, jetojmë në baza individuale dhe zgjidhim pothuaj cdo hall të jetës së përditshme në mënyrë individuale. Analistët, politikanët dhe vetë njerëzit e thjeshtë, nuk kanë as kohë, as mundësi dhe as nerva për të parë më thellë dhe për të analizuar pse duhet të jemi në këtë gjendje, me këto pasuri dhe pozitë strategjike që na ka falur Perëndia.
A thua se nuk janë tonat…a thua se jemi mysafirë në këtë copë tokë…
Nuk e kuptoj pse na ka humbur kjo ndjenjë e përkatësisë kolektive për atë që ky 100 vjetor i shtetit do duhej të na e kishte qartësuar dhe ngurtësuar edhe më shumë, përkatësia kolektive e shtetit, institucioneve, pasurive të përbashkëta natyrore dhe njerëzore që nuk janë të partisë, qeverisë, opozitës, parlamentit të shumë burrave dhe pak grave, por TONAT.
Kur na shajnë e na fyejnë të tjerët, nuk e bëjnë këtë mbi baza individuale, por kolektive. Kur na thonë që i kemi keq punët, na thonë Shqipëria i ka keq punët dhe është në udhëkryq kritik, kur na e përplasin para hundës krimin, qoftë ordiner, qoftë të organizuar, na thonë, ju shqiptarët, por ne, ndjejmë dhe reagojmë individualisht dhe si individë heqim dorë nga ajo që na takon, qoftë si pasuri e përbashkët, qoftë si përgjegjësi e përbashkët.
Shumë shpesh dëgjojmë këto kohë se është vota ajo që ndryshon gjithcka, më duket se është shumë, shumë më tepër se kaq.
Ajo që ndryshon gjithcka jemi ne dhe mënyra sesi e perceptojmë vendin që na jep identitetin që kemi. Sado që të përpiqemi të ndryshojmë emra, apo pjesë të tjera dytësore të identitetit tonë, deshëm apo nuk deshëm ne, ajo që na bashkon të gjithëve, emri me të cilin na thërrasin dhe thërrasim veten, është shqiptarë.
Edhe të mirët, edhe të këqijnjtë, edhe i ndershmi, edhe hajduti, edhe zemërbardhi, edhe krimineli, edhe pozita, edhe opozita, janë shqiptarë. Të mirën dhe të keqen, të drejtat dhe përgjegjësitë i kemi përsëri bashkë, pasojat e veprimeve dhe mos-veprimeve tona, i vuajmë përsëri bashkë në një mënyrë apo në një tjetër.
Pasojat e sistemit që kemi krijuar dhe krijojmë në këtë vend, i vuajmë bashkë. Askush, as edhe më i pasuri i këtij vendi, as edhe më i sigurti i këtij vendi, nuk i shpëtojnë dot pasojave të sistemit. Ndryshon forma dhe mënyra, por në thelb, bëhemi krijesa të atij sistemi që kemi krijuar vetë, secili në mënyrën e vet, në heshtjen, të folurën, reagimin apo mos-reagimin.
Dëgjoj shpesh miq dhe armiq që thonë se ne nuk e duam vendin, që i bëjmë keq me apo pa vetëdije, por më duket se e kanë gabim. Po të mos e donim vërtetë, nuk do të ishim këtu sot, do ishim zhdukur si komb, nuk do ta kishim këtë pavarësi që kemi, ashtu sic është, me të gjitha problemet që ka, nuk do të cliroheshim nga pushtimet e njëpasnjëshme të formave të ndryshme, jo vetëm me ushtri, që na morën frymën dhe vazhdojnë të na ngacmojnë.
Por në rritjen tonë si komb dhe si njerëz, ndoshta na duhet të shohim më qartë në atë që na përket dhe është e përbashkëta jonë kolektive. Pasuritë e Shqipërisë janë tonat, e drejta për t’i gëzuar është e jona, përgjegjësia për t’u kujdesur për to është jona.
Ndonjëherë më duket se me ose pa qëllim na kanë edukuar dhe vazhdojnë të na edukojnë që të shohim vetëm hallet e përditshme, individuale dhe të mos kemi as mend, as forcë, as fuqi, që të shohim përtej, në atë “big picture”, pamjen e madhe të vendit, pikërisht atë pamjen e madhe që na bën zotër dhe pronarë të këtij vendi dhe pasurive të tij, sic do duhej të ishte.    
Ndoshta ka ardhur koha të hapim sytë fort dhe të shohim përtej përditshmërisë, përtej gjërave të vogla dhe zënkave banale, që ta kemi vërtëtë tonën Shqipërinë dhe pasuritë e saj, që të kuptojmë se nuk jemi të varfër. Zoti na ka dhënë një vend të pasur!

Revista Java, 20.11.2012