Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konferenca ekonomike gjermano-shqiptare (Energjitë e rinovueshme dhe turizmi në axhendë)

Rreth 300 të ftuarit në këtë konferencë nuk ishin vetëm nga Shqipëria e Gjermania, por dhe nga Austria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Sllovenia.
Biznesmenë, analistë dhe ekspertë të ekonomisë, zyrtarë dhe përfaqësues shoqatash, gazetarë etj., punuan në disa panele të veçanta, nisur dhe nga interesimi i gjithësecilit: potencialet për eksporte, infrastruktura, mjedisi, energjitë e rinovueshme dhe turizmi. Nën efektet e krizës globale, nga të pranishmit u shfrytëzuan diskutimet në grup, apo ato të drejtëpërdrejta mes palëve si një rast në përballjen e sfidave dhe trendeve të zhvillimit në rajonin ballkanik apo në mënyrë specifike në Shqipëri.
Në mesin e sipërmarrësve gjermanë ishte dhe Hans Heinrich Ahlfeld, një njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri. Ky është një vend i mrekullueshëm dhe unë jam krenar që biznesmenët gjermanë kanë ardhur këtu, thotë ai për DW. “Vetë personalisht i kam nisur kontaktet me Shqipërinë nga viti 2001 me një aktivitet në shumë drejtime. Më ka bërë përshtypje që mjaft nga kolegët e mi me informacion të pakët mbi këtë vend para se të nisen kanë qenë skeptikë dhe kishin mendime steriotipe, por pas disa kohësh janë kthjelluar duke e kuptuar realitetin. Kjo konferencë, këto kontakte dy ose më shumë palëshe mes partnerëve në biznes, pasqyrimi në media dhe përshtypjet që kanë vizitorët – të gjitha këto mendoj se janë pjesë e informimit mbi Shqipërinë, janë garanci për shtimin e investimeve të huaja në këtë vend. Investitorët janë shumë skrupulozë dhe duan të dinë gjithçka, para se të ndërmarrin hapat në lëvrimin e kapitaleve të tyre. Në këtë aspekt unë kam bindjen më të thellë se aktiviteti i bizneseve gjermane në të ardhmen do të rritet edhe më shumë në Shqipëri e në vendet e tjera të rajonit.”
Energjitë e rinovueshme dhe turizmi në axhendë
Anthin Vjero, një sipërmarrës shqiptar në fushën e ndërtimit dhe të turizmit mori pjesë në panelin, ku u trajtuan çështje si energjitë e rinovueshme dhe turizmi. Vjero vlerëson frymën bashkëpunuese në debate, ku eksperienca gjermane, por dhe ajo e vendeve të rajonit ishte shumë e larmishme, thotë ai për DW. “Këto janë edhe shtysa, na hapin si të thuash horizonte, e mbi këtë bazë marrim përsipër detyra. P.sh. Në fushën e turizmit u fol për gjendjen e hoteleve shqiptare, të cilat nuk e kanë stafin e duhur, nuk e kanë shërbimin e duhur. Ne themi mikpritja, por kur kamerjeri nuk të përgjigjet në kohë, nuk të përgjigjet siç duhet, të risin çmimet, pra këto nuk janë gjëra që nuk shkojnë.” Vjero shton dhe nevojën e një aeroporti lokal në Jug të Shqipërisë. Kjo mangësi në infrastrukturë është vënë në dukje edhe nga sipërmarrësit gjermanë, për të cilët rruga nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit në Tiranë për në qytetin turistik të Sarandës, që zgjat rreth pesë orë me makinë është mjaft e sikletshme për vizitorët e huaj. “Ashtu si për turizmin në mënyrë konkrete është folur dhe për aspekte të tjera të zhvillimit ekonomik në Shqipëri e rajon”, thotë Anthin Vjero për DW.
Presidentja e Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, Andrea Gebbeken, duke sjellë përshtypjet e pjesëmarrësve në këtë aktivitet pune, veçon gamën e gjerë të çështjeve që u trajtuan. “Kemi folur për tregëtinë, industrinë, minierat, energjinë, energjinë e rinovueshme, mjedisi, transporti, infrastruktura etj. Përshtypjet e pjesmarrësve ishin se problemet janë në tavolinë, u fol hapur dhe pa pasur asgjë të fshehtë. Kjo transparencë i bën gjërat të prekshme dhe unë pashë interesim konkret nga përfaqësues të biznesit gjerman. Pa drojë them se punimet e konferencës në përgjithësi ishin një eksperiencë pozitive për të pranishmit” – thotë Gebbeken për DW.
Gjermania donatori kryesor në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha duke përshëndetur punimet e konferencës gjeti rast të përmendë mbështetjen gjermane për Shqipërinë në dy dekadat e fundit. Ai i ftoi bizneset gjermane që të investojnë pasi dhe kuadri ligjor e klima e biznesit është aktualisht shumë e favorshme. “Kombi juaj ka qenë donatori kryesor në Shqipëri. Ndihma bujare e qeverisë dhe taksapaguesve gjermanë është shtrirë në të gjitha fushat, me qindra e qindra projekte bazë nga arsimi tek infrastruktura ujore, rrugore, energjia elektrike, shëndetësia e çdo fushë tjetër. Në këtë kontekst, ju garantoj se kjo ndihmë ka qenë një faktor i rëndësishëm i transformimeve të ndjeshme që ka pësuar vendi im këto 20 vite. Ndërkohë, krahas ndihmës shumë të çmuar finance të qeverisë gjermane, një seri kompanishë nga vendi juaj, të vogla, të mesme, por edhe të mëdha, kanë vendosur në Shqipëri ëndrrat e tyre më të bukura, projektet e tyre të biznesit dhe i kanë shndërruar ato në histori të vërteta suksesi. Këto kompani operojnë në fushat ndër më jetiket si financa, bankat, transporti etj.”- deklaroi kryeministri Berisha.
Konferenca ekonomike gjermano-shqiptare u organizua nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri dhe Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare.

Dojce Vele, 21.06.2012