Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Banka gjermane i kërkon sqarim qeverisë shqiptare, reagon deputeti i PS

Banka Gjermane e Zhvillimit KFW, financuesja e linjës së interkonjeksionit të energjisë elektrike që lidh Shqipërinë me Kosovën, i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të shprehet qartë se çdo të bëhet me tenderin e ndërtimit të kësaj linje, duke i bërë të ditur se qeveria shqiptare do të duhet që të zbatojë standardet e KFW-së për kostot dhe kushtet teknike. Ndërkaq, deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, ka deklaruar se qeveria duhet të zhbllokojë tenderin, ndryshe favorizon monopolet serbe të energjisë, por edhe do të rriste koston për shtetin shqiptar dhe shtetin e Kosovës e do të ndikonte dramatikisht në vitin e 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar.
KFW
Tenderi për linjën u zhvillua në mars të vitit të kaluar, ku fituese rezultoi kompania kroate “Dalekovod”. Por qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve, duke u shprehur se çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dytë. Qeveria tentoi të zëvendësonte fituesin për ta lidhur kontratën me kompaninë boshnjake “Energoinvest”, që hasi bllokadën e KFW-së. Banka gjermane ende nuk ka marrë një përgjigje se çfarë do të bëjë qeveria shqiptare, ndaj së fundmi i kërkon në letrën e radhës drejtorit të OST-së, Arben Ibroja, dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, të marrin një vendim përfundimtar nëse do e pranojnë fituesin e tenderit. KFW i rikujton edhe një herë qeverisë shqiptare se tenderi ishte transparent dhe në përputhje të plotë me rregullat e rëna dakord më parë nga Operatori Shqiptar i Transmetimit, ai i Kosovës, si dhe nga vetë banka. “Në këtë kontekst do të donim të nënvizonim faktin se nëse qeveria shqiptare do të vendosë ritenderimin e linjës, kostot e saj do të jenë edhe më të mëdha nga tenderi i parë”, thuhet në letrën e fundit që dy drejtues të lartë të bankës gjermane i dërgojnë ministrit të Financave, Bode, dhe drejtorit të OST-së. Më tej banka i bën të ditur qeverisë se nëse opsioni i saj i vetëm është ritenderimi, ajo do ta pranojë anulimin e tenderit të parë vetëm kundrejt disa kushteve. Kushti i parë i vendosur nga gjermanët është ai që anulimi i tenderit të kërkohet nga të dyja palët e përfshira, si OST-ja shqiptare ashtu dhe operatori i transmetimit të Kosovës, duke shpjeguar dhe arsyet përkatëse. Por pala kosovare e ka cilësuar tenderin si të rregullt duke i pranuar rezultatet e tij, çka mund të rrezikojë të shtyjë vonesat pafund të ndërtimit të linjës. Kushti i dytë i kërkuar nga KFW-ja është që të dy operatorët e sistemeve të transmetimit të bien dakord për metodën që do të përdoret për vlerësimin e kostove që ka procesi i ritenderimit. Gjithashtu një tjetër kusht është ai i moscenimit të standardeve teknike. “KFW nuk mund të bëjë kompromis në këtë çështje dhe të lejojë uljen e standardeve teknike”, thuhet në letër. Ndërsa kushti i fundit lidhet me garancitë që banka kërkon nga qeveria shqiptare se nuk do të bllokojë sërish edhe një tender të dytë të mundshëm. Këto parakushte, thuhet në letër, i janë bërë të njohura edhe Kryeministrit Sali Berisha nga vetë ambasadorja gjermane në Shqipëri në datën 7 maj të këtij viti.
Gaçi
Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, deklaroi dje se qeveria ka dy rrugë për të zgjidhur: njëra në favor të shqiptarëve dhe njëra kundër interesave të shqiptarëve. “Rrugët e zgjidhjes janë dy: KFW është shprehur qartë se i kërkohet qeverisë shqiptare që të qartësojë pozicionin duke zhbllokuar procesin e tenderit për linjën e interkonjeksionit me Kosovën dhe boshtin e jugut të Shqipërisë, ose ta anulojë atë. Zgjidhja e parë, ajo e ndërtimit të linjës, është në favor të shqiptarëve, në favor të Kosovës dhe kundër monopoleve serbe. Zgjidhja e dytë, ajo e anulimit të tenderit, ka të humbur shtetin shqiptar, i cili është i detyruar të paguajë 12 deri 20 milionë euro me tepër për të njëjtën linjë, ndërkohë do të ngelet 3 vjet pa linjë transmetimi jo vetëm në Kosovë, por edhe në linjën e transmetimit të boshtit të Jugut të vendit. Gjithashtu do të ketë të humbur shtetin e popullin e Kosovës dhe ka vetëm një fitues, ata që kanë monopolet mbi linjat e transmetimit të energjisë në rajon, pra monopolet serbe”.

Gazeta Shqip, 19.07.2012