Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Paguajnë faturat nga frika e shkyçjes

Aplikimi i tarifave dimërore të energjisë, të cilat janë për 19 për qind më të larta ka alarmuar qytetarët e Kosovës, të cilëve u janë ardhur shumë të shtrenjta faturat. Ata janë bërë radhë në sportelet e Korporatës Energjetikë të Kosovës (KEK) pas paralajmërimeve se nëse nuk paguhet fatura do t’i presë shkyçja dhe rikyçja edhe pas pagesës nuk bëhet për 48 orë.
Ndonëse bashkë me shtrenjtimin e rrymës fillojnë edhe reduktimet e energjisë për shkak se rritet konsumi, qytetarët thonë se megjithatë janë të detyruar t’i paguajnë faturat.
Në radhë për pagesë
Xhevdet Prebreza nga Prishtina, derisa paguante faturën e fundit prej 30 eurove në KEK thotë se çmim për të është i papërballueshëm. Ai jeton me ndihmë sociale. “Unë jam me ndihmë sociale megjithatë po mundohem t’ia dal disi, me këto kushte që i kemi shtrenjtë po na vjen rryma, 30 deri në 35 euro në muaj.
Me furnizim nuk është keq, vetëm se pagesa është e shtrenjtë, mund ta merrni me mend se me ndihmë sociale si mund t’i dalësh në fund muajit me këto çmime, në përgjithësi”, ka thënë Prebreza.
Ankesa të ngjashme ka edhe Fikrete Lana e cila e quan jonormale ngritjen e çmimit të rrymës pasi që ankohet për kushte jo të mira jetese. Ajo derisa po paguante një pjesë të borxhit të saj thotë se e ka ndarë të paguaj me këste pasi që nuk mund ta përballojë pagesën totale çdo muaj. “Nuk kam me çka, burri merr një pagë mesatare, unë nuk punoj, fëmijët ende në shkollë. Mirëpo edhe pse të larta do të duhej bile të mos ketë reduktime. Ne jetojmë në banesë kolektive, mundësi për t’u ngrohur me dru nuk kemi, ‘Termokosi’ po dihet se si është, rrymë po ashtu s’po ka me rregull, veç zoti na ndihmoftë”, ka thënë ajo.
Abdullah Ismaili, imam i Xhamisë në Miradi të Epërme, ka një hall tjetër. Ai po mundohej se si ta vërë në funksion rrymën elektrike në këtë xhami. Thotë se nuk po di se kujt t’i drejtohet për këtë gjë, ngase si në Fushë Kosovë ashtu edhe në Prishtinë topin ia gjuajnë njëri tjetrit. “Në KEK isha për xhami, e kanë vendosur një orë para një muaji, ne nuk e kemi paraqitur, ata natën e Bajramit e kanë ndërprerë rrymën, në terr e kemi falur Bajramin. Përgjegjësit në Fushë Kosovë thonë: shko në Prishtinë, këta këtu thonë: shko në Fushë Kosovë. Xhemati i kanë mbledhur të hollat për t’i paguar, po duhet të endemi andej këtej, kush nuk të jep përgjigje të saktë se ku duhet”, ka thënë ai.
Ngritje edhe e çmimit të ujit
Problemin me çmim të lartë qytetarët nuk e kanë me ujin, edhe pse në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” ankohen për mospagesë të rregullt. “Po jam pagues i rregullt, nuk kam borxhe, gjithashtu faturat vijnë në rregull, pa ndonjë gatërresë. Unë banoj në lagjen “Dardania”, vetëm në mbrëmje deri në mëngjes ndalet.
Duhet të kemi kujdes dhe ta ruajm pasi që pa ujë s’ka jetë. Faturën e fundit që e pagova është 7.80 euro”, ka thënë Ramush Berisha. Tarifa e aplikueshme për këtë vit mbi bazën e indeksit të çmimeve të konsumit të publikuar nga ESK për periudhën 10/2010-10/2011 (1 janar 2012-31 dhjetor 2012) shtëpiak është, 37 centë metër kub (2 centë më shumë), ndërsa institucional dhe industrial është 87 centë për metër kub (4 centë më shumë).
Sa i përket furnizimit me ujë Arberie Zogiani, zyrtare për informim në Ujësjellës, ka thënë se me rënien e temperaturave është stabilizuar mirëpo furnizimi pandërprerë pritet të ndodhë tek në vitin 2016. “Furnizimi për 24 orë deri të ndërtohet fabrika e re në Shkabaj është i pamundur për shkak se kapaciteti është i vogël që t’i përballojë nevojat e konsumit. Në vitin 2013 fillon ndërtimi i fabrikës dhe përfundon në 2016, më pastaj pas hyrjes në funksion pritet që për 30 vite të ardhshme të ketë furnizim të rregull me ujë”, ka thënë ajo.
Në Indeksin e Çmimeve të Konsumit të publikuar nga Agjencia e Statistikave për muajin tetor thuhet se çmimet e konsumit në Kosovë gjatë muajit tetor kanë qenë për 0,8 për qind më të larta se në muajin shtator. Gjatë muajit shtator një kilovat energji elektrike mesatarisht ka kushtuar 4.6 centë. Sipas ASK-së në muajin tetor, një kilovat orë energjie elektrike ka kushtuar 6.4 centë, pasi ka filluar aplikimi i tarifës dimërore të energjisë elektrike. Këto tarifa, që nga ZRRE-ja quhen tarifa të sezonit të lartë, do të jenë në fuqi deri më 31 mars të vitit 2013.

Gazeta Zeri, 14.11.2012