Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Presidenti i BERZH Chakrabarti mbështet sektorin energjitik në Shqipëri

Gjatë qëndrimit në Slloveni, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me një grup përfaqësuesish të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga z. Suma Chakrabart, Presidenti i ri i kësaj banke.
Presidenti i BERZH u shpreh se institucioni financiar që ai drejton, e konsideron Shqipërinë si një partnere të saj dhe se bashkëpunimi dhe projektet me Shqipërinë kanë qenë dhe janë të suksesshme. Ai e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen, si dhe shprehu vlerësimin për performancën e qeverisë dhe të Shqipërisë në tërë këto vite bashkëpunimi, veçanërisht, në vitet e fundit, në kushtet e krizës botërore që po vazhdon. “E njoh Shqipërinë si një përthithëse të projekteve tona të suksesshme dhe shpreh besimin se bashkëpunimi e lidhja e fortë që kemi, do të jetë afatgjatë”, u shpreh Presidenti i BERZH, duke vënë në dukje se kjo Bankë ka përgatitur një strategji të re, me mbështetje të fokusuar në projekte infrastrukture, energjie, privatizime, etj. Po ashtu, në fushën e forcimit të institucioneve është destinuar një fond i konsiderueshëm për të mbështetur këtë proces.
Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin e BERZH për mbështetjen dhe bashkëpunimin e Bankës që ai po drejton dhe theksoi se qeveria shqiptare e konsideron BERZH-in si një partner shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit të vendit e të lirisë së ekonomisë së tregut. Ju, – u shpreh Kryeministri, – jeni pjesë e progresit dhe arritjeve tona, me mbështetjen e gjithanshme të dhënë deri sot dhe me projektet për të ardhmen.
Duke bërë një panoramë të zhvillimeve në vend, Kryeministri  Berisha tha se qeveria po vazhdon projektet e infrastrukturës kombëtare, rurale e të gjithëllojshme, si baza e zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm. Po ashtu, sektori i energjisë po përthith projekte të shumta e të mëdha të prodhimit të energjive të rinovueshme, si HEC-e, impiante ere, etj. Turizmi gjithashtu përbën një prioritet, si fushë me potenciale të mëdha për t’u investuar e zhvilluar. Forcimi i institucioneve ka qenë dhe është një proces i vazhdueshëm.
Kryeministri i prezantoi Presidentit të BERZH punën e bërë në fushën e energjisë së rinovueshme, që nga viti 2007 e në vazhdim, të kurorëzuar me dhënien me koncesion të rreth 330 HEC-eve, nga të cilat 72 tashmë të përfunduara e në prodhim me kapacitet 125 mega dhe 50 të tjera në proces. Potencialet janë akoma më të mëdha, prandaj mbështetja me financime i këtij sektori është shumë e rëndësishme.
Kryeministri Berisha theksoi se kriza mbarë botërore ka shteruar kreditimet dhe i ka bërë bankat mëma evropiane e të tjera ndërkombëtare shume hezituese e të shtrënguara. Ndërkohë, sektori privat në të gjitha fushat ku ka gjeneruar projekte, ka nevojë të vazhdueshme për financime. Kryeministri nënvizoi se mbështetja dhe fuqizimi i sektorit privat me lehtësira e nxitje investimesh, si dhe me financime, është vitale për të garantuar rritje ekonomike, punësim e zhvillim dhe roli i BERZH në këtë drejtim mund të të jetë më i madh dhe kompensues për të zbutur efektin e mungesës së kredive e për të sjelle know how-n e domosdoshëm për bizneset e reja e të brishta, nëpërmjet partnerizimit. Ai u shpreh se penalizimi i vendeve si Shqipëria, që nuk është pjesë e eurozonës, por vuan efektet e politikave frenuese të bankave të eurozonës, mund e duhet të zbutet nga institucionet financiare si BERZH.
Më tej, Kryeministri Berisha e garantoi Presidentin e Bankës për vazhdimësinë e reformave, mbajtjen e rritjes ekonomike, ekuilibrin makroekonomik dhe kujdesin për borxhin publik e deficitin buxhetor në normat dhe objektivat e përcaktuar. Ndërkohë, punësimi, konkurueshmëria e ekonomisë, rritja e pagave dhe standardeve të jetesës, janë pjesë e pandarë e politikave të qeverisë shqiptare.
Nga ana e tij, Presidenti i BERZH-it siguroi kryeministrin Berisha se kjo Bankë do te vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë, por edhe në nivel rajonal, duke inkurajuar sektorin privat me mbështetje financiare dhe partneritet.
Në kuadrin e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, në aktivitetet e gjithanshme që po zhvillohen, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin të bënte vizitën e tij të parë në Shqipërinë e ndryshimeve demokratike dhe ekonomike të mëdha e të shpejta. Presidenti i BERZH i premtoi Kryeministrit Berisha se do ta vizitonte Shqipërinë në një kohë të ardhshme.

energjia.al, 04.09.2012