Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Superfuqia e vogël energjetike mbetet peng e financimeve

Vetëm dy vjet pas marrjes së mandatit të parë, qeveria u orientua në shfrytëzimin e kapaciteteve ujore të vendit duke lidhur me subjektet private dhjetëra marrëveshje koncesionare për ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve të vegjël dhe të mesëm. Duke u bazuar në këto projekte, Kryeministri Berisha ishte shprehur vazhdimisht se do ta kthente vendin në një superfuqi të vogël energjetike, por pjesa dërrmuese e tyre jo vetëm që nuk kanë nisur të prodhojnë energji, por nuk është gërmuar ende asnjë metër kub dhe.
Miratimi i ligjit për koncesionet në 2007 e ktheu në trend marrjen e një licencë për ndërtimin e HEC-eve kryesisht për bizneset private, por mungesa e ekspertizës teknike, përdorimi i tyre për përfitime personale por për më tepër, mungesa e financimeve që do të mundësonin vijimin e projektit, bën që aktualisht të kenë filluar prodhimin jo më shumë se 15 HEC-e gjithsej. Sistemi bankar vendas po tregohet shumë i kursyer në financimin e projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve nisur nga risku që mbartin këto investime për shkak të projekteve të mangëta të nisura që në fillim.
Banka Europiane e Investimeve ka qenë një ndër financuesit e projekteve energjetike në vend duke u kthyer në një mundësi të artë për poseduesit e licencave në drejtim të sigurimit të mbështetjes financiare. Megjithatë, edhe bankat që kanë prioritet energjetikën duhet të mendohen dy herë para se të ndërmarrin financime në këtë fushë në vendin tonë. I pyetur në lidhje me mundësitë e financimit të projekteve energjetike në Shqipëri gjatë një vizite në zyrat qendrore të BEI-it në Luksemburg, zv.Presidenti i BEI-t, Dario Scannapieco shpjegon se banka është e prirur për mbështetjen e tyre duke theksuar ndërkohë se një pjesë e projekteve janë me probleme, siç janë për shembull mungesat në mbrojtjen e ambientit. “Ne jemi të orientuar edhe në financimin e projekteve energjetike, por nuk financojmë projekte që nuk janë të mirë studiuara dhe që shkaktojnë probleme me ambientin”,- shpjegon ai.
Krahas kësaj, një tjetër pengesë për gjetjen e financimeve për ndërtimin e këtyre HEC-eve është edhe vlera e vogël e projekteve për të cilat bëhet fjalë. Ndërtimi i një hidrocentrali në Shqipëri ka një kosto mesatarisht një milionë euro për megavat. Në kushtet ku pjesa dërrmuese e tyre nuk i kalojnë 5 megavatët, atëherë angazhimi i bankave të tilla është më pak i mundshëm, pasi siç shpjegon edhe Scannapieco vetëm vlerësimi i kërkesës ka kosto të mëdha për bankën. Në këtë mënyrë sipas tij mund të hyjnë në lojë bankat lokale, të cilat marrin financime nga bankat e zhvillimit dhe më pas ia ofrojnë ato bizneseve të tilla.
Në mungesë të financimeve, Kryeministri Berisha ka hedhur sëfundmi në qarkullim një ide tjetër; atë të ndërtimit të hidrocentraleve nga vetë individët duke marrë parasysh sipas tij koston e ulët të realizimit të këtyre projekteve sipas tij. Unë jam sot, këtu, edhe për t’i drejtuar një thirrje të gjithë qytetarëve të Gramshit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë në zonat rurale: Të guxojnë e të projektojnë kudo ndërtimin e punimeve të vogla energjetike. Qeveria do të firmosë me ta, që të kenë energji falas për të gjithë kohën që ata do të nxjerrin shpenzimet e ndërtimit”,- tha pak ditë më parë ai gjatë inagurimit të një HEC-i në Gramsh.
85 për qind të kontratave koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël dhe të mesëm shtyu në vjeshtën e vitit 2010 qeveria për t’i mundësuar atyre vijimin e projektit. Pavarësisht kësaj lehtësie, pjesa më e madhe e HEC-eve nuk kanë filluar ende punën
Qeveria shtyu afatet, HEC-et nuk u ndërtuan
Me gjithë numrin e madh të lejeve koncesionare të dhëna, një numër shumë i vogël HEC-esh kanë mundur të përfundojnë që nga viti 2007 duke bërë qeverinë që të shtyjë afatet e kontratës për pjesën dërrmuese të tyre në tetor 2010. Një vendim i marrë në vjeshtën e vitit të kaluar, parashikonte shtyrjen e kontratës së ndërtimit për të paktën 85 për qind të lejeve koncesionare të lëshuara. Vendimi i qeverisë ligjëroi në një farë mënyrë mbajtjen e lejeve nga marrësit fillestar pasi sipas ligjit, në kushtet kur nuk kishin realizuar projektin qeveria do të duhej t’ia tërhiqte atë.
Pavarësisht këtij lehtësimi të bërë, përfundimi mbetet ende shumë larg për një pjesë të mirë të HEC-eve dhe shkak kryesor është mungesa e financimeve. Për t’i dalë përpara një dështimi në këtë drejtim, qeveria miratoi një vendim tjetër, të ndryshëm ai i pari në shtator të vitit të shkuar, i cili parashikonte heqjen e lejes koncesionare atyre privatëve që nuk i ishin përmbajtur kontratës. “Duhet që kontrata të zbatohet, që domethënë se pas skadimit të afatit, ata kanë humbur kontratën. E di që keni nisur gjoba dhe paralajmërime (METE), por është koha të zbatohet vendimi i qeverisë, sepse interesi në fushën e energjisë është shumë i madh. Këta bllokojnë kaskada shumë të përshtatshme për investim. Shkelja është bërë me miratimin tonë, që kemi zgjatur afatet, por dikush tjetër duhet të ketë shansin”, – do të shprehej Berisha atëherë.

Gazeta Shekulli, 01.07.2012