Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investitorët e huaj, 85% plane strategjike për të ardhmen në Shqipëri

Megjithë krizën, rënien e të ardhurave dhe fitimeve, rreth 85% e investitorëve të huaj kanë kanë plane strategjike për vitet në vijim. Investimet do të financohen nga burimet e veta në 56% të rasteve dhe vetëm 25% përmes financimeve bankare.  Shifrat bëhen të ditura  nga vëzhgimi i realizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), nën drejtimin e UNCTAD-it, gjatë dhjetorit 2011-janarit 2012, botuar së fundmi në Raportin e Investimeve të Huaja, 2011. Por megjithatë, kompanitë e huaja hasin probleme të theksuar me korrupsionin në gjykata dhe tatime. “Një fushë tjetër problematike ka të bëjë me qartësinë dhe paanësinë e ligjeve dhe rregulloreve,  si edhe funksionalitetin e gjyqësorit dhe të sistemit tregtar ligjor. Kushtet e aksesit në treg ishin të kënaqshme, por nuk mund të thuhet e njejta gjë për ndërveprimin me autoritetet”, theksohet në raport. Anëtarët e komunitetit të biznesit të huaj për të ardhmen parashikojnë që qeveria shqiptare të përmirësojë më tej klimën e biznesit përmes thjeshtësimit të procedurave administrative, përmirësimit të licencimit dhe zbatimit të shtetit ligjor. Në këtë aspekt, proceset post-regjistrim duhet të thjeshtohen më tej, duke ndihmuar në shmangien e burokracisë dhe në forcimin e kompentencave të agjencive publike. Ata kërkojnë stimuj të mëtejshëm tatimorë, një administratë më të mirë tatimore dhe përmirësim të infrastrukturës ekzistuese. Ata identifikojnë si pengesë ndaj biznesit mungesën e gatishmërisë së autoriteteve për zbatimin e ligjeve tatimore me të gjitha bizneset dhe se e gjejnë shumë të vështirë të marrin fatura të regullta nga bizneset e vogla. Sipas tyre, procedurat e ekzekutimit dhe transparencës në lidhje me procedurat e tenderave do të ndihmonin në kapërcimin e korrupsionit.

Revista Monitor, 06.08.2012