Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhen 2 vendimet per proceduren elektronike te koncesioneve te energjise

VENDIM Nr. 268, datë 18.4.2012 PËR KRYERJEN NË MËNYRË ELEKTRONIKE TË PROCEDURAVE KONKURRUESE TË DHËNIES SË KONCESIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4 të nenit 5 të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Publikimi i dokumenteve të procedurave konkurruese të koncesionit dhe dorëzimi i ofertave të operatorëve në këto procedura do të zhvillohen me mjete elektronike.
2. Ngarkohet Agjencia e Prokurimit Publik të nxjerrë udhëzimet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha

VENDIM Nr. 269, datë 18.4.2012 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 27, DATË 19.1.2007 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË VLERËSIMIT DHE TË DHËNIES SË KONCESIONEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4 të nenit 5 të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në tekstin “Rregullat e vlerësimit dhe dhënies së koncesioneve” që i bashkëlidhet vendimit nr. 27, datë 19.1.2007 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1 “Për propozimet e kërkuara” të kreut III “Organizimi i procedurave konkurruese të përzgjedhjes”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në shkronjën “a” paragrafi i fundit, pas shprehjes “… ftesë për ofertë …” shtohet fjalia “… Në rast se publikimi i dokumenteve dhe depozitimi i ofertave bëhet me mjete elektronike, botimi i ftesës për ofertë do të bëhet në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe shpallja e dokumenteve të procedurës në platformën elektronike të prokurimeve, në adresën zyrtare elektronike të APP-së.”.
b) Në shkronjën “d”, paragrafi i parë, pas shprehjes “… të institucionit përgjegjës (qendror apo vendor) për dhënien e koncesionit, në web-siten-n e APP-së …” shtohet fjalia “… Në rast se publikimi i dokumenteve dhe depozitimi i ofertave bëhet me mjete elektronike, botimi i tyre do të bëhet në platformën elektronike të prokurimeve, në adresën zyrtare elektronike të APP-së …”.
2. Paragrafi i parë i pikës 1 të kreut IV “Dokumentet standarde të procedurës konkurruese” ndryshohet si më poshtë vijon:
“Autoriteti kontraktues përgatit formatin e dokumenteve standarde të procedurës konkurruese që do të përdoret gjatë procedurave të konkurrimit. Në rast se publikimi i dokumenteve dhe depozitimi i ofertave bëhet me mjete elektronike, këto dokumente duhet të publikohen në platformën elektronike të prokurimeve në adresën zyrtare elektronike të APP-së, sipas udhëzimeve të APP-së dhe nënkuptojnë …”.
3. Në pikën 2 të kreut VI “Hartimi i dokumenteve të procedurës konkurruese” bëhen këto shtesa:
a) Në fund të paragrafit të parë shtohet fjalia: “Në njoftim shënohet edhe se dokumentet e procedurës konkurruese mund të sigurohen në rrugë elektronike nga adresa zyrtare elektronike e APPsë.”.
b) Në fund të paragrafit të dytë shtohet fjalia: “Në rast se publikimi i dokumenteve dhe depozitimi i ofertave bëhet me mjete elektronike edhe shtojca e modifikimeve vihet në dispozicion në rrugë elektronike.”.
4. Në pikën 2 “Dorëzimi i ofertave” të kreut VII “Paraqitja dhe dorëzimi i ofertave”, në fund të paragrafit të katërt shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Në rast se publikimi i dokumenteve dhe depozitimi i ofertave do të bëhet me mjete elektronike, dorëzimi i ofertave të operatorëve do të bëhet sipas udhëzimeve të APP-së.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha

energjia.al, 24.05.2012