Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha: Asnjë vend, në sipërfaqe e popullatë, nuk është me i pasur se Shqipëria në energjinë e rinovueshme

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në inaugurimin e godinës së re të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Kjo godinë u realizua me një investim të buxhetit të shtetit, prej rreth 185 milionë lekë, në kuadër të politikave të qeverisë për përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës në arsimin e lartë. Përmes këtij investimi, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, si pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, pajiset me kushte dhe mjedise shumë të mira mësimore, laboratorike, salla kompjuteri e shumë ambiente të nevojshme për punën krijuese të studentëve të këtij fakulteti.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha vizitoi edhe ekspozitën e përgatitur nga ky fakultet, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me punime shume cilësore dhe të pasura me ide, të studentëve dhe pedagogëve mbi vizionin e tyre për Tiranën, në kuadër të planit rregullues të kryeqytetit.  
Kryeministri Berisha, duke vlerësoi punimet në këtë ekspozitë, u shpreh se ajo dëshmon gjeninë krijuese të studentëve, pedagogëve të këtij fakulteti, imagjinatën mahnitëse të tyre në hartimin e planit rregullues që do t’u japë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve një Tiranë metropol evropian.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Rektori i Universitetit Politeknik Jorgaq Kaçani, pedagogë të këtij universiteti, studentë etj.
Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, shpreh nderin dhe kënaqësinë time të veçantë, falënderimin tim, për ftesën që më bëtë për të ndarë me ju gëzimin e inaugurimit të godinës së Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, godinë kjo e realizuar me një investim prej  rreth 185 milionë lekë, me një sipërfaqe prej 5160 m2, në shërbim të një fakulteti apo disa degëve të saj, prej 4123 studentë dhe 130 pedagogë.
Të dashur studentë, pedagogë, të nderuar zotërinj të pranishëm!
Ne inauguruam këtë investim të rëndësishëm në arsimin e lartë, duke vizituar këtu një ekspozitë e cila dëshmon gjeninë krijuese të studentëve, pedagogëve të këtij fakulteti, projektin e tyre për Tiranën e shekullit XXI. Gjatë vizitës që i bëra punës suaj të shkëlqyer, ajo që spikat është imagjinata mahnitëse e studentëve që morën pjesë, së bashku me pedagogët e tyre, në hartimin e këtij plani që do t’u japë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve Tiranën metropol evropian, Tiranën  kryeqytet të këtij shekulli, me të gjitha bukuritë, me të gjitha funksionet, me të gjithë zhvillimin e tij.
Fakulteti juaj numëron sot mbi 4100 studentë, dëshmi kjo e përpjekjes suaj të madhe për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të tregut. E vërteta është se, në rast se imagjinon për një moment zhvillimin, asgjë nuk gjen më ekuivalente sesa ndërtimin në këtë proces. Zhvillimi ka për promotor ndërtimin dhe kjo, jo vetëm në një vend që është për t’u ndërtuar, por kudo. Në këtë aspekt, është  shumë inkurajues rritja e numrit të studentëve, krijimi në këtë fakultet i një seri nëndegësh të tij. Unë uroj dhe shpresoj që, në vitet që vijnë, degëzimet të vazhdojnë, në interesin më të mirë të zhvillimit të vendit.
Fakulteti juaj ka një mision shumë të madh në zhvillimin e Shqipërisë. Për njeriun, për qytetarin, nuk ka asgjë më të rëndësishëm se mjedisi ku jeton, hapësirat që ne i garantojmë atij, kushtet, gjëra këto që ju i njihni shumë mirë.
Por nuk duhet të harrojmë se ne jemi një vend i cili, pas pasurisë njerëzore, pas pasurisë së qytetarëve të vet, të rinjve dhe të rejave, pasuria më  madhe janë ujërat e tij, ujëra të cilat rriten në bursën e ujërave botërore, me shpejtësi marramendëse, më shumë se çdo gjë tjetër në vlerën e tyre, ujëra të cilat ne jemi angazhuar, me gjithë potencialin tonë, t’i shndërrojmë ato në vlera madhore për qytetarët shqiptarë.
Në këtë fakultet përgatiten inxhinierët, specialistët, ekspertët më të mirë të kësaj fushe. Në këtë fakultet përgatiten studiuesit, shkencëtarët, specialistët e mjedisit. Jeta nuk ka asgjë më ekuivalente sesa mjedisin,  ndaj ne duhet të kemi të qartë se kemi një traditë shumë të shkurtër në çështjet e mjedisit, se në fjalorin e mëparshëm të diktaturës kjo fjalë pothuajse nuk ekzistonte, apo ishte tërësisht e skajuar. Ndërkohë që çështjet e mjedisit janë çështje themelore të jetës e veprimtarisë  së qytetarëve  shqiptarë. Ky është fakt i pamohueshëm. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa një mbrojtje dhe zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit.
Të dashur studentë,
Zhvillimi është një mision i madh i çdo kombi. Për ne shqiptarët, që e nisëm nga një nivel shumë i ulët, natyrisht është më jetik sesa të tjerët. Por duhet të kemi gjithnjë në mendje se vetëm një zhvillim është ai që u reziston kohërave, vetëm një zhvillim është ai që nuk lëndon, nuk rëndon mbi supet dhe jetën e atyre që do të vijnë pas nesh; ky është zhvillimi i qëndrueshëm. Ndaj ne duhet të bëjmë gjithçka, në mënyrë që këtë zhvillim që krijojmë sot, lumenjtë e djersës që derdhim sot për ndërtimin e këtij vendi, të trashëgohen, të gëzohen si vlera madhore e të qëndrueshme nga ata që vijnë pas nesh.
Kjo kërkon një zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit, një respekt madhor për të, kjo kërkon përdorimin e të gjitha potencialeve të mundshme për të shfrytëzuar burimet e energjisë së rinovueshme. Asnjë vend, në sipërfaqe e popullatë, nuk është me e pasur se Shqipëria në energjinë e rinovueshme. Ndaj  dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të ecim me shpejtësi në rrugën e zhvillimit, por gjithnjë  një zhvillim të qëndrueshëm dhe, një zhvillim i qëndrueshëm ka doktrinën në lëndët që ju mësoni në këtë fakultet.  Ju do të jeni liderë të vërtetë të këtij procesi jetik dhe vendimtar  për Shqipërinë dhe shqiptarë.

energjia.al, 08.06.2012