Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vale, gjashtë vjet pa energji!

Në Vale, fshatin që ndan Martaneshin me Tiranën, prej gushtit të vitit 2006 nuk ka energji elektrike. I fundit president, që kanë parë në televizor, ka qenë Shkëlqesia e tij Alfred Moisiu, ashtu si kampionati i fundit që ndoqën ishte ai i vitit 2006, kur Italia u shpall kampion. Po, se në Shqipëri janë zgjedhur dy presidentë të tjerë dhe se në botë janë bërë dhe dy evropianë dhe një botëror, këto janë krejt të panjohura për të vjetrit, që nuk lëvizin më nga fshati… Kjo kronikë nuk është sajesë sensacioni, por i përket një fshati në Martanesh që ka plot gjashtë vjet pa drita. Shumica e martaneshasve tashmë kanë ikur nga fshati. Mes tyre edhe 11 prej atyre fatkeqëve që vdiqën në Gërdec…
Burri ka mbërritur që në mëngjes. Në ag udhëtohet lehtë. Do marrë do gjëra për shtëpi dhe pastaj i duhet të kthehet me këmbë pas në Vale. Shikon vrenjtazi ngado. Shumëkush, që nuk e njeh, mund ta marrë edhe për keqbërës. Por, ata që e dinë hallin e tij, dinë mirë edhe se çfarë do të thotë ky vështrim. Banorët e Valit, me këtë vështrim, rrokin ato që nuk njohin dhe formatojnë kohën e tyre provizore. Sepse koha reale ka humbur prej gjashtë vjetësh nocionin tek ata, që kur më gusht të vitit 2006 e deri më sot, janë fshati i vetëm në Evropë, që nuk kanë energji elektrike…!!!!

Burri lehtësohet pak nga pak, ulet diku, kurse dielli po merr rrugëtimin e tij të zakonshëm në apogje. Mesdita e Krastës në Martanesh ka fare pak njerëz në qytet. Më shumë ka bagëti që bredhin lirisht dhe ndonjë makinë, që zakonisht e ka timonin nga ana e kundërt. Ndonjë makinë e panjohur, e cila vjen nga poshtë (poshtë konsiderohet Bulqiza), njihet menjëherë dhe është burim i interesimit të përgjithshëm. Burri ka në trastë një listë me gjëra dhe një dorë aparatesh celularësh. I duhet t’i karikojë, që njerëzit e fshatit të bëjnë lidhje me gjindjen përreth, sot në këtë ditë vape të korrikut 2012. Gati gjashtë vjet më parë, atyre iu ndërpre drita me akuzën e mospagesës në rregull nga OSSH-ja. Njerëz të paidentifikuar, e shtynë dhe më tej zullumin, sepse vodhën 16 kilometra linjë elektrike të fshatit, që për ta s’vlente më, por për hajnat u bënë para. Meqenëse pjesa më madhe e linjës kishte tel bakri, ai u shit në pikat e shumicës, pa menduar për dëmin që u bëhej bashkëfshatarëve…Nuk e di çfarë mendon burri kokulur, por ndërsa blej pak gjëra në një dyqan, ai vazhdon të qëndrojë i heshtur. Dy lopë, që na zënë pak pamjen, largohen dhe i bien pash më pash Krastës, krejt të patrazuara. Butafori e përsosur për Sergio Leonen. Por, Clint Eastwood këtu nuk bën punë. Kryeministri Berisha, po ashtu, që ka shpallur ambicien e tij për lidhjen me internet të gjithë Shqipërisë, duket jo qesharak, por marsian…Jo më larg edhe Opozita me premtimet boshe. Me burrin futemi ngadalë në bisedë. Fytyra ime nuk i thotë asgjë, ndaj bisedës i jep përgjigje zvargur. Vuajtja e tij është e ndrojtur, por e çlirët dhe dinjitoze. Nuk qahet. Nuk mallkon. Pret…”Për herë të fundit kena pa Moisiun në televizion, atë vitin që fitoi Italia kampionatin botnor. Por, tash janë ba dhe dy a tre kampionate dhe ne nuk dimë kurrgja”, më sqaron. Vë pak buzën në gaz. Më duket sikur do më pyesë: A është ende gjallë presidenti Moisiu?
Banorët
Njësoj si ai presin dhe pak banorë të mbetur në Vale, që sot numërohen me pak dyzina. “Janë të izoluar, të fshehur e të braktisur nga pjesa tjetër e zonës banorët e fshatit Val. Ata gdhihen me sytë nga qielli për t’u ndriçuar nga drita natyrale e ngrysen  me ankthin e përnatshëm që i shoqëron prej vitesh të zhytur në errësirë, më sqaron Sulejman Keta, me të cilin kemi ndarë udhën deri në Krastë nga Tirana. Ata nuk kanë asnjë mënyrë informimi, për të komunikuar me qendrën e komunës; duhet të përshkruajnë me këmbë rreth 14km për të ardhur në qendër të Komunës për të marrë ndonjë informacion. Vinë me grafik, pasi marrin celularët e njëri-tjetrit dhe i karikojnë në lokalet e qytetit të Krastës”. Veçse, burrit, nuk i duhet e gjitha kjo. Kur ndërpresim muhabetin, hedh një sy nga ndërtesa e komunës, dikur godina e administratës së minierës ku Sula po merret me disa shkresurina; ndërron ndonjë muhabet me ndonjë të njohur atypari dhe hap veshët, kur nga ndonjë lokal një zë më i ngritur aparati televiziv, kumton diçka. Rri sikur nuk ia ka idenë. Një grua se çfarë i thotë një moment. I duhet edhe…Rri shumë me vështrimin në humbistan, duke u përpjekur të kapë thelbin e lajmit. Sula, një burrë i gjallë, që prej dy mandatesh bën edhe sekretarin e Këshillit të Komunës, më shpjegon të gjithë këtë situatë një orë më vonë. Më zgjat një dosje të tërë, ku është shkëmbimi i epistolarit teknik, që komuna kërkon të ndërhyhet për rifurnizimin e fshatit. Fshati është nën juridiksionin e sistemit që e furnizon nga Tirana, por që administrohet nga Burreli. Nëse do të rrija më pak, nuk do kuptoja asgjë. Tani, gati e di me detaje. Dhe, a ka zgjidhje? – i them shkurt. Tjetri ngre supet. Derisa nuk ka pasur deri më tani, çfarë mund të ketë, më shpjegon burri i ri, duke u shtendosur. Për të shkuar në Val është një ferr i vërtetë dhe kur mendon se çfarë do të bësh, atëherë s’ia vlen. Por, duhet. Janë dy rrugë për të arritur nga Tirana në Val. E para është ajo që përshkon nga Tirana-Dajtin-Priskën- Bizën dhe futesh në një luginë, e cila të përcjell në fshatin Val. Edhe pse fshati është vetëm 7-8 kilometra, larg me Bizën, rruga është e pakalueshme nga dëmtimi, kurse në dimër nga i ftohti dhe bora e papërballueshme, që e fiku krejt bagëtinë këtë dimër, burimin kryesor të kamjes modeste të tyre. Udha, tjetra, është rruga që kemi zgjedhur ne, por pasi futesh në Krastë, pas 3.5 orësh ose katër orësh nga Tirana, të duhet të provosh aftësitë e fuoristradës tënde. Sfida e banorëve dikur ka qenë e përditshme, por në ditët e të ftohtit ishte skajore. Me masë u ngordhën bagëtitë dhe ato pako gjëra të grumbulluara. Një mundësi për të shkuar aty është edhe nga Guri i Bardhë, por pas një rruge prej 2 orë e ca në këmbë dhe duke u ngjitur në kurrizin rreth 1000 metër mbi det, e pastaj duhet me vazhdu në kurrizin e malit duke kaluar nga pylli, ku ndërthuren këndshëm dhe në mënyrë eprore, ahu në pjesën e sipërme dhe pyjet me dushk në pjesën e poshtme të kurrizit, më shpjegon tepër profesionalisht Sula. Por ky mjedis baritor tashmë është thjesht për prehjen e momentit, sepse mëllëza, shkoza, panja dhe frashrit janë thjesht për t’i kundruar…pas masakrës së pyjeve tona…dhe më tepër as nuk ia vlen fare, kur mendon se ata, kanë mbetur në një vitet e paraluftës së Dytë Botërore, bashkë me vuajtjen e tyre të paanë…
Me Sulejmanin
Burri i qeshur vrenjtet, kur më tregon për situatën në këtë fshat. Është makth i madh, më sqaron. “E të mendosh se të duhen plot katër orë, atëherë e merr me mënd sesa e vështirë është. Në fakt, në google-earth është vetëm 5.1 kilometra shkurt. Dhe, nëse të vjen ndërmend se 32.4 përqind e familjeve në komunën e Martaneshit janë me ndihme ekonomike, atëherë e kupton vuajtjen e gjendjen e këtyre njerëzve. Ja shiko, më tregon një dosje të tërë: “Është e pamundur të bëhet ndryshe sepse CEZ ka detyrimin ligjor për furnizime. E kemi ndjekur dhe me instancat dhe kompania CEZ thotë s’kemi para për investime, por na sugjerojnë të ndërhymë te qeveria për investime. Krahas vështirësive është edhe kjo vështirësi që ua ka dhuruar natyra”. Banorët vazhdojnë e jetojnë falë mbledhjes së bimëve medicinave dhe bagëtisë. Që më 1 Nëntor të 2006 ish kryetari i komunës së Martaneshit Teki Kurti do i shkruante kryeministrit Sali Berisha: “Ju bëjmë me dije se fshati Val prej dy muajsh nuk furnizohet me energji elektrike. Arsyeja është se ky fshat furnizohet nga Tirana, kurse administrimi bëhet nga Divizioni i Burrelit”. Këtu ka mosmarrëveshje dhe mosakordim të çështjes në fjalë, më sqaron burri. Dhe, kuptohet se për shkak të terrenit të vështirë, mungesës së investimeve dhe së fundi edhe mungesës së energjisë, prej dy vitesh, familje të shumta janë detyruar të largohen nga vendlindja. Fatkeqësia më madhe ishte se një pjesë jo e vogël e banorëve, nga të gjithë Martaneshi, u detyruar të shkonte në Gërdec, ku ditën e tmerrit plotësuan listën e 11 fatkeqëve nga 26 viktimat e makutërisë së shtetit tonë. Zyrtarë të komunës, pleqësia e fshatit vazhduan do kohë që t’i bënin letra të ndryshme kryeministrit, ministrit të ekonomisë, prefektit, kryetarit të qarkut Dibër, drejtorit të përgjithshëm të KESH duke kërkuar rivendosjen e rrjetit elektrik, por asgjë. “Nuk di ç’të them më” – më thotë Sula dhe mundohet të më shpjegojë të gjithë burokracinë, e cila nuk e zgjidh problemin e thjeshtë.

Burri nuk bëzan më. Është një nga pak fshatarët e mbetur në fshat dhe e di që pse letrat kanë reshtur. Në Shqipëri s’ka veshë për vuajtjen e tyre. “Mbyllemi që në muzg dhe ngrihemi që në mëngjes herët për të shfrytëzuar dritën e diellit. Nuk na dëgjon askush dhe nuk duam më”, më sqaron burri. Një banor tentoi të pamundurën tre vjet më parë dhe me paratë e fituara bleu një gjenerator, që të paktën fshatarët të karikonin celularët, por karburantin i harxhuar nuk ia vlente dhe vetë gjeneratori u prish, sikur t’i vinte kapak të gjithave. Tashmë banorët shkojnë më afër në Bizë, ose më larg në Krastë, kur u duhet të bëjnë ndonjë punë administrative thjesht për të karikuar. “Askush nuk na dëgjon, mik, më thotë burri. Kohë të këqija, njerëz të çoroditur”.  Kryetari i komunës Gazmend Kënga, një burrë që po mundohet të punojë,  nëpërmjet një letre e kujtoi sërish pak vite më parë kryeministrit Berisha se “Me shkresën tuaj nr.800/1 datë 05.02.2008 na keni vënë në dijeni se problemi i furnizimit me energji të fshatit Val do të zgjidhet nga drejtoria rajonale Tiranë, që i është akorduar edhe fondi përkatës, por punimet për vazhdimin e linjës për në fshatin janë ndërprerë në Bizë. Banorët vazhdojnë të vuajnë ende në errësirë edhe pas akordimit të fondit në shumën 1 milion e 950 milion lekë”. Por, përgjigja…

Tani, askush nuk e vret mendjen. Burri mesa shoh do të largohet. Për fat, po fryn pak në Krastë dhe burrit i duket si mundësi e mirë për të ikur në këtë vapë. Plot tetë orë udhëtim, për të karikuar celularët, për të marrë vesh ndonjë gjë në një botë krejt të shurdhët për ta. Sula, kur ndahemi, ka një ndjesi faji, kur e pyes, megjithëse e kam gjetur dhe e lë me dosjen e fshatit në dorë. “Të mendosh se duhen pak milionë lekë dhe një urdhër dhe asgjë më shumë”, më thotë. Eh, të shkuara të harruara.
Burri ngrihet ngadalë, fut me kujdes celularët në çantë, pasi i mbyll, që të kursejë pak energji fizike humane dhe merr udhën. Ngadalë. Për ta koha ka vërtetë koncept relativ dhe matet me elementët konvencionale natyrore. Dikush po e pret në fshat, që të lidhet me të afërmit larg, kurse të gjithë e presin të sjellë ndonjë haber më shumë nga…kasabaja e madhe, që për ta mbetet Krasta. Është korriku i vitit 2012. Një realitet i habitshëm në mes të Evropës, ku fshati i një vendi, që këtë vjeshtë pret kandidaturën evropiane, ka plot gjashtë vjet pa drita.

Revista Java, 08.07.2012