Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Aksham pazari i Distribucionit

Vetëm ndërtesa e “Elektrokosovës” përballë Katedrales Katolike në Prishtinë vlen 26.3 milionë euro, aq sa e ka shitur Qeveria kompaninë e Distribucionit dhe Furnizimit kompanisë turke “Çalik-Limak Energy” .
Në këtë çmim nuk përfshihet vetëm objekti i sipërpërmendr, por një listë e gjatë e pronave të paluajtshme dhe të luajtshme që gjenden në qendrat kryesore të Kosovës.
Sindikalistët e “Elektrokosovës” shprehin habinë se si doktori i ekonomisë, Besim Beqaj, pranoi ta nënshkruajë shitjen e Distribucionit me 26.3 milionë euro, pa e marrë parasysh vlerën reale të aseteve të kompanisë.
“Shitja e distribucionit me këtë çmim është skandaloze, sepse vlera reale e aseteve është shumë fish më e lartë”, shprehet Fehmi Pajaziti, kryetar i Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova”.
Ai shton se edhe këshilltarët e transaksionit kanë bërë vlerëismin e aseteve të distribucionit, mirëpo kjo, siç thotë ai, ka qenë jo e saktë, injoruese dhe nënçmuese për shtetin e Kosovës.
Lista e gjatë e aseteve të shitura
Kryesindikalisti Pajaziti zbardh listën e aseteve të distrbucionit, të cilat, siç thotë ai, i janë falur kompanisë turke.
Me 26.3 milionë euro, sipas Pajazitit, “Çalik-Limak Energy” ka blerë këto asete:
Ndërtesa afariste e “Elektrokosovës” në Prishtinë, e cila ka 10 mijë e 703 metra katror dhe 34 ari tokë, placin e depos qendrore që gjindet në Zonën Industriale në Prishtinë me një sipërfaqe prej 4 hektarë e 53 ari e 29 metra katror. Vetëm kjo e fundit vlenë mbi 9 milionë euro.
“Vetëm ndërtesa nëse llogaritet me një çmim minimal prej 2300 euro metri katror, vlen hiç më pak se 24.6 milionë euro, pa i përfshirë këtu edhe 34 ari tokë që i ka”, pohon Pajaziti.
Sipas tij, përpos kësaj janë shitur edhe 7 objekte në qytetet krysore të vendit, të cilat gjinden në qendër të qyteteve dhe 19 objekte të nëndistrikeve.
Kompania turke do të bëhet pronare edhe e më shumë se 33 trafove aktive të tensionit 35/10kilovolt, ku një trafo e këtij lloji kushton 1 milionë euro, mbi 7000 trafo të tensionit 10/0.4kilovoltë me një vlerë mesatare prej 42 milionë euro, 21 mijë kilometra përçues ajror dhe nëntokësor, 100 mijë shtylla elektrike nivelesh të ndryshme me një vlerë prej 24 milionë euro, rreth 1000 automjete të distribucionit, etj.
“Për çdo aset disponojmë edhe dokumentacionin e nevojshëm kadastral”, shprehet ai.
MZHE: Distribucioni gjeneroi humbje
Zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik(MZHE) pranojnë se si pjesë e Privatizimit të Kompanisë së Distrbucuoinit dhe Furnizimit janë përfshirë të gjitha asetet e sektorit të Distribucionit dhe Furnizimit me energji elektrike të KEK.
Po ashtu, sipas tyre, blerësit të ri do t’i transferohen të gjithë punonjësit e këtyre sektorëve, që numërojnë rreth 2700 të punësuar.
Zyrtarët për informim në MZHE konfirmojnë se Ndërtesa e Elektrokosovës, Bulevardi Bill Klinton Nr. 03, është aset i distribucuinit dhe si i tillë do t’i transferohet kompanisë së re, të cilën e ka blerë kompania “Kosovo Çalik Limak Energy”.
Sipas MZHE-së, në listën e aseteve që do të transferohen te privatizuesi “Kosovo Çalik Limak Energy” është rrjeti i shpërndarjes që e përbëjnë nënstacione 35/X kV dhe linjat e tensionit 35 kV. Për shembull: trafostacionet 35/10 kV janë 49 copë, ndërsa trafostacionet 10/0.4 kV janë rreth 7000 copë në tërë Kosovën dhe këto janë asete që do të transferohen.
“Vlen të theksohet se Distribucioni dhe Furnizimi i KEK’ ut kanë pasur një operim i kushtueshëm për Buxhetin e Kosovës. Vite me radhë, (nga viti 2007 deri sot) rreth 200 milionë euro i ka kushtuar buxhetit operimi i kësaj ndërmarrje, e cila ka vazhduar të gjenerojë humbje, si pasoj e jo efikasiteteve. Qëllimi kryesor i këtij privatizimi ka qenë që të sigurohen investime në këtë sektor, dhe se kjo është arritur duke i siguruar rreth 300 milionë investime euro për 15 vitet e ardhshme”, bëjnë të ditur zyrtarët e MZHE-së, duke shtuar se kontratat e punëtorëve janë mbrojtur dhe të gjitha garantohen me Ligj dhe me vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa zëdhësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, ka thënë për “Zërin” se Korporata nuk është e autorizuar të ofrojë shënime zyrtare rreth aseteve në fjalë.
Çmimi i ulët
Ethem Çeku, ish- ministër i Energjisë dhe Minierave, nuk e shesh si problem të madh çmimin e sitjes së distribucionit.
Sipas tij, në këtë drejtim më të rëndësishme janë investimet që ata duhet t’i bëjnë në distribucion.
“Tash shtrohet pyetja a do të kenë vullnet apo mbikëqyrje që ata t’i investojnë 300 milionë ero sa kanë premtuar. Këtë e shoh unë si problem”,tha ai.
Ish- ministri Çeku thotë se Kosova ka humbur dhe po humb investitorë të rëndësishëm, që sipas tij, është dashur t’i ketë vendi ynë.
“Kosova ka humbur kompani që vijnë nga vende që janë mbretër të energjetikës, ndërkaq së fundit distribucionin ua ka shitur kompanive që nuk kanë ndonjë të kaluar në këtë drejtim”, pohon Çeku.
Ndërsa Luan Shllaku nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) thotë se çmimi me të cilin është shitur distribucioni është tepër i ulët.
Sipas tij, çmimi i distribucionit në Kosovë do të duhej të ishte pak a shumë i përafërm më ata të rajonit.
“Të them të drejtën, unë nuk jam marrë direkt me distribucionin. Por, kur i sheh vetëm objektet e distribucionit në Prishtinë e sheh se çmimi është shumë i ulët”,tha ai.
VV: Era korrupsion
Dardan Sejdiu nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se modeli dhe mënyra e privatizimit te distribucionit, por edhe të gjitha ndërmarrjeve publike na shpie te vetëm një konstatim, e ai është ai korrupsioni.
Sipas tij, logjika dhe modeli që pretendohet se është përdorur nga Qeveria, është asgjë më shumë se retorike boshe, sepse, sipas tij, ky proces dhe ky model, por edhe kjo logjikë, nuk është as logjika e tregut, sepse vlera minimale nuk është përcaktuar fare.
Po ashtu, siç thotë ai, kjo mënyrë e privatizimit, nuk ka as logjikë financiare, pasi që siç po shihet vetëm objektet dhe patundshmëritë kanë vlerë dyfish më të madhe se çmimi i shitjes.
Ai tha se kompania që e ka privatizuar distribucionin, ka treg të garantuar, e që i sjell të hyra të garantuara mujore.
“Nuk është as logjike investive, sepse investimet nuk janë të përcaktuara, por janë të përgjithësuara dhe të shpërndara në afat 15 vjeçar, e që është 20 milionë në vit, aq sa janë përafërsisht te hyrat mujore të distribucionit, e qe mund te shkojnë përsëri pas tek kompania qe e ka blerë me një kreativitet financiar e qe këta qeveritarë nuk e kane telashe me e përkrahë”,tha ai për “Zëri”.
Sipas tij, për me shume vetëm qytetaret e Kosovës në 12 vitet e fundit kanë investuar se paku dyfishin ne distribucion, duke financuar ndërtimin e trafove dhe te ngjashme, duke besuar se janë duke investuar në pronë publike.
“Qytetarët e kanë ndërtuar, qeveritaret e kanë shitur, dhe ne proces çmimet po ngritën e qeveritaret po pasurohen”, shtoi ai.
Përndryshe, javë më parë gazeta “Zëri” ka raportuar se kompania turke “Çalik-Limak Energy” investimet e premtuara prej 300 milionë euro në distribucionin e energjisë së Kosovës gjatë 15 vjetëve të ardhshme i kushtëzon me aprovimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që këto investime të reflektojnë në tarifat e energjisë elektrike.
Kjo bëhet e ditur në kontratën e nënshkruar për privatizimin e Kompanisë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike mes Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe kompanisë turke.
Një burim i gazetës “Zëri”, i afërt me procesin e shitjes së distribucionit të KEK-ut, thotë se është e pashmangshme rritja e tarifave të energjisë në të ardhmen.
“Është qartësuar edhe në kontratë. Investimet prej 300 milionë euro do të kushtëzohen me rritje të tarifave të energjisë. Këtë gjë ka pranuar ta nënshkruajë Qeveria e Kosovës”, bën të ditur burimi.
Po ashtu është thënë se blerësi i ri do t’i rrisë tarifat e energjisë elektrike, ashtu siç është vepruar me rastin e privatizimit të distribucionit të energjisë në vendet fqinje si: Maqedoni, Shqipëri etj.
Asetet e shitura për 26.3 milionë euro
– Ndërtesa e “Elektrokosovës” në Prishtinë me 10 mijë e 703 metra katror me 34 ari tokë.
– Depoja qendrore në Zonën Industriale në Prishtinë me një sipërfaqe prej 4 hektarë e 53 ari e 29 metra katror.
– 7 objekte në qendrat kryesore të Kosovës.
– 19 objekte të nëndistrikteve.
– 33 trafo aktive të tensionit 35/10kilovolt.
– 7000 trafo të tensionit 10/0.4kilovoltë.
– 21 mijë kilometra përçues ajror dhe nëntokësor.
– 100 mijë shtylla elektrike nivelesh të ndryshme.
– 1000 automjete të distribucionit.

Gazeta Zeri, 29.10.2012