Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

A janë shitur pasuritë nëntokësore të vendit?

INTERVISTA/ Prof. Dr. Fatmir Shehu flet mbi gjendjen e sektorit minerar në Shqipëri.
Gjendja e vështirë ekonomike dhe privatizimi i disa prej objekteve më të rëndësishme nga sektori i huaj në vend, e ka bërë më të dukshme situatën e vështirë në të cilën ndodhet sektori minerar në Shqipëri. Për të pasur një panoramë dhe një shpjegim sa më profesional të këtij problemi “Telegraf” ka marrë në intervistë ekspertin e mirënjohur të pasurive minerare, Prof. Dr. Fatmir Shehu.
-Qeveria ka në strategjinë e saj privatizimin e gjithë sektorit mineral. Kohët e fundit ajo ka privatizuar edhe “Albpetrol”-in. A mund të na thoni komentin tuaj në lidhje me këtë?
-Kapitalizmi e ka në paradigmën e saj pronën private madje e stimulon atë. Vendet ish-socialiste, e sidomos dhe veçanërisht Shqipërinë, që sistemi i ri e gjeti me 100%  pronë shtetërore, e kishin nevojë urgjente kalimin e pronës nga socialiste në private. Nuk mund të ketë kapitalizëm pa pronë private. Këtu duhet sqaruar një gjë që është shumë e rëndësishme. A do të konsiderohet e privatizuar pasuria minerare që Nëna Natyrë i ka dhënë truallit tonë. Kjo është pika më kruçiale e problemit dhe që do kuptuar mirë dhe ka shumë rëndësi dhe se si veprohet në praktikë për trajtimin e kësaj çështje. Në bazë të  konceptit, që ç’do gjë që i përket Atdheut është pronë e qytetarëve të saj, pra është pronë publike, rezulton që edhe pasuritë e nëntokës dhe ato të mbi tokës janë pronë e qytetarëve të saj. Madje dhe vetë toka si e tillë mendojmë se nuk do konsideruar si zakonisht “e imja” apo e “jotja”. Ajo është një pasuri, që megjithëse mund ta kesh blerë, nuk ke të drejtë ta trajtosh në kundërshtim me interesat kombëtare. Ose për hatër të interesave kombëtare ç’do tokë e kujtdo qoftë i hiqet nga pronësimi atij që e ka blerë dhe sipas rregullave të përcaktuara, pronarit aktual në mënyrë obligative i hiqet titulli i pronësisë duke u shpërblyer sipas rregullave që vendosen posaçërisht për këto punë dhe toka “e tij” vihet në shërbim të interesave më të mëdha publike. E njëjta gjë ndodh kur në nëntokën e një pronari aktual gjenden rezerva të ndryshme minerale, të cilat me Kushtetutë janë pronë publike. Edhe në këtë rast, pronari i tokës sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi është i detyruar që të largohet nga ish-prona e tij duke u kompensuar sipas ligjeve në fuqi. Kësisoj, që këndej rezulton që pasuritë e nëntokës dhe gjithë pasuritë e tjera për, të cilat publiku ka nevojë përdorimi, ato janë e do të jenë pronë e tij e justifikuar edhe me ligj.
-Sipas këtij konteksti, prona publike nuk privatizohet. Atëherë si mund të kuptohet futja e kapitaleve private në industrinë minerale përfshi këtu dhe atë të naftës dhe gazit?
Kapitalet private futen në pronën publike për disa arsye. E para, kur publiku pronar nuk e ka ekspertizën e nevojshme që të vërë në shfrytëzim për interesat e tij një pasuri të caktuar publike. E dyta, kur investimet qe nevojiten janë shumë të mëdha e të pa përballueshme si dhe risku i tyre është i madh, sa që pronari publik nuk mund t’i përballojë dhe rrjedhimisht është para dilemës: ta vërë në eficencë ekonomike një pasuri të caktuar që e disponon duke e nxjerrë në tregun e të interesuarve apo ta lërë për një kohë të mëvonshme kur të aftësohet vetë. Në përgjithësi, ç’do pronar kërkon që për një pasuri që ka, të gjejë forma të tilla që të nxjerrë fitime maksimale në një kohë sa më të shpejtë. Aq më tepër kur ndodhet në disa faza të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik kur  dalin në evidencë nevoja të shumta.  
-Po si lidhen këto probleme me industrinë tonë minerale, ku pothuajse në mineralet kryesore si në naftë e gaz, bakër dhe krom etj., aktualisht janë futur kapitale private?
Zhvillimi i një vendi kuptohet nga nivelet e investimeve dhe nga rentabiliteti që sigurohet nga këto investime. Kështu edhe në socializëm u bënë shumë investime si në metalurgji, në plehra azotike, në prodhimin e autopjesës etj., por thuhet që nuk qenë efektive. Siç dihet, investimet kanë mjaft parametra vlerësimi si më kryesorët: koha e kthimit të vlerës së investimit, raporti i fitimit ndaj investimit, koeficenti i kthimit, fitimi neto i vlerësuar në kohën e investimit, raporti i fitimit ndaj investimit me interesa zbritëse, përqindja e fitimit nga investimi, vlerësimi i riskut të investimit etj., etj.. Prandaj për ç’do investim bëhet i ashtuquajturi studimi i fizibilitetit dhe nga moria e nevojave për investim,  zgjidhen prioritetet e objekteve se ku duhet të bëhet investimi. Për këtë, në radhë të parë shtrohen nevojat për investim dhe mbasi bëhen skenarët e ndryshme të vlerësimeve komplekse shpenzim – fitim caktohet lista e objekteve të investimit sipas prioriteteve dhe leverdisë ekonomiko-sociale etj.. Mua më duket se, edhe tërheqja e investimeve të huaja do realizuar në ato drejtime që janë me risk të madh siç është p.sh, fusha e kërkimit dhe zbulimit të rezervave të reja të naftës dhe gazit si dhe mineraleve të tjerë si kromit, bakrit etj.. Faktikisht, me keqardhje konstatohet se investimet e kapitaleve të huaja deri më sot në më të shumtën janë orientuar në shfrytëzimin e rezervave të zbuluara, të cilat nuk kanë nevojë për ndonjë ekspertizë të madhe si dhe për shfrytëzimin e tyre mund të gjenden kredi nga bankat e interesuara për kredidhënie sepse pasuritë e zbuluara janë vlera reale që nuk frikësojnë asnjë bankë për kredidhënie. Në këtë pikëpamje, koncepti se po fusim kompani të huaja në industrinë nxjerrëse të rezervave të mineraleve tashmë të zbuluara e të vlerësuara, se nuk kemi fonde investimi – është e pajustifikuar sepse pa asnjë mëdyshje, edhe kompanitë e huaja koncesionare, që po punojnë në vendin tonë aktivitetin e tyre e kanë mbështetur në kredimarrje dhe jo në portofolin e tyre. Pasuritë e zbuluara mund të krahasohen me një bakllava që është shtruar mbi një tavolinë dhe që presin  vetëm lugën dhe stomakët e nevojshëm që ta hanë. Prandaj, mendoj se, politika e tërheqjes së investimeve të huaja në fushën e industrisë minerare duhet të përqendrohet në zbulimin e rezervave të reja të këtyre mineraleve dhe jo në shfrytëzimin e rezervave minerale që tashmë janë gjetur me investime të shumta nga shteti jonë. Dihet, me saktësi se këto rezerva minerale, qoftë ato të naftës dhe gazit, jo vetëm se janë gjetur dhe zbuluar  nga specialistët tanë shumë të kualifikuar, por edhe gjithë punimet për shfrytëzimin e tyre  dhe përpunimin dhe tregtimin e tyre janë realizuar me nivele të larta ekspertize nga specialistët dhe punonjësit tanë. Kësisoj, mosdhënia e shfrytëzimit të këtyre pasurive tashmë të gjetura nga vetë shqiptarët, ekipeve shqiptare,  të mbështetur fillimisht nga shteti, është një humbje shumë e madhe në radhë të parë e traditës, por edhe e vlerave të mëdha financiare sepse pasuria sigurisht rrjedh jashtë vendit që i takon.
-Duke u nisur nga fakti se futja e investimeve të huaja tashmë është bërë një realitet  në industrinë tonë nxjerrëse minerale, a mund të konsiderohet kjo “shitje e interesave publike”?
Këtu do bërë dallimi se, kompanitë e huaja janë thirrur për të shfrytëzuar këto pasuri dhe jo për t’u bërë pronarë të këtyre pasurive. Fakti që të ardhurat që rezultojnë nga puna që bëjnë këto kompani gjatë aktivitetit të tyre ekonomik nuk i përvetësojnë të gjitha vetë, por i ndajnë me shtetin, që përfaqëson interesat publike, tregon se ata nuk janë pronarë i pasurive që shfrytëzojnë, por janë operatorë që të thirrur për të shfrytëzuar këto pasuri.
-Po populli, a merr atë që i takon nga ky aktivitet i kompanive të huaja, të cilat ju thoni, janë operatore?
Kjo është pyetja më e komplikuar, të cilës mund t’i jepet përgjigje mbasi të analizohen në mënyrë eksperte gjithë puna që është bërë, që nga tenderi i zhvilluar për përzgjedhjen e kompanisë operatore, lidhja e kontratës, çfarë tip kontrate është preferuar të lidhet, termat e Kontratës, si mbrohen interesat publike në këtë kontratë, si dhe kush e supervizon zbatimin e kësaj kontrate. Këtu në mënyrë a-prori them se ka vend për hulumtime dhe korrigjime sepse kompanitë që kanë ardhur kanë qenë prioritare në nivelin e ekspertizës, në fuqinë ekonomike, në njohjen e defekteve të infrastrukturës aktuale të shtetit tonë, në dobësitë për t’u korruptuar përfaqësuesit e palës sonë me forma të ndryshme, gjatë kohës së përpunimit, hartimit dhe miratimit të kontratave etj.. Megjithatë edhe nëse kompanitë operatore ‘janë në pozicionin që ja hedhin shtetit tonë, siç thuhet se janë deri tani, “ kjo nuk do të thotë se ato janë pronarë të pasurive tona, dhe shteti jonë, ashtu siç ka ndodhur në shumë shtete të tjera, në ç’do kohë mund të ndjek politika nacionalizimi në kohë të caktuara kur e kërkojnë interesat e tij.

Gazeta Telegraf, 01.05.2012