Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Naço: Qeveria shqiptare, plan për zhvillimin e sektorit të gazit në vend

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zhvilloi sot seminarin me temë “Iniciativa Gas – për Prodhimin e Energjisë Elektrike (Gas-To-Power)”. Ministri i METE, z. Nasip Naço, e vlerësoi seminarin si ngjarje te rëndësishme në drejtimin e duhur të bashkëpunimit energjetik dhe të zhvillimeve integruese në kuadër Rajonal. Ky Seminar, tha ministri, po zhvillohet në një kohë kur Qeveria Shqiptare ka intensifikuar bashkëpunimin në kuadër të projektit të gazsjellësit TAP, e cila mund të ndikojë direkt edhe në negocimet që po zhvillojnë të dyja palët. Në këtë kuadër, ministri i METE përmendi projektet e gazsjellësve, të cilat do të lidhin burimet e gazit të Kaspikut dhe Lindjes së Mesme me tregun Evropian të gazit përmes Turqisë, Greqisë Shqipërisë dhe Italisë:
– Projekti i Gazsjellësit Trans-Adriatik (apo projekti TAP)
– Projekti tjetër, Gazsjellësi Jonian-Adriatik (ose projekti IAP)
“Në përputhje me qëllimet tona të përmirësimit të sistemit të energjisë, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe integrimin në Komunitetin e Energjisë, një prioritet i Shqipërisë është lidhja e rrjeteve të brendshme të energjisë me sistemet fqinje dhe rajonale dhe më tej me vet sistemin evropian. Në këtë pikë ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm bashkëpunimin edhe në kuadër të iniciativës së Komunitetit të Energjisë: Gas – për Prodhimin e Energjisë Elektrike (Gas-To-Power), pasi zhvillimi i projekteve të gazsjellësve është një tjetër objektiv i Sektorit Shqiptar të Energjisë”- theksoi gjatë fjalës së tij ministri, z. Naço.
Qeveria Shqiptare është duke përgatitur një plan të veçantë për zhvillimin e sektorit të gazit, rrjetit dhe tregut të gazit në vend. Nga një studim paraprak për gazifikimin, konsumi vjetor i gazit për vitin 2020 është parashikuar në nivelin prej 0,5 BCM (miliardë metër kub) dhe për një periudhë rreth 10 vjet pas lidhjes së Shqipërisë me rrjetin e gazit konsumi vjetor mund të arrijë nga 1 deri 1.5 BCM (miliardë metër kub). Pjesa më e madhe e kësaj sasie gazi do të përdoret për aktivitete gjeneruese nga sektori i energjisë elektrike.
“Ne e vlerësojmë së tepërmi Iniciativën Gas – për Prodhimin e Energjisë Elektrike (Gas-To-Power), pasi nëpërmjet këtij koncepti bëhet e mundur për të tërhequr sektorin privat të marrë pjesë në zhvillimin e termocentraleve me gaz në vendet anëtare të Traktatit për krijimin e Komunitetit të Energjisë”- perfundoi fjalën e tij ministri i METE.
Në emër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, për këtë seminar foli z. Simon Uzunov. Jemi këtu, tha ai, për të vënë në dukje sfidat e konsiderueshme në përmbushjen e një kërkesë në rritje të energjisë elektrike, veçanërisht duke pasur parasysh obligimet e rrepta mjedisore.
“Përdorimi i gazit natyror për prodhimin e energjisë duhet të shihet si një zgjidhje tejkaluese në ekonominë e ardhshme të dekarbonizuar, e cila përmbush angazhimet mjedisore. Iniciativa – Gas – për Prodhimin e Energjisë Elektrike (Gas to-Power) është një përgjigje e Komunitetit të Energjisë ndaj problemeve të identifikuara, pasi ajo ka të bëjë me ndërtimin impiantet të energjisë elektrike që punojnë me gaz në koordinim me zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit në një nivel më të gjerë rajonal. Shqipëria është një nga Palët Kontraktuese, të cilat kanë shprehur gatishmëri të fortë për të marrë pjesë në një zhvillim të koordinuar të kapaciteteve të reja të gazit për prodhim të energjisë elektrike në nivel rajonal”- theskoi në fjalën e tij z. Uzurov.
Në seminar merrnin pjesë drejtues të METE që mbulojnë sektorin energjetik, përfaqësues dhe ekspertë nga kompani dhe institucione energjetike të sistemit të METE (KESH sh.a, OST sh.a, AKBN, Albpetrol sh.a), nga Enti Rregullator i Energjisë, nga kompania TAP AG, nga kompania Stream Oil & Gas Ltd, nga Banka Botërore, nga IFC dhe KfW.

energjia.al, 08.06.2012