Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

S’ka tokë për kompensim, shteti të na bëjë aksionerë në naftë dhe energjetikë

Qeveria deklaron ka aktualisht një sipërfaqe prej 71 mijë hektarë pyje dhe 17 mijë hektarë tokë bujqësore, të cilët thotë se e ka përfshirë në fondin e kompensimit fizik, por kjo nuk merret në konsideratë nga pronarët. Duke marrë parasysh faktin që sipas tyre nuk ka më hapësira se ku të bëhet kompensimi fizik, ata propozojnë që shteti t’i kompensojë duke i bërë pjesë të procesit të privatizimeve që po kryhen tani tek “Albpetroli”, katër HEC-et si edhe të aksioneve shtetërore tek Albtelekom apo CEZ Shpërndarja.
z.Toro, qeveria ka deklaruar se ka një hapësirë prej 71 mijë hektarë pyje dhe 17 mijë hektarë tokë bujqësore, por edhe godina shtetërore që do të përdoren për kompensimin fizik, si i vlerësoni këto hapësira në raport me pritshmëritë tuaja?
Ajo shifër është publikuar nga qeveria, por që nuk ka asnjë të dhënë që lidhet me detyrimet që shteti i vendos Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të realizuar kompensimin. Pra, nuk ka të dhëna se ku ndodhet kjo sipërfaqe toke që do të përdoret për kompensim fizik, sa është numri i parcelave, kufijtë me të cilat ato ndahen etj. Të gjithë këto të dhëna i mungojnë edhe AKKP-së për të filluar procesin e kompensimit fizik. Nëse do të ishin vënë në dispozicion këto hapësira, ato do të ishin përdorur nga AKKP-ja dhe do të kishte filluar tashmë kompensimi. Pse nuk është përdorur që nga viti 2008?
Po sepse është deklaruar se fillimisht duhet të mbarojë verifikimi i titujve të pronësisë në të gjithë vendin, njohja e pronës si edhe procesi i legalizimeve dhe pastaj të fillohet me kompensimin fizik të pronarëve…
Nuk ka lidhje me legalizimet kjo punë. Përkundrazi, shteti shqiptar ka miratuar ligj për të rishpërndarë tokat sipas ligjit të famshëm 7501. Janë disa ligje që janë miratuar, i fundit në muajin prill, të cilët parashikojnë vijimin e shpërndarjes së tokës sipas ligjit 7501. Ka një udhëzim të Këshillit të Ministrave i miratuar javën e kaluar, për dhënien me qira të tokave deri në 99 vjet. Ky është problemi, pasi shteti nuk dihet nëse i ka përdorur ose jo këto sipërfaqe që thotë se janë për kompensim fizik, duke zbatuar këto ligje apo jo. Dhe fakti që nuk i janë vënë në dispozicion AKKP-së për të bërë kompensimin fizik vë në dyshim ekzistencën e tyre.
Por qeveria është duke verifikuar pronat që janë shpërndare me ligjin 7501 dhe ato që do të kapen se janë dhënë në mënyrë abuzive, do t’u hiqen atyre që i kanë dhe do të përfshihen në fondin e kompensimit fizik…
Ai është ligji për verifikimin e titujve të pronësisë, nga i cili u konstatua se 17 për qind e tokave të ndara me ligjin 7501, ishin dhënë në mënyrë abuzive. Por edhe për këtë doli një ligj tjetër për rregullimin e kësaj situate, që të gjithë ata që kanë marrë tokat në mënyrë abuzive, t’u kalonte ajo në pronësi. Në vend që t’u hiqej, miratuan kalimin e tokës së marrë me shkelje, në pronësi. Është ligj i miratuar këtë vit.
Po thoni që situata është kthyer aty ku ka qenë?
Është përkeqësuar madje. Shteti deri më sot nuk ka dhënë asnjë milimetër katror tokë në dispozicion të Agjencisë së Pronave për të realizuar kompensimin fizik.
As ju nuk keni ndonjë ide se ku ka hapësira të lira për kompensim fizik?
Absolutisht jo. Nuk ekziston një hartë e tillë ku parashikohet kompensimi fizik i pronës për pronarët.
Po me cilat prona mund të bëhet kompensimi fizik pra sipas jush?
Nuk ka mundësi sepse po të ekzistonin hapësirat do të kishte vepruar ai. Prandaj edhe Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar qeverisë në një nga këto vendimet e fundit për çështjet e pronës që pronarët kanë hedhur në gjyq shtetin shqiptar, që të aplikojë mënyra të reja të kompensimit, të cilat nuk aplikohen prej tetë vitesh, që nga viti 2004.
Cilat janë ato?
Kompensimi fizik është i pari, pastaj me aksione në shoqëritë ku shteti është ende pronar me aksionet e tij, siç është Albtelekomi, CEZ-i, energjia, hidrokarburet, të cilat po i privatizon pa pyetur për detyrimet që kanë ndaj pronarëve.
z.Toro ka një përshpejtim të pagesave për ata që iu janë zënë pronat gjatë ndërtimeve pa leje, ju duket pozitive kjo ecuri?
Në radhë të parë, për vitin 2012 janë dhënë 300 milionë lekë për kompensimin financiar të pronarëve të shpronësuar dhe nuk është shpërndarë asnjë qindarkë. Vendimi i fundit që doli nuk ishte për kompensimin e pronarëve të shpronësuar, por të subjekteve që preken nga legalizimi, të cilët shpronësohen rishtazi. Kishim dy vendime para një javë, i pari ishte për legalizimin e ndërtesave mbi një sipërfaqe prej 400 mijë metër katror dhe një vendim tjetër për kompensimin e pronarëve që iu është zënë toka për një sipërfaqe 30 mijë metër katror, pra 12 herë më pak.
Procesi është tepër i komplikuar dhe gëzon besim minimal nga pronarët, të cilët kërkojnë forma të tjera kompensimi, siç është bërja aksionerë në sektorët strategjik
Kompensimi fizik i pronarëve, pasi të mbyllen legalizimet
Kompensimi fizik është faza e fundit e dëmshpërblimit të pronarëve, të cilët u shpronësuan gjatë regjimit komunist. Autoritetet shtetërore janë duke kryer vetëm kompensimin financiar duke ndarë çdo vit një fond të caktuar parash, i cili varion nga 1.5 deri në 2 miliardë lekë. Për sa i përket fondit të tokës që do të përdoret për kompensimin fizik, shifrat e deklaruara deri më tani nga qeveria nuk kënaqin aspak pronarët. Deri më tani, mësohet se qeveria ka kaluar në fondin e kompensimit fizik mbi 71 mijë hektarë pyje si edhe më shumë se 17 mijë hektarë tokë bujqësore. Krahas kësaj, deklarohet se pjesë e fondit të kompensimit fizik do të jenë edhe shumë godina shtetërore, por deri më tani nuk është thënë as numri i saktë i tyre dhe as vendndodhja. Në fakt as pronarët që janë objekt i këtyre proceseve nuk janë në dijeni të sipërfaqes së tokës që do të përdoret për kompensimin fizik të tyre apo zonave ku ajo shtrihet. Në një intervistë për gazetën Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro thotë: “Nuk ka të dhëna se ku ndodhet kjo sipërfaqe toke që do të përdoret për kompensim fizik, sa është numri i parcelave, kufijtë me të cilat ato ndahen etj. Të gjithë këto të dhëna i mungojnë edhe AKKP-së për të filluar procesin e kompensimit fizik. Nëse do të ishin vënë në dispozicion këto hapësira, ato do të ishin përdorur nga AKKP-ja dhe do të kishte filluar tashmë kompensimi fizik”.
Por pse nuk ka nisur ende kompensimi fizik i pronarëve? Për qeverinë ka një radhë hapash që duhen hedhur deri në arritjen tek një fazë e tillë. Një ndër to është edhe përfundimi i legalizimeve për të parë se sa hapësirë toke do të mbetet e pazënë, e cila të kalojë më pas në fondin për pronarët. Por, sipas deklarimeve të kreu të ALUIZNI-t Ardian Kollozi, angazhimi i qeverisë është që legalizimet të përfundojnë të paktën deri në fund të vitit 2013, që do të thotë se në këtë mënyrë i hapet rruga edhe procesit të kompensimit fizik. Por ka edhe dy procese të tjera që duhet të përmbyllen deri në fillimin e tij krahas legalizimeve. Tjetri lidhet me njohjen e pronës. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronës duhet të ketë një pasqyrë të plotë të pronave që iu janë njohur pronarëve, për të cilat duhet edhe të përgatisë dosjet e kompensimit fizik. Procesi tjetër është ai i verifikimit të titujve të pronesisë për tokat që janë ndarë sipas ligjit 7501. Situata në të cilën ndodhej vendi atëherë, por edhe shpejtësia me të cilën duhej ndarë toka për shkak të gjendjes së mjeruar të fshatarëve bëri që procesi të kishte probleme. Nisur nga kjo, qeveria ka filluar një verifikim të titujve të pronësisë për tokat e shpërndara mbi bazën e ligjit 7501. Të gjitha tokat që do të kapen se janë ndarë në mënyrë abuzive do t’u merren atyre që e administrojnë do të futet në fondin e kompensimit fizik për pronarët.
Kompensimi financiar, pronarët: Janë ndarë vetëm 300 mln lekë për 2012
Qeveria miratoi edhe disa ndryshime të reja sëfundmi në ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës duke parashikuar edhe rishikim të çmimit të tokës në të gjithë territorin e vendit nëpërmjet miratimit të metodikës së re. Kjo sipas ekzekutivit do të krijojë një hartë çmimesh më pranë realitetit krahasuar me atë që është tani. Nga ana e pronarëve ndërkohë, një vendim i tillë shihet problematik në dy drejtime. I pari lidhet me kompensimin financiar të tyre. Pronarët këmbëngulin se rregullimet ligjore janë bërë qëllimisht nga qeveria për të ulur vlerën e pronës për qëllim kompensimi duke bërë që shteti të ketë më pak detyrime. Nga ana tjetër, ekziston edhe rreziku sipas tyre që me metodologjinë e re që do të miratojë, qeveria të rrisë çmimin e tokës pikërisht në ato zona që do të përdoren për kompensimin fizik të pronarëve. Në këtë mënyrë, secili prej tyre do të merrte një sipërfaqe më të vogël toke në formë kompensimi fizik krahasuar me atë që iu takon. Ndryshimet erdhën pas një raporti të detajuar të Bankës Botërore mbi çështjen e pronave në Shqipëri, ku ndër të tjera theksohet edhe nevoja për të gjetur mundësi “të përballueshme nga buxheti i shtetit dhe që nuk do të pakësojnë burimet për shpenzimet sociale prioritare por edhe të kryhet brenda një afati kohor të arsyeshëm”. Një përfundim i tillë i Bankës Botërore përkthehet ndryshe me faktin se e gjithë kostoja për kompensimin e pronës në vend duhet të jetë në një nivel të atillë që Shqipëria të ketë mundësi të bëjë kompensimin dhe jo në tregues të paarritshëm financiarisht.
Në lidhje me këtë, ekzekutivi ka parashikuar një fond prej 1.8 miliardë lekë për kompensimin në vlerë të pronarëve gjatë këtij viti. Edhe pse jemi në muajin gusht, sipas këtyre të fundit, shuma e shpërndarë deri më tani është vetëm 300 milionë lekë.

Gazeta Shekulli, 11.08.2012