Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Filloi dje gjyqi i Bankes se Azerbajxhanit ndaj ARMO-s per 75 milion euro

Nr. i Çështjes: 15370
Dt. e regjistrimit: 03.09.2012
Paditesit: Banka Kombetare e Azerbaixhanit IBA 
Te paditurit: Shoqeria ”A.R.M.O” sh.a. ,  Shoqeria ”Anika Mercuria Refinery Associated Oil” sh.a. (AMRA OIL) ,  Shoqeria Banka Credins sh.a.
Lloji i Çështjes: Padi Kontrate Bankare (Neni 1024-1049)
Baza Ligjore: Neni 1024 – 1049 
Objekti: Kthim shume detyrim i paleve te paditura tu kthejne paditesit shumen prej 75,000,000 euro detyrim i paleve te paditura per te shperblyer demin e shkaktuar nga mospermbushja ne kohe e detyrimit ligjerimi i mases se sigurimit te padise
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Ilir Çeliku

energjia.al, 04.09.2012

Pas sekuestros, azerët kërkojnë tjetër vendim ndaj biznesmenit Taçi

Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka ngritur një tjetër padi në Gjykatën e Tiranës për kthimin mbrapsht të 75 milionë eurove nga kompanitë e biznesmenit Rezart Taçit. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për sekuestro ndaj kompanive dhe llogarive bankare të biznesmenit, tashmë azerët i janë drejtuar po të njëjtës gjykatë, me një tjetër padi për ARMO-n, AMRA-n dhe bankën “Credins”.

Padia nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit është regjistruar dje në Gjykatën e Tiranës, ku të paditurit rezultojnë që janë pikërisht Shoqëria “ARMO” sh.a., Shoqëria “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” sh.a. (AMRA Oil) dhe Shoqëria Banka “Credins” sh.a. Sipas të dhënave zyrtare nga gjykata e Tiranës, paditësi kërkon kthimin e shumës së parave prej 75 milionë eurosh, detyrim i palëve të paditura për të shpërblyer dëmin e shkaktuar nga mospërmbushja në kohë e detyrimit. Nga padia mësohet se kemi të bëjmë me mosreskeptimin e kontratës bankare, objekt i një urdhri ekzekutimi të dalë më parë për sekuestro të tre kompanive, po nga Gjykata e Tiranës. Bëhet fjalë për vendosjen e sekuestros, sipas kërkesës së bërë nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, (International Bank of Azerbajixhan, I.B.A), e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri, në nëntor të vitit 2008 ka depozituar në bankën “Credins” 75 milionë euro. Mësohet se shuma e përmendur më sipër është depozituar në tre këste. Kësti i parë është depozituar më datë 18 nëntor 2008, në shumën 30 milionë euro, kësti i dytë është depozituar më datë 19 nëntor 2008, në masën 40 milionë euro dhe kësti i fundit, më datë 21 nëntor i të njëjtit vit, në shumën 5 milionë euro.

Gjatë kohës në të cilën është kryer transferta bankare, “AMRA Oil” kishte fituar tenderin për shitjen e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a. dhe ishte në proces të përmbylljes së kontratës dhe kryerjes së pagesës. Në këtë periudhë këto fonde ishin të domosdoshme për të realizuar blerjen e 85% të aksioneve të shoqërisë. Në kushtet kur I.B.A nuk arriti të kryente investime, aktivitet në Shqipëri, ose të kishte pjesëmarrje në shoqëri të tjera, kërkoi nga Banka dhe shoqëria “Amra Oil” sh.a, rikthimin e shumës prej 75 milionë euro të depozituar. Kjo e fundit në datë 15.07.2010, i kthen bankës IBA një shumë prej 1.5 milionë euro, e cila është dhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese. Në këto kushte IBA ka kërkuar kthimin e menjëhershëm të të gjithë vlerës së detyrimit ,së bashku me interesat dhe fitimin e munguar, në vlerën totale prej 115 milionë euro. Në mungesë të një përgjigjeje zyrtare nga debitorët, IBA i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për “Marrjen e Masës së sigurimit të padisë”.

Por, azerët nuk janë mjaftuar vetëm me urdhrin e ekzekutimit, kështu që kërkojnë të marrin paratë e tyre edhe me vendim tjetër gjykate në formë të prerë. Madje, seanca e parë pas padisë së regjistruar dje me numrin 15370, është vendosur të kryhet sot në orën 13:30. Nëse, shoqëritë e paditura nuk do i përgjigjen sërish Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, atëherë ata marrin në dorëzim pasuritë e vendosura në sekuestro me vendimin e mëparshëm. Aktualisht, gjykata ka vendosur sekuestro konservative për pasuritë e paluajtshme të “Credins”;, mbi 85% të aksioneve të shoqërise “ARMO” sh.a. të zotëruara nga shoqëria AMRA Oil sh.a.; mbi llogaritë bankare të shoqërisë “AMRA Oil”; mbi llogaritë bankare të shoqërisë “Armo”; mbi pasuritë e paluajtshme të shoqërisë “ARMO” dhe mbi gjendjen e stokut të kësaj shoqërie, duke mos lejuar tjetërsimin e tyre deri në përfundim të gjykimit.

Kërkesa: Azerbajxhani mund të marrë

85% të aksioneve të ARMO-s

Gjatë gjykimit të çështjes mes AMRA Oil dhe bankës IBA rezultoi se nga ana e AMRA Oil sh.a. janë blerë aksionet e shoqërisë ARMO sh.a. dhe në këto kushte, e vetmja pasuri e kësaj të fundit janë aksionet që ajo zotëron në këtë shoqëri. Ndërkohë, gjykata ka konstatuar se me vërtetimin e sekretarisë gjyqësore që pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, datë 1.8.2012 ka nisur edhe një proces tjetër gjyqësor ndaj shoqërisë ARMO sh.a. me paditës shoqërinë “Albpetrol”, e cila kërkon një shumë prej 5 miliardë lekësh, si përmbushje e detyrimeve kontraktore, si dhe penalitete në masën 269 milionë lekë. Nga sa më sipër, rezulton se ekzistojnë dhe kreditorë të tjerë, të cilët mund të kenë pretendime mbi aksionet e shoqërisë ARMO, 85% të të cilave zotërohen nga shoqëria AMRA Oil sh.a. Bazuar në vendimin e Gjykatës së Tiranës, rezulton se, nëse kompania AMRA oil nuk do të jetë në gjendje të shlyejë detyrimin ndaj bankës azere, kjo bankë me kapital shtetëror do të fitojë pronësinë mbi 85 për qind të aksioneve të kompanisë ARMO, sh.a. Në një rast të tillë, ish-kompania shtetërore e përpunimit dhe e tregtimit të naftës, e cila iu shit në vitin 2008 një konsorciumi shqiptaro-amerikan, do të kontrollohet nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, ku paketën kontrolluese të aksioneve e zotëron qeveria azere.

Baza ligjore
Disa nga nenet ku bazohet padia ndaj Taçit për kontratën bankare

Neni: 1024

Kur depozitohet një shumë parash pranë një banke, kjo fiton pronësinë dhe është e detyruar t’i kthejë në të njëjtën lloj monedhe, me skadimin e afatit të përcaktuar ose me kërkesën e depozituesit, duke pasur parasysh periudhën e lajmërimit të përcaktuar nga palët ose nga zakoni bankar.

Neni: 1026

Në qoftë se libreza e kursimit është e pagueshme tek prurësi, banka që pa dashje dhe pa faj të rëndë kryen shërbimin përballë poseduesit, nuk përgjigjet edhe në qoftë se ky nuk është depozituesi. E njëjta dispozitë zbatohet në rastin kur libreza e depozitës, e pagueshme tek prurësi, të jetë lëshuar në emër të një personi të caktuar.

Neni: 1027

Banka që merr dhe pranon depozitat e titujve në administrim duhet t’i ruajë titujt duke marrë interesat ose dividentet, të verifikojë tregtimin për çmimin ose për ripagimin e kapitalit…

Neni: 1028

Banka, për shërbimin e kasetave të sigurimit, përgjigjet kundrejt përdoruesit për aftësinë paguese, ruajtjen e lokalit dhe për paprekshmërinë e kasetës, përveç ndonjë rasti fator.

Neni: 1029

Kur kaseta është në emër të disa personave, hapja e saj i njihet secilit prej tyre, përveç ndonjë marrëveshjeje të kundërt. Në rast vdekje të mbajtësit të vetëm ose të njërit të këtyre mbajtësve, banka, që ka marrë njoftimin, mund të lejojë hapjen e kasetës me marrëveshjen e të gjithë atyre që e kanë /////të drejtë, ose sipas mënyrës së përcaktuar nga gjykata.

Neni: 1030

Kur afati i kontratës ka mbaruar, banka mbas një lajmërimi të mbajtësit ose me kalimin e gjashtë muajve nga data e mbarimit, mund t’i kërkojë gjykatës autorizimin për hapjen e kasetës. Lajmërimi mund të bëhet edhe nëpërmjet postës rekomande të konfirmuar. Hapja kryhet në praninë e një noteri duke pasur parasysh edhe masat që gjykata i quan të nevojshme. Gjykata mund të urdhërojë marrjen e masave të nevojshme për ruajtjen e objekteve të gjetura, duke përfshirë edhe shitjen e një pjese të tyre, që është e nevojshme për të plotësuar shpenzimet e bëra nga banka.

Neni: 1034

Banka nuk mund të tërhiqet nga kontrata përpara mbarimit të afatit të kontratës, përveç rasteve të arsyeshme, ose kur ka marrëveshje tjetër. Heqja dorë ndërpret menjëherë përdorimin e kredisë, por banka duhet të caktojë një afat të paktën prej pesëmbëdhjetë ditësh për kthimin e shumave të përdorura dhe ato plotësuese. Kur dhënia e kredisë është në një kohë të pacaktuar, secila prej palëve mund të tërhiqet nga kontrata nëpërmjet lajmërimit në afatin e caktuar në kontratë, që përdoret zakonisht ose, në mungesë të tyre, brenda pesëmbëdhjetë ditëve.

Neni: 1041

Kur depozita, çelja e kredisë ose veprimet e tjera bankare janë rregulluar në llogarinë rrjedhëse, klienti mund të disponojë në çdo kohë shumat që rezultojnë në kredinë e tij, përveç kur rezerva e afatit, është parashikuar në marrëveshje.

Neni: 1042

Në rast se midis bankës dhe klientit ekzistojnë disa marrëdhënie ose disa llogari, edhe në monedha të ndryshme, teprica aktive dhe pasive kompensohen në mënyrë reciproke, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.

Neni: 1043

Në rastin kur llogaria likuiduese është në emër të disa personave, me të drejtën për të kryer veprime edhe në mënyrë individuale, këta persona quhen kreditorë ose debitorë solidarë të tepricave të llogarisë.

Neni: 1044

Në rast se veprimet në llogarinë rrjedhëse janë për një kohë të pacaktuar, secila prej palëve mund të tërhiqet nga kontrata, duke lajmëruar palën tjetër brenda afatit të caktuar në kontratë ose në mungesë të tij, brenda 15 ditëve.

Neni: 1045

Banka përgjigjet sipas dispozitave që rregullojnë kontratën e porosisë për ekzekutimin e detyrimeve të marra nga depozituesi ose nga një klient tjetër. Në qoftë se ky detyrim duhet të kryhet aty ku nuk ekzistojnë degë të bankës, kjo mund të ngarkojë për ekzekutim një bankë tjetër.

Neni: 1046

Për llogarinë rrjedhëse zbatohen edhe nenet 1016,1019,1022.

Neni: 1047

Skontoja është kontrata me anë të së cilës banka, duke zbatuar kamatën i jep klientit vleftën e një kredie ndaj të tretëve, që nuk ka mbaruar akoma, nëpërmjet cedimit.

Neni: 1048

Në qoftë se skontoja bëhet nëpërmjet xhirimit të kambialit ose të çekut bankar, banka, në rast se nuk kryhet pagimi, përveç të drejtave të rrjedhura nga titulli, gëzon edhe të drejtën e kthimit të paradhënies. Ruhen dispozitat e ligjeve të veçanta lidhur me çekun dhe kambialin.

Neni: 1049

Banka që ka skontuar kambialet e dokumentuara, gëzon mbi mallin të njëjtin privilegj që ka edhe i porosituri, deri sa titulli përfaqësues është në posedimin e tij.

Gazeta Shqip, 04.09.2012