Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zhduket kontrata e shitjes së OSSH, qeveria fsheh pazaret me CEZ për vjedhjen e konsumatorëve

Dora e kryeministrit Berisha dhe e qeverisë shfaqet në një tjetër histori të zezë korrupsioni, ndoshta në aferën më të madhe në këto 20 vite pluralizëm. Kontrata e shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes “OSSH” është zhdukur në mënyrë mafioze, për të mbuluar pazaret e qeverisë me CEZ, në kurriz të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve dhe në interes të një bande hajdutësh në pushtet.
Njësia task forcë në Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të hetimit të CEZ për vjedhjen sistematike të konsumatorëve me fatura fiktive dhe me manovra të tjera korruptive, ndër të tjera, ka kërkuar sekuestrimin e kontratës së nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe CEZ për privatizimin e OSSH. Por, burime nga njësia task forcë në Prokurorinë e Tiranës konfirmojë se kontrata është zhdukur. Privatizimi që është bërë për arsye elektorale dhe klanore, pra jo në dobi të qytetarëve, është arsyeja kryesore e zhdukjes së kontratës. Megjithatë, zhdukja e kontratës, është në fokus të hetimeve të organit të akuzës. Siç dihet, privatizimi i OSSH mbetet një ndër shitjet më skandaloze në 20 vitet e fundit, por zhdukja e kontratës përbën një akt korrupsioni të paprecedentë. Përveçse ka legalizuar të gjitha vjedhjet e CEZ që pas privatizimit, qeveria nuk bën transparente para qytetarëve detyrimet që ka ndaj CEZ dhe anasjelltas. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është drejtuar nga Alfred Rushaj, aktualisht zëvendësministër i Financave. Rushaj, i mandatuar nga qeveria për privatizimin, është ndër njerëzit kryesorë që ka dijeni për fatin e kontratës. Nëse kontrata nuk ekziston fare, siç flitet në Ministrinë e Ekonomisë, ky do të ishte një tjetër skandal tronditës. Ligji për shoqëritë tregtare në Republikën e Shqipërisë parashikon që çdo privatizim kryhet me kontratë, në të cilën firmosen detyrimet dhe përgjegjësitë e secilës palë. Po ashtu, kontrata parashikohet edhe në një udhëzim të Ministrisë së Ekonomisë. “Me pagesën e plotë të vlerës së objektit në të cilën përfshihet dhe 20% i TVSH-së, lidhet kontrata e shitjes së objektit. Kontrata të përcaktojë qartë detyrimet e palëve, pagimin e taksave dhe aktin e dorëzimit të objektit. Pas çdo ankandi të raportohet në ministri, si përfaqësuese e pronarit të pronës shtetërore mbi realizimin e tij. Raporti të shoqërohet me dokumentacionin përkatës”, thuhet në udhëzimin e firmosur nga ish-ministri Genc Ruli. Skandalin e privativit të OSSH e ka denoncuar edhe opozita, ndërsa ka kërkuar në vijimësi zbardhjen e pazarit, nëpërmjet zbardhjes së kontratës mes qeverisë dhe CEZ.
ERE: S’ka kontratë
Drejtori Juridik pranë Entit Rregullator të Energjisë, Eduard Elezi ka deklaruar se nuk ka një kontratë mes CEZ dhe qeverisë. “Së pari më duhet të sqaroj që nuk ka një kontratë mes CEZ dhe qeverisë, por një akt ligjor. Ligji për privatizimin e 76% të aksioneve të shoqërisë së shpërndarjes dhe të gjitha pikat që ju po i referoheni qoftë dhe për reduktimin e humbjeve janë të parashikuara në ligjin e mësipërm. Është aneks dhe quhet deklarata rregullatore”, theksoi ai. Por ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës, në një vendim të 2009, konfirmon kontratën mes qeverisë dhe CEZ. Autoriteti i Konkurrencës thekson se transaksioni i shitblerjes së 76 % të aksioneve të OSSH sh.a nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës tek CEZ është realizuar nëpërmjet “Marrëveshjes për blerje aksionesh”, pra nëpërmjet një kontrate.
Berisha i fal 20 milionë euro CEZ
CEZ shpërndarje përfiton sërish në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Me leje të vetë kryeministrit Berisha, kësaj kompanie tashmë i falen plot 20 milionë euro. Berisha nuk e përmendi asnjë sekondë marrëveshjen e nënshkruar tashmë dhe të miratuar edhe në qeveri, që detyron KESH-in të paguajë borxhin që institucionet shtetërore i kanë pasur OSSH por që me privatizimin e kësaj kompanie kaluan në “pronësi” të CEZ, ndërkohë që CEZ po ashtu do të shlyejë 60 milionë euro borxh ndaj KESH-it dhe 20 milionë të tjera ndaj OST, të cilave nuk ua ka shlyer gjatë viteve të fundit. Por kjo marrëveshje, për të cilën as kreu i KESH Engjëll Zeqo e as kryeministri Sali Berisha nuk preferojnë të “ndihen”, është në vetvete një skandal i madh, një aferë e pastër si shumë të tjera, mes kësaj qeverie dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë CEZ Shpërndarje. Sipas marrëveshjes, të cilën e miratoi kryeministri Berisha, CEZ përfiton 20 milionë euro “borxh” nga institucionet shtetërore, të cilat në fakt janë shlyer një herë gjatë privatizimit. Kur CEZ e bleu OSSH 102 milionë euro në vitin 2009, realisht dha vetëm 82 milionë euro, sepse 20 milionë të tjera ishin borxhe të OSSH, të cilat u paguan nga shteti. 
Faturistët dhe drejtorët e CEZ nën hetim, ja se si i vjedh CEZ konsumatorët
Dhjetëra faturistë dhe disa drejtorë të CEZ do të merren të pandehur për vjedhjen e qytetarëve me fatura fiktive. Njësia task forcë në Prokurorinë e Tiranës ka zbardhur mekanizimin e vjedhjes së konsumatorëve nga CEZ me fatura fiktive nëpërmjet faturistëve. Sipas Prokurorisë, të paktën 10 mijë raste rezulton se faturistët kanë falsifikuar rrethanat e faktit, duke pasqyruar në faturë se energjia ishte ndërprerë për shkak të kamatëvonesave dhe më pas këta qytetarë gjobiteshin në një kohë që fakti nuk ekzistonte. Kjo mënyrë vjedhjeje është aplikuar nga të gjithë faturistët që janë nën hetim nga sektori kundër krimit ekonomiko-financiar pranë Prokurorisë se Tiranës. “Ne kemi përfunduar marrjen në pyetje të këtyre faturistëve të punësuar pranë CEZ dhe se shpejti disa prej tyre do të merren të pandehur për veprën penale vjedhje për shkak të detyrës”, thanë burime pranë Prokurorisë. Ndërkohë janë pyetur edhe disa drejtorë pranë kompanisë CEZ, të cilët kanë dhënë versionin e tyre për këtë mekanizëm. Hetimet për super dosjen ndaj CEZ nisen pas qindra ankesave të qytetarëve që denoncuan për fatura tepër të larta, si dhe një dosjeje të dorëzuar nga policia e kryeqytetit në Prokurori. Aktualisht janë nën verifikim dhjetëra dokumente të sekuestruara pranë kompanisë çeke mes, të cilave edhe vendime të dhëna nga bordi i kësaj kompanie. Mes dosjeve të bllokuara pranë kompanisë ndodhen faturat e depozituara nga qytetarët që pretendojnë se janë dëmtuar, regjistrat e faturimeve dhe denoncimet e qytetareve për ndërprerje të padrejtë të energjisë elektrike në një kohë që ata nuk rezultojnë me detyrime ndaj kompanisë. Ndërkohe një grup tjetër hetimor ka nen verifikim një kallëzim të kryer në fund të vitit 2011 nga një qytetar, i cili shpjegon mekanizmin e përdorur, sipas tij nga CEZ duke i shkaktuar, po sipas tij jo vetëm qytetareve por dhe shëtit një dëm ekonomik.
Manovra e CEZ me faturat
CEZ vjedh edhe përmes abonentëve që nuk arrijnë të paguajnë brenda muajit faturën e energjisë. Abonentit nuk i ndërpritet energjia por i jepet 6 muaj kohë me qëllim që mbi të të aplikohen kamatëvonesa prej 0.5 % e faturës në ditë. Kur vlera dyfishohet, CEZ i bën presion konsumatorit të paguaj menjëherë gjysmën e saj dhe pjesën tjetër të ndarë në muaj. Një tjetër metodë abuzimi nga CEZ është selektimi i abonentëve për të parë kalimin e kufirit të konsumit 300 kilovatorë për të cilin paguhet çmim më i ulet. CEZ e realizon këtë duke e mbyllur faturën mujore të konsumit herë me 25 ditë dhe herë me 35 ditë. CEZ vjedh shtetin edhe duke  manipuluar me inventarin e materialeve të konsumit që ka kompania ka të tilla si tela, kabllo etj.

Gazeta Sot, 07.04.2012