Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kushti i Athinës: “Na jepni Ujërat, që të forcojmë stabilitetin dhe marrëdhëniet”

“Në mjedisin e ri të miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë, që është formuar mes Shqipërisë dhe Greqisë, është e rëndësishme për të adresuar direkt, me vullnetin e duhur politik, problemet kronike dhe çështjet e pazgjidhura që ekzistojnë, duke i dhënë përparësi zgjidhjes së delimitimit të Marrëveshjes së Zonave Detare midis dy vendeve”, është shprehur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregori Delavekuras, gjatë një konference për shtyp, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve. Duke theksuar se “adresimi sa më parë i kësaj çështjeje kërkon vullnet politik”.
Athina zyrtare ka përdorur në mënyrë të tërthortë se për ujërat do t’ju shpërblejmë me ‘forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe stabilitet në rajon”..
“Zgjidhja sa më parë e marrëveshjes së ujërave detare me Shqipërinë do të ishte një hap vendimtar drejt forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, si dhe garant për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, ka theksuar Delavekuras. 
Duke shtuar se “javën e kaluar kemi pasur një vizitë shumë të suksesshme të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë në vendin tonë, vizitën e parë pas disa vitesh. Dëshira e qeverisë greke dhe ministrit të Jashtëm, Dimitris Avramopulos, është për të inaguruar një shtysë të re në marrëdhëniet tona me Shqipërinë dhe për të krijuar kushtet për bashkëpunim strategjik me këtë vend, në të gjitha nivelet”, deklaroi ai.
Ndërkaq Delavekuras ka qenë në sinkron edhe me atë çfarë ka deklaruar edhe ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, duke vlerësuar se çështja e ujërave duhet të zgjidhet në bazë të ligjeve ndërkombëtare.
E në këtë frymë të re të marrëdhënieve mes dy vendeve, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke e ka vlerësuar të sukseshme vizitën e një jave më parë në Athinë të ministrit Panariti.

Gazeta Shekulli, 12.10.2012