Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Projekte strategjike në energji që lidhin Shqipërinë me Italinë

Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano vlerësoi dje faktin që ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në kontekstin e një krize botërore, duke çmuar gjithashtu nivelin e lartë të shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore midis të dy vendeve dhe faktin që Italia është partner i parë tregtar i Shqipërisë. Kryeministri Berisha, i cili zhvilloi një vizitë në Itali, u prit në një takim të veçantë në Quirinale, nga Presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano. Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen më të thellë Italisë, qeverisë italiane dhe popullit italian për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në 20 vitet e ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe që vazhdojnë t’i japin asaj në rrugën e integrimit evropian. Kryeministri theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Italisë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Presidenti Napolitano shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të Kryeministrit Berisha. Presidenti theksoi se politika e Italisë kundrejt Shqipërisë ka ruajtur në mënyrë konstante frymën e bashkëpunimit e të miqësisë në të gjitha fushat, pavarësisht mazhorancave qeverisëse që kanë drejtuar Italinë. Ai shprehu kënaqësinë që Shqipëria ndodhet shumë pranë integrimit në BE dhe e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e tij dhe të Italisë në këtë proces. Në përgjigje të interesit të Presidentit Napolitano për zhvillimet dhe progresin ekonomik, politik dhe institucional, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave ekonomike e institucionale dhe arritjeve që ato kanë sjellë. Kryeministri Berisha dhe Presidenti Napolitano diskutuan për rritjen dhe fuqizimin e investimeve në Shqipëri, ku fokus u vu mbi zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë. Në këtë kontekst, u vlerësua roli i rëndësishëm i projekteve strategjike energjetike që lidhin Shqipërinë me Italinë. Në këtë kuadër, Forumi Ekonomik i zhvilluar mes sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare ka një rol të madh në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike. Duke theksuar se ky vit është viti ku Shqipëria dhe shqiptarët festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri e ftoi Presidentin Napolitano si një mik të nderuar të shqiptarëve që të marrë pjesë në këto festime. Nga ana e tij, Presidenti Napolitano falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë me rastin e këtyre festimeve.
Vlerësime për prezencën e komunitetin shqiptar në Itali
Presidenti Napolitano shprehu vlerësimet më të larta për komunitetin shqiptar në Itali, duke theksuar se tashmë ai është një komunitet i mirintegruar, si dhe shprehu kënaqësinë që sindroma e paragjykimeve ndaj tyre tashmë është tërësisht e tejkaluar. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen që populli italian i ka dhënë këtij komuniteti, jo vetëm komunitetit arbëresh, por veçanërisht në 20 vitet e fundit. Në mënyrë të veçantë, ai vlerësoi rolin e Presidentit Napolitano, duke kujtuar në këtë kontekst edhe mbështetjen e tij në funksionin e tij të mëparshëm si ministër i Brendshëm, nëpërmjet dekreteve të ndryshme të firmosura prej tij, në atë periudhë.
Eksportet italiane drejt Shqipërisë, rritje me 18% krahasuar me 2010
Një vlerësim tjetër i rëndësishëm ishte bashkëpunimi dypalësh, të cilin Kryeministri italian e konsideroi Shqipërinë si partneri i parë ekonomik për eksportet italiane drejt vendit tonë. Sipas Montit eksportet kanë arritur në 1145 milionë euro, me një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2010 dhe importet italiane nga Shqipëria kanë shënuar 657 milionë euro, 14% më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. “Gjatë këtij takimi bëmë bilancin e marrëdhënieve dypalëshe dhe duhet të them se jemi shumë të kënaqur për këtë. Edhe në vitin 2011, Italia është konfirmuar si partneri i parë ekonomik i Shqipërisë, eksportet italiane drejt Shqipërisë kanë arritur në 1145 milionë euro, me një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2010 dhe importet italiane nga Shqipëria kanë shënuar 657 milionë euro, 14% më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. Vlerësojmë shumë gjallërinë e komunitetit shqiptar në Itali, i cili me pothuajse 500 mijë persona është e dyta bashkësi e huaj në vendin tonë dhe njëra nga më të integruarat. Edhe për këtë motiv, pra për praninë e komunitetit shqiptar në Itali, Italia ka mbështetur fort procesin e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE”, theksoi Monti. Sipas Kryeministrit italian, megjithë nevojën e vazhdueshme të Italisë për të kufizuar shpenzimet publike, veprimtaria e bashkëpunimit italian për zhvillimin, në Shqipëri, vazhdon të jetë e konsiderueshme. Në dhjetëvjeçarin e fundit, qeveria italiane ka dhënë një kontribut total në ndihmë të bashkëpunimit për zhvillim, përmes dhurimit dhe kredive prej 247 milionë eurosh, i cili në 2010 është rritur me një kontribut të mëtejshëm prej 51 milionë eurosh. Kryeministri italian shprehu kënaqësinë e tij për të pritur dje homologun e tij Berisha, të cilit i përcolli në emër të qeverisë italiane edhe urimet për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri shfrytëzoi rastin për të shprehur në emër të qeverisë shqiptare, mirënjohjen më të thellë qeverisë dhe kombit italian, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e vështirë, por të suksesshme të ndërtimit të shoqërisë së lirë të bazuar në vlerat universale, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ekonominë e tregut. Kjo ndihmë ka pasur një rëndësi jetike. “Kryeministri Monti përmendi një shifër të viteve të fundit për 260 milionë euro, në statistikat e dosjes sime, po të shkojmë më tutje gjejmë një faturë prej rreth 600 milionë eurosh, e shndërruar kjo në qindra e qindra projekte, të cilat kanë bërë që Shqipëria sot të jetë një vend tjetër”, theksoi Berisha. Në takim merrnin pjesë edhe ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Aldo Bumçi, ambasadori italian në Tiranë, zoti Massimo Gaiani, si dhe ambasadori shqiptar në Itali, Llesh Kola.

Monti, mbështetje Berishës për BE-në
Italia, partneri i parë ekonomik i Shqipërisë. Ftesë kryeministrit e presidentit italian për 100 vjetorin e Pavarësisë.
Shqipëria ka marrë mbështetjen e Italisë për procesin e saj integrues në Bashkimin Europian, garanci që iu dha dje Kryeministrit Berisha nga homologu i tij italian, Mario Monti. Kryeministri Berisha në vizitën e tij zyrtare në Itali u prit dje nga dy zyrtarët më të lartë të këtij shteti, Kryeministri Mario Monti dhe Presidenti Giorgio Napolitano. Në Selinë e Këshillit të Ministrave, Palazzo Chigi, të dy kryeministrat dhanë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila u përqendrua në dy çështje kryesore, bashkëpunimi ekonomik, si dhe ndihma që Italia do t’i japë Shqipërisë në proceset integruese në Bashkimin Evropian. Kryeministri italian vlerësoi punën e deritanishme të qeverisë për të përmbushur paketën e reformave të nevojshme për të ecur drejt afrimit me BE. “Përsa i përket rrugës së Shqipërisë drejt afrimit në BE, ishte pikërisht kjo rrugë që na ofroi Presidentit Berisha dhe mua që isha komisioner europian, rastin e parë për t’u takuar në Bruksel, në vitin 1996, gjatë një vizite të Presidentit Berisha. Ndër të tjera, gjatë takimit i shpreha Kryeministrit Berisha vlerësimin tonë për të gjitha përpjekjet e bëra nga Shqipëria për të përmbushur paketën e reformave të nevojshme për të ecur drejt afrimit me BE. Vullneti i shprehur politik dhe një impenjim i vazhdueshëm nga ana e qeverisë dhe opozitës, janë të domosdoshme për të lejuar Shqipërinë të bëjë progresin e mëtejshëm të kërkuar nga ana e BE. Theksoj se përsa na përket, do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë të fortë në favor të perspektivës evropiane të Shqipërisë”, theksoi Monti. Gjatë këtij takimi, të dy homologët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve në shumë fusha dhe rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për thellimin dhe zgjerimin e tyre të mëtejshëm, në veçanti zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike dhe rritjen e investimeve italiane në Shqipëri. Për Kryeministrin Berisha ky takim faktoi bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë, ekonomisë, kulturës, arsimit etj. Kryeministri, ndërsa konfirmoi garancinë që mori nga homologu i tij Mario Monti për proceset integruese të Shqipërisë, e siguroi atë se qeveria e merr këtë si një proces të bazuar kryekëput në meritë dhe performancë. “Me Kryeministrin kemi diskutuar bashkëpunimin e shkëlqyer në të gjitha fushat, por ajo që spikat është se me këto që kemi arritur është krijuar një bazë e shkëlqyer për një dimension të ri, për një horizont të ri të madh, të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Shqipëria çdo ditë dhe më shumë bëhet një partner i këtij vendi të madh dhe unë ju garantoj se çdo vit e më shumë do të bëhet një partner i rëndësishëm me potencialet e saj. Diskutuam gjerësisht sesi të inkurajojmë investimet italiane në Shqipëri. Diskutuam për projektet e mëdha energjetike, diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe një theks të veçantë u vu në mbështetjen e Italisë për integrimin europian, mbështetje, e cila ka qenë gjithnjë shumë e fuqishme. Kur i hoqën vizat për shqiptarët kishte nga ata që mendonin se do të shihnin valët e eksodeve, garant kryesor për shqiptarët ishin zyrtarët dhe qeveria italiane, e cila i qetësoi partnerët se kjo nuk do të ndodhë dhe sot, Italia na mbështet neve fuqishme në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Unë duke falënderuar shumë Kryeministrin për këtë mbështetje e sigurova që, ne e marrim këtë si një proces të bazuar kryekëput në meritë dhe performancë”, theksoi Berisha.
Takimin me Kryeministrin italian, Kryeministri Berisha e ka shfrytëzuar për ta ftuar atë të jetë prezent në Shqipëri gjatë kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kryeministri u shpreh i kënaqur që të priste homologun e tij italian në një vizitë në Tiranë. “Ne kremtojmë këtë vit, 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit dhe ishte kënaqësi e madhe që një mik të shquar që e kam takuar në vitin 1996, si komisioner në Komisionin Europian, e takoj sot si Kryeministër dhe e ftoj të vizitojë vendin tim. Në veçanti nga kjo, një mirënjohje të thellë dua t’i shpreh kombit italian, sepse që nga Mesjeta deri në ditët e sotme, shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë. Në valët e dikurshme dhe të sotme, ata janë sot rreth 1 milion qytetarë të këtij vendi. Kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare dhe kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm sot në rilindjen e dytë kombëtare që kemi, pas rrëzimit të diktaturës. Dhe njëherë faleminderit shumë zoti President i Këshillit të Ministrave për pritjen miqësore dhe të ngrohtë që më rezervuat dhe shpreh besimin tim se, do t’ju pres në Tiranë. Deri sot kam pritur të gjithë kryeministrat e këtij vendi mik nga Betino Kraksi, Giulio Andreotti, mos harroni se kam qenë 8 vjet në opozitë dhe jam i bindur se do të pres edhe Kryeministrin Mario Monti”, theksoi Berisha.

Gazeta Rilindja Demokratike, 08.05.2012

Fini-Berisha, u diskutua për projektet e mëdha energjetike pan-europiane
Kryeministri Berisha e njohu me zhvillimet pozitive politike dhe ekonomike.
Gjate  vizitës së tij në Itali, kryeministri Berisha ka takuar edhe Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Gianfranco Fini. Kryeministri Berisha ka falenderuar zotin Fini, për kontributin e tij dhe atë të qeverisë e popullit italian për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë, në rrugën e saj drejt demokracisë dhe integrimit euroatlantik.
Zoti Fini shprehu kënaqësinë e veçantë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve dhe siguroi Kryeministrin për angazhimin e pandryshuar në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë. Temat me interes dypalësh në marrëdhëniet ekonomike dhe potencialet që Shqipëria ofron për investitorët italianë kanë qenë në qendër të bisedës. Kryeministri Berisha u shpreh se është me rëndësi të madhe paraqitja sa më e mirë tek investitorët italianë e këtyre potencialeve dhe forumet e biznesit, si ai që u zhvillua sot, janë një mundësi e shkëlqyer.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për projektet e mëdha energjetike pan-europiane. Lidhur me këtë u nënvizua interesi strategjik i projektit transadriatik, në kuadër të sigurisë energjetike jo vetëm në Shqipëri dhe në Itali, por dhe në mbarë rajonin dhe Europën. Ndër të tjera kryeministri Berisha e njohu Finin me me zhvillimet pozitive politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Kryeministri theksoi se këto zhvillime kanë ndikuar në një progres të dukshëm në plotësimin e prioriteteve të vëna nga Bashkimi Europian.

TV ABC News, 08.05.2012